Vladimir Putin dhe Donald Trump në konferencën e përbashkët për shtyp nga Alaska

Bota

As armëpushim dhe as marrëveshje! Momentet kyçe të konferencës për shtyp Trump-Putin pas samitit në Alaskë

16 Gusht, 08:42| Përditesimi: 16 Gusht, 08:48

  • Share

1755326708_vladimirputindhedonaldtrumpnkonferencneprbashktprshtypngaalaska.png

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se takimi i tij me Presidentin amerikan Donald Trump ishte një hap i vonuar, por i domosdoshëm për t’i dhënë fund konfrontimit mes dy vendeve dhe për të hapur rrugën drejt dialogut dhe paqes, veçanërisht në lidhje me krizën në Ukrainë.

“Siç dihet, prej më shumë se katër vitesh nuk është mbajtur asnjë samit ruso-amerikan. Është një periudhë shumë e gjatë. Marrëdhëniet dypalëshe kanë kaluar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe, të themi të drejtën, kanë rënë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Kjo nuk është në të mirë të vendeve tona dhe as të botës,” u shpreh Putin.

Tema qëndrore e diskutimit të Putinit ishte situata në Ukrainë.

“Ne shohim dëshirën e administratës amerikane dhe të vetë Presidentit Trump për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit ukrainas, për të kuptuar thelbin e tij dhe për të hyrë në rrënjët e problemit,” tha Putin.

Presidenti rus theksoi se për Rusinë, zhvillimet në Ukrainë përfaqësojnë kërcënime themelore për sigurinë kombëtare.

“Ne gjithmonë e kemi konsideruar popullin ukrainas si vëllazëror, pavarësisht se si mund të tingëllojë kjo në kushtet aktuale. Ndaj gjithçka që ndodh atje për ne është tragjedi dhe dhimbje e madhe,” shtoi ai.

Putin deklaroi se Rusia është sinqerisht e interesuar për t’i dhënë fund luftës, por këmbënguli se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse adresohen të gjitha shkaqet themelore të krizës.

“Të gjitha shqetësimet legjitime të Rusisë duhet të merren parasysh dhe duhet të rivendoset një ekuilibër i drejtë i sigurisë në Europë dhe në botë”.

Ai u shpreh në përputhje me qëndrimin e Trump: “Jam dakord me Presidentin Trump që siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Ne jemi të gatshëm të punojmë në këtë drejtim. Shpresoj që mirëkuptimi që kemi arritur do të na sjellë më pranë këtij objektivi dhe do të hapë rrugën drejt paqes".

Presidenti rus shtoi se pret që Kievi dhe kryeqytetet evropiane “të reagojnë në mënyrë konstruktive” dhe të mos pengojnë përparimin e arritur me Donald Trump.

Putin gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike Rusi-SHBA, duke përmendur potencialin e madh për bashkëpunim në tregti, energji, teknologji të lartë, eksplorimin hapësinor dhe zhvillimet në Arktik.

“Pres që marrëveshjet e sotme të shërbejnë si pikë referimi jo vetëm për zgjidhjen e problemit ukrainas, por edhe për rivendosjen e marrëdhënieve pragmatike dhe të bazuara në interes të përbashkët mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, Putin theksoi marrëdhënien e krijuar me Trump si “të mirë, profesionale dhe të besueshme”, duke shtuar: “Kam çdo arsye të besoj se duke ndjekur këtë rrugë, mund të arrijmë fundin e konfliktit në Ukrainë, sa më shpejt, aq më mirë.”


Lajmi kryesor:

Trump pas takimit me Putinin: Përparim, por nuk kemi marrëveshje! Kreu i Shtëpisë së Bardhë telefonata me liderët evropianë, të BE-së e NATO-s. Zelensky të hënën në Washington (VIDEO)


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?