Zelensky-Trump-Putin

Bota

Trump pas takimit me Putinin: Përparim, por nuk kemi ende marrëveshje! Kreu i Shtëpisë së Bardhë telefonata me liderët evropianë, të BE-së e NATO-s. Zelensky të hënën në Washington

16 Gusht, 07:20| Përditesimi: 16 Gusht, 12:12

  • Share

Menjëherë pas takimit dhe konferencës së përbashkët për shtyp me Vladimir Putinin në Alaskë, Presidenti amerikan Donald Trump dha një intervistë për televizionin amerikan Fox Neës.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e vlerësoi me notën 10 takimin e tij të shumëpritur me presidentin rus Vladimir Putin dhe deklaroi se është bërë “përparim shumë i mirë” drejt paqes në Ukrainë. Megjithatë, Trump theksoi se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje.”

“Ishte një takim shumë i ngrohtë. Putin është një njeri i fortë, shumë i ashpër, por takimi mes dy vendeve të rëndësishme ishte i ngrohtë dhe konstruktiv. Është gjë e mirë kur vendet e mëdha kuptohen me njëra-tjetrën. Mendoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje. Por, natyrisht, edhe Ukraina duhet të japë dakordësinë e saj”, u shpreh Trump gjatë intervistës.

Trump e përshkroi takimin si “jashtëzakonisht produktiv,” por theksoi se nuk është arritur ende përfundimi i konfliktit.

“Pati shumë pika ku ramë dakord, shumicën e tyre, mund të them. Kishim edhe disa çështje të mëdha ku nuk kemi arritur ende një marrëveshje, por kemi bërë përparim. Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje,” deklaroi ai për mediat.

Presidenti rus Vladimir Putin ndau një qëndrim të ngjashëm, duke e quajtur samitin si një “atmosferë konstruktive me respekt të ndërsjellë.”

Hapat e ardhshëm drejt paqes në Ukrainë do të përfshijnë biseda mes Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe liderëve të tjerë të NATO-s. Trump u shpreh se do ta këshillojë Zelenskyyn të “arrijë një marrëveshje.”

“Ukraina po përballet me një makineri të madhe lufte. Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje, por nuk dua ta them me siguri. Zakonisht, kur jam afër, them 50-50, sepse mund të ndodhin shumë gjëra. Por besoj se Presidenti Putin dëshiron ta zgjidhë këtë çështje, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Sot më paraqitën një libër me mijëra emra të burgosurish që mund të lirohen”, shtoi Trump.

Presidenti amerikan zbuloi gjithashtu se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim paqeje me Putinin dhe Zelenskyyn.

“Tani gjithçka varet nga Presidenti Zelenskyy dhe sigurisht që edhe vendet evropiane duhet të përfshihen më shumë. Por nëse duan, unë do të jem në atë takim. Janë duke planifikuar një takim mes Zelenskyyt, Putinit dhe me sa duket edhe mua. Nuk e kërkova vetë, por dua të sigurohem që kjo të realizohet. Dhe mendoj se kemi një shans të mirë”.

Në një konferencë për shtyp, Putin konfirmoi deklaratat e Trumpit se një luftë e tillë nuk do të kishte shpërthyer nëse ai do të ishte President i Amerikës. Ndërkohë, Trump fajësoi administratën Biden për “paaftësi të rëndë.”

Ndërkohë, gjatë kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump zhvilloi telefonata të gjata me liderët evropianë, të BE-së, NATO-s si dhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Biseda telefonike mes Trump-Zelenskyt e aleatëve zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë informoi liderët evropianë dhe Zelenskyn për diskutimet që zhvilloi me Putinin.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Zelensky do të jetë të hënën në Washington me ftesë të Donald Trump për të biseduar nga afër lidhur me marrëveshjen e paqes.

Ora 12:09
'Ukraina'/ Liderët evropianë deklaratë të përbashkët: Të gatshëm të punojmë për një samit trepalësh

1755339083_flamuriibe.jpg

Liderët europianë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas takimit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, duke theksuar se "hapi i ardhshëm duhet të jenë bisedime të mëtejshme, përfshirë edhe Presidentin Zelensky".

Liderët njoftojnë se janë "të gatshëm të punojnë me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelensky për një samit trepalësh me mbështetje europiane".

"Jemi të gatshëm të mbajmë presionin mbi Rusinë," thuhet në deklaratë, duke shtuar se "Ukraina mund të mbështetet në solidaritetin tonë të palëkundur ndërsa punojmë drejt një paqeje që mbron interesat e sigurisë jetike të Ukrainës dhe Europës".

"Ajo që do të vendoset mbi territorin e Ukrainës do të jetë në duar të Ukrainës. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë," vazhdon deklarata, duke shtuar se liderët janë "të vendosur të bëjnë më shumë për të mbajtur Ukrainën të fortë në mënyrë që të arrijnë drejt fundit të luftës dhe një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".

Deklarata e plotë e liderëve europianë:

Në orët e para të mëngjesit, Presidenti Trump na informoi dhe Presidentin Zelensky pas takimit të tij me Presidentin rus në Alaska më 15 gusht 2025.

Liderët mirëpritën përpjekjet e Presidentit Trump për të ndaluar vrasjet në Ukrainë, për të përfunduar luftën agresive të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Siç tha Presidenti Trump, "nuk ka marrëveshje deri sa të ketë një marrëveshje".

Siç është parashikuar nga Presidenti Trump, hapi tjetër duhet të jenë bisedime të mëtejshme që do të përfshijnë edhe Presidentin Zelensky, të cilin ai do ta takojë së shpejti.

Ne jemi gjithashtu të gatshëm të punojmë me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelensky për një samit trilateral me mbështetje europiane.

Jemi të qartë se Ukraina duhet të ketë garanci të pakundërshtueshme sigurie për të mbrojtur efektivisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Mirëpresim deklaratën e Presidentit Trump se SHBA është e gatshme të ofrojë garanci sigurie.

Nuk duhet vendosur asnjë kufizim ndaj forcave të armatosura të Ukrainës ose bashkëpunimit të saj me shtetet e treta. Rusia nuk mund të vendosë veto ndaj rrugës së Ukrainës në BE dhe NATO.

Do të jetë në dorën e Ukrainës të marrë vendime mbi territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.

Mbështetja jonë për Ukrainën do të vazhdojë. Ne jemi të vendosur të bëjmë më shumë për të mbajtur Ukrainën të fortë dhe për të arritur një fund të luftimeve dhe një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Përderisa vrasjet në Ukrainë vazhdojnë, ne jemi të gatshëm të mbajmë presionin mbi Rusinë. Do të vazhdojmë të forcojmë sanksionet dhe masat e tjera ekonomike për të ushtruar presion mbi ekonominë e luftës të Rusisë deri sa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.

Ukraina mund të mbështetet në solidaritetin tonë të palëkundur ndërsa punojmë drejt një paqeje që mbron interesat e sigurisë jetike të Ukrainës dhe Europës.

Ora 12:01
Kryeministri britanik: Trump na ka sjellë pranë fundit të luftës më shumë se kurrë

1755338773_starmertrump.png

Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar duke thënë se Presidenti amerikan e ka sjellë më afër se kurrë më parë fundin e luftës në Ukrainë.

"Përpjekjet e Presidentit Trump na kanë afruar më shumë se kurrë në arritjen e fundit të luftës të Rusisë në Ukrainë. Udheheqja e tij për t’i dhënë fund vrasjeve duhet të vlerësohet”, tha Kryeministri Starmer.

Ai theksoi se hapi tjetër duhet të jetë zhvillimi i bisedimeve të mëtejshme, ku do të përfshihet edhe Zelensky, pasi "rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa të".

Ora 11:36
Kryeministri polak: Liderët europianë do të publikojnë një deklaratë të përbashkët për takimin Trump-Putin

1755337204_donaldtusk.jpg

Liderët evropianë do të dalin me një deklaratë të përbashkët lidhur me takimin e zhvilluar në Alaskë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin për çështjen e Ukrainës.

Këtë gjë e ka bërë të ditur Kryeministri polak, Donald Tusk.

Në një postim në rrjetin social X, Tusk shkruan se liderët europianë kanë përgatitur një deklaratë të përbashkët.

Ora 10:54
“Ukraina”, Reagon Donald Trump: Mënyra më e mirë është marrëveshja e paqes, jo e armëpushimit

1755334536_donaldtrumpdhevladimirputingjattakimitnalask.png

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në rrjetin e tij social “Social Truth” pas takimit që pati në Alaskë me Presidentin rus Vladimir Putin.

Trump thotë se zhvilloi biseda telefonike me liderët evropianë, të BE e NATO, si dhe me vetë Zelenskyn.

Ky i fundit do të jetë të hënën në Uashington për t’u takuar nga afër me Trumpin.

Presidenti amerikan thotë se me Rusinë do të ishte më mirë të arrihet një marrëveshje paqeje dhe jo një marrëveshje armëpushimi. 

Sipas tij, pas takimit të hënën me Zelenskyn do të shihet mundësia për të organizuar një takim me Putinin.

“Një ditë e mrekullueshme dhe shumë e suksesshme në Alaska! Takimi me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë shkoi shumë mirë, si dhe një telefonatë vonë natën me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës dhe udhëheqës të ndryshëm evropianë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm shumë të respektuar të NATO-s. Të gjithë u përcaktuan se mënyra më e mirë për t'i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje, e cila do t'i jepte fund luftës, dhe jo thjesht një Marrëveshje Armëpushimi, e cila shpesh herë nuk qëndron. Presidenti Zelenskyy do të vijë në Uashington, në Zyrën Ovale, të hënën pasdite. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të caktojmë një takim me Presidentin Putin. Potencialisht, jetët e miliona njerëzve do të shpëtohen. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, ka shkruar Presidenti Trump.

Ora 10:37
Teksa Putin bisedonte me Trump, Rusia sulmonte Ukrainën me dronë

1755333482_mbrojtjaajroreukrainase.png

Gjatë natës, ndërsa Presidentët Vladimir Putin dhe Donald Trump po diskutonin në Alaskë, mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë ose të bllokojë 61 dronë rusë, kryesisht të prodhimit iranian Shahed, nga të paktën 85 të lëshuar mbi territorin ukrainas.

Sipas raportimeve, 24 dronë goditën 12 lokacione në Ukrainë.

Kjo është bërë e ditur nga Forcat Ajrore të Kievit, të cilët gjithashtu njoftuan për lëshimin e një rakete balistike ruse Iskander-M, por pa specifikuar nëse ajo ka goditur objektivin.

Rajonet e prekura, sipas Kievit, janë Donetsku, Sumy, Çernihiv dhe Dnipropetrovsk.

Ora 10:18
Liderët evropianë telefonatë të dytë me Zelenskyn, pa pjesëmarrjen e Donald Trump

1755332405_starmerzelenskymacron.png

Kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar në një bisedë të dytë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë mëngjesit të sotëm.

Biseda po zhvillohet në grup së bashku edhe me liderët evropianë të vendeve anëtare të NATO-s dhe Presidentin Zelensky.

Mësohet se bëhet fjalë për të njëjtin grup liderësh që morën pjesë në thirrjen e mëparshme me Presidentin amerikan.

Megjithatë, Donald Trump nuk është pjesë e kësaj telefonate të dytë.

Ora 10:14
Mediat ruse për takimin Trump - Putin: Topi është në fushën e Europës dhe Kievit

Foto: Vladimir Putin dhe Donald Trump

Pas takimit midis presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump, agjencia e lajmeve ruse Tass është përqendruar kryesisht në dy çështje: perspektivat që hap takimi në Alaskë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Rusisë dhe SHBA-së, dhe përgjegjësia për paqen, e cila tani është tërësisht në duart e Europës dhe Kievit, të cilët "duhet të zgjedhin midis lëshimeve territoriale dhe luftës".

"Vështirësia kryesore do të jetë kapërcimi i mosmarrëveshjes territoriale mbi Donbasin dhe Krimenë", thekson Forrest Nabors, drejtor i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Alaskës në Anchorage, i cituar nga Tass .

"Ukraina do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë konfliktin apo do të lëshojë territor që mund ta humbasë gjithsesi për shkak të veprimeve të zgjatura ushtarake", paralajmëron eksperti amerikan.

"Rezultati kryesor i bisedimeve mund të përmblidhet në fillimin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe një vizitë të mundshme të Trump në Moskë", e cila do të ishte një vizitë kthimi pas vizitës së Putinit në Shtetet e Bashkuara, tha për agjencinë zyrtare të lajmeve RIA Novosti Lev Sokolshchik, studiues në Qendrën për Studime Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Ekonomisë në Moskë.

Sot, Channel One intervistoi Dmitri Trenin, një analist të njohur dhe anëtar të Këshillit Rus për Çështje Ndërkombëtare, i cili e karakterizoi hapur situatën që u krijua pas samitit të Anchorage si "pro-ruse". Duke përsëritur atë që propaganda e Kremlinit ka promovuar për muaj të tërë, Trenin theksoi se armiku tani është Europa, e cila dëshiron të pengojë procesin e paqes të iniciuar nga Moska dhe Uashingtoni.

Analisti pretendon se "ndryshe nga Evropa, Rusia gjithmonë ka mbajtur një kanal komunikimi me Shtetet e Bashkuara, të paktën në nivelin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrive të Mbrojtjes, edhe sepse siguria e botës varet nga këto kontakte".

Sipas Trenin, Trump "kishte të drejtë që ia hodhi topin Presidentit ukrainas Zelensky"; në këtë pikë, një skenar i mundshëm, thotë ai, është ai ku "amerikanët përpiqen të distancohen sa më shumë që të jetë e mundur nga çështja ukrainase, për të cilën Trump interesohet shumë pak".

Ora 10:10
Momenti kur avionët luftarakë amerikanë F-35 shoqërojnë aeroplanin presidencial të Vladimir Putin (VIDEO)

Avionët luftarakë amerikanë F-35 shoqëruan aeroplanin presidencial të Presidentin rus Vladimir Putin, pas përfundimit të samitit nga Alaska drejt Rusisë.

Pamjet u publikuan nga vetë Kremlini. Për arsye sigurie, avionët amerikanë shoqëruan rrugës për në shtëpi aeroplanin e Putinit.

Videoja është xhiruar nga brenda aeroplanit presidencial rus.

Takimi i shumëpritur mes Trumpit dhe Putinit, por që nuk prodhoi asnjë marrëveshje, u mbajt në Alaskë, në bazë ushtarake amerikane në Anchorage.

Ora 09:37
Zelensky do të takohet me Trumpin në Uashington të hënën! Mbështesim propozimin për një marrëveshje trepalëshe me SHBA-në dhe Rusinë

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Presidenti i Ukrainës Zelensky tha se do të takohet me Presidentin Trump për bisedime në Uashington të hënën.

Në një postim në Telegram ai thotë se është "mirënjohës për ftesën".

Ai theksoi se mbështesin propozimin e Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

"Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel udhëheqësish dhe se një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë qëllim", shtoi Zelensky.

Ora 09:25
Media ukrainase për takimin Trump - Putin: I neveritshëm dhe i pakuptimtë, presidenti rus u trajtua si mbret

Foto: Vladimir Putin dhe Donald Trump

Ndërsa priste një koment zyrtar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gazeta Kyiv Independent botoi një editorial mbi takimin Trump-Putin që nuk lë vend për dyshime në lidhje me gjykimin e saj, duke e quajtur takimin "të neveritshëm, të turpshëm, në fund të fundit të pakuptimtë".

“Trump nuk mori atë që donte. Por Putini? Ai e mori. Në momentin që zbriti nga avioni në tokën amerikane, diktatori rus po shkëlqente nga gëzimi".

"Nuk është më një i përjashtuar ndërkombëtar", shkruan gazeta Kyiv Independent për presidentin rus, "më në fund i pranuar dhe i respektuar nga udhëheqësi i botës së lirë.

Paraardhësi i Trump dikur e quajti Putinin vrasës; Trump i ka bërë një pritje mbretërore".

Gazeta thekson gjithashtu trajtimin e pabarabartë të Volodymyr Zelensky, i cili "pësoi poshtërim publik" gjatë takimit shkurtin e kaluar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa dje presidenti rus "u përkëdhel: të dy incidentet ishin të turpshme".

“Trump”, përfundon editoriali, “nuk arrin të kuptojë se qasja e Putinit ndaj Ukrainës nuk është transaksionale, por mesianike. Ai e dëshiron Ukrainën për Rusinë, pikë. Për Putinin dhe rrethin e tij të ngushtë, pavarësia e Ukrainës është një pengesë, dhe ata po punojnë për ta korrigjuar atë.”

Ora 09:18
Liderët e Evropës dhe të BE morën pjesë gjithashtu në telefonatën me Trump

1755328997_donaldtrump.png

Në bisedën telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump pas takimit të tij me Presidentin rus Vladimir Putin, morën pjesë edhe liderë të vendeve të BE-së.

Në bisedë u përfshinë Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministrja italiane Meloni, Presidenti finlandez Alexander Stubb, Presidenti polak Karol Nawrocki, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari Special i SHBA-së Steve Witkoff.

Ora 09:12
Kryeministri britanik bisedë telefonike me Trump dhe Zelenskyn

1755328409_kryeministribritanikstarmer.jpg

Zyra e Kryeministrit britanik në Downing Street ka konfirmuar se Kryeministri Keir Starmer ka zhvilluar biseda telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve të mbajtura në Alaskë me Presidentin rus Vladimir Putin.

Starmer iu bashkua një telefonate këtë mëngjes, së bashku me liderë të tjerë evropianë të vendeve anëtare të NATO-s, ku u diskutua për ecurinë e përpjekjeve diplomatike për paqe në Ukrainë.

Sipas Downing Street, Kryeministri britanik pritet të zhvillojë së shpejti edhe një raund tjetër bisedimesh me liderët evropianë.

Ora 08:57
Donald Trump bisedë të gjatë telefonike me Presidentin Zelensky pas takimit me Putinin

1755327554_donaldtrumpdukedalngaavionipresidencialpasmbrritjesnshba.png

Presidenti Donald Trump zhvilloi një telefonatë të gjatë prej 1 orë e 30 minuta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë fluturimit të tij për në Uashington DC, ka bërë të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Gjatë një deklarate për gazetarët, Leavitt njoftoi gjithashtu se Presidenti Trump është aktualisht në kontakt me liderët e NATO-s, në kuadër të përpjekjeve të tij për të çuar përpara dialogun për paqe në Ukrainë dhe forcimin e bashkëpunimit transatlantik.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u kthye në SHBA rreth orës 08:30 (me kohën tonë). Avioni presidencial Air Force One u ul në pistën e bazës Andrews në Maryland. Pasi doli nga avioni, Donald Trump u fut direkt në makinë dhe nuk bëri asnjë koment për gazetarët që e prisnin aty.

Ora 08:42
As armëpushim dhe as marrëveshje! Momentet kyçe të konferencës për shtyp Trump-Putin pas samitit në Alaskë

1755326708_vladimirputindhedonaldtrumpnkonferencneprbashktprshtypngaalaska.png

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se takimi i tij me Presidentin amerikan Donald Trump ishte një hap i vonuar, por i domosdoshëm për t’i dhënë fund konfrontimit mes dy vendeve dhe për të hapur rrugën drejt dialogut dhe paqes, veçanërisht në lidhje me krizën në Ukrainë.

“Siç dihet, prej më shumë se katër vitesh nuk është mbajtur asnjë samit ruso-amerikan. Është një periudhë shumë e gjatë. Marrëdhëniet dypalëshe kanë kaluar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe, të themi të drejtën, kanë rënë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Kjo nuk është në të mirë të vendeve tona dhe as të botës,” u shpreh Putin.

Tema qëndrore e diskutimit të Putinit ishte situata në Ukrainë.

“Ne shohim dëshirën e administratës amerikane dhe të vetë Presidentit Trump për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit ukrainas, për të kuptuar thelbin e tij dhe për të hyrë në rrënjët e problemit,” tha Putin.

Presidenti rus theksoi se për Rusinë, zhvillimet në Ukrainë përfaqësojnë kërcënime themelore për sigurinë kombëtare.

“Ne gjithmonë e kemi konsideruar popullin ukrainas si vëllazëror, pavarësisht se si mund të tingëllojë kjo në kushtet aktuale. Ndaj gjithçka që ndodh atje për ne është tragjedi dhe dhimbje e madhe,” shtoi ai.

Putin deklaroi se Rusia është sinqerisht e interesuar për t’i dhënë fund luftës, por këmbënguli se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse adresohen të gjitha shkaqet themelore të krizës.

“Të gjitha shqetësimet legjitime të Rusisë duhet të merren parasysh dhe duhet të rivendoset një ekuilibër i drejtë i sigurisë në Europë dhe në botë”.

Ai u shpreh në përputhje me qëndrimin e Trump: “Jam dakord me Presidentin Trump që siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Ne jemi të gatshëm të punojmë në këtë drejtim. Shpresoj që mirëkuptimi që kemi arritur do të na sjellë më pranë këtij objektivi dhe do të hapë rrugën drejt paqes".

Presidenti rus shtoi se pret që Kievi dhe kryeqytetet evropiane “të reagojnë në mënyrë konstruktive” dhe të mos pengojnë përparimin e arritur me Donald Trump.

Putin gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike Rusi-SHBA, duke përmendur potencialin e madh për bashkëpunim në tregti, energji, teknologji të lartë, eksplorimin hapësinor dhe zhvillimet në Arktik.

“Pres që marrëveshjet e sotme të shërbejnë si pikë referimi jo vetëm për zgjidhjen e problemit ukrainas, por edhe për rivendosjen e marrëdhënieve pragmatike dhe të bazuara në interes të përbashkët mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, Putin theksoi marrëdhënien e krijuar me Trump si “të mirë, profesionale dhe të besueshme”, duke shtuar: “Kam çdo arsye të besoj se duke ndjekur këtë rrugë, mund të arrijmë fundin e konfliktit në Ukrainë, sa më shpejt, aq më mirë.”

Ora 08:13
Donald Trump i dorëzon Putinit letrën e bashkëshortes Melania për fëmijët në Ukrainë e Rusi

1755325164_45971.webp

Gjatë samitit në Alaskë, Presidenti amerikan Donald Trump i dorëzoi personalisht Presidentit rus Vladimir Putin një letër nga bashkëshortja e tij, Melania Trump, ku ngrihej shqetësimi për gjendjen e fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi.

Ky episod është bërë i ditur nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Zonja e Parë, e lindur në Slloveni, nuk ishte e pranishme në udhëtimin në Alaskë, por sipas zyrtarëve, letra e saj përmendte rrëmbimet dhe zhvendosjet e fëmijëve gjatë luftës në Ukrainë.

Qeveria në Kiev vlerëson se të paktën 19,500 fëmijë ukrainas janë deportuar dhe zhvendosur me forcë në Rusi ose në territoret e pushtuara nga Rusia që nga fillimi i agresionit në shkurt të vitit 2022.

Çështja e fëmijëve të rrëmbyer mbetet tepër e ndjeshme në Ukrainë, ku shumë besojnë se asnjë marrëveshje paqeje nuk duhet të nënshkruhet pa përfshirë kthimin e të gjithë fëmijëve të rrëmbyer.

Në vitin 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin dhe për komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 16/08/2025 10:39

    Vladimir vladimirovich do të arrestohet shumë shpejt nga CPI

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj: 16/08/2025 09:09

    Samiti i kërkuar nga TRAMPI AMERIKAN në ALASKA hë për hë..DËSHTOI NË FAVOR TË ISH AGJENTIT TË KGB-PUTIN. Kërkesa kryesore për NDALIMIN E GJAKDERDHJES NË UKRAINË NUK U REALIZUA,DUKE INJORUAR UKRAINLN,EUROPËN,MEDJET,BOTËN DEMOKRATIKE.

    Përgjigju
  • Lui: 16/08/2025 08:52

    Ja dhe tallja e rradhës e Putinit me karagjozin Trump. Tani të shohim a do vendosë sanksione të ashpra ndaj Rusisë? Sepse vetë Trump tha që nëse nuk ndalet lufta deri të premten, do vendosen sanskione tepër të rënda kundër Rusisë. Të shohim..(asgjë nuk do ndodhë, lufta vazhdon)!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?