“Jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje”, kështu tha Rama në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS. Ai deklaroi se kanë miratuar planin e veprimit 15 shkurt-15 mars, ndërsa shtoi se sipas parashikimeve në zgjedhjet e ardhshme PS sipas tij do të marrë fitore shembullore.
“Jam këtu me sekretarin e përgjithshëm për të informuar se jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje. Kemi miratuar planin e veprimit për periudhën 15 shkurt 15 mars kur nisin zgjedhjet në të gjithë organizatën tonë politike. Në 16 mars do të rimblidhet Asambleja Kombëtare në Durrës për të parë ecurinë e procesit që do të zhvillohet gjatë këtij muaji e do të rihyjnë në proces për zgjedhje të cilat parashikojnë të përfundojnë në 15 prill.
Nga 15 prilli do të përgatitet procesin e zgjedhjeve me një anëtar e një votë për të zgjedhur delegatët e kongresit në qershor. Kështu që jemi sipas parashikimeve dhe në funksion të objektivit që në zgjedhjet e ardhshme të marrim fitoren më shembullore të të gjithë këtyre proceseve zgjedhore”, shtoi Rama.
-Në shifra mund të flasim se sa janë anëtarësimet e reja?
Kryeministri Edi Rama: Kemi konstatuar me kënaqësi që në këtë proces paraprak kanë marrë pjesë aktivisht mbi 55 mijë anëtarë të Partisë Socialiste. Ka pasur një sërë problematikash të lidhura me organizimin, me komunikimin me të gjithë anëtarët, duke patur parasysh që ka patur lëvizje demografike të brendshme edhe nga brenda-jashtë, edhe nga jashtë-brenda. Kështu që, do të shikojmë në fund të procesit, sepse nuk jemi nxituar me anëtarësimet e reja. Na është dashur të bëjmë njëherë një skanim objektiv të situatës në territor, ndërkohë që ka patur anëtarësime të reja, por nuk ka qenë ky objektivi i kësaj faze.
Ndërkohë që faza e muajit të punës, midis 15 shkurtit dhe marsit, është faza kur do të merremi konkretisht edhe me anëtarësimet e reja sepse tani ky proces do të akselerohet.
Lajmi kryesor:
PS ‘ndez motorët’ për zgjedhjet 2025! Rama mbledh Asamblenë 5 orë me dyer të mbyllura, plani për reformimin e partisë: Duam fitore shembullore
B.K//ReportTv.al