Asnjë sqarim përse çmimi do të shtrenjtohet! Në Durrës, Vlorë dhe Fier, rradhë për vizitat mjekësore të patentës! E pësojnë të moshuarit që duan të vizitohen

28 Shkurt 2023, 12:13| Përditesimi: 28 Shkurt 2023, 13:03

  • Share

Qytetarët rendin të sigurojnë sa më shpejt një çertifikatë mjekësore pranë poliklinikave, dokument i domosdoshëm për pajisjen me patentë apo për rinovimin e saj. 

Report Tv kreu një vëzhgim në Vlorë dhe Durrës, ku vihen re radhë të gjata të qytetarëve që janë alarmuar, pas një marrëveshje të fshehtë të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit dhe Tatimeve për të rritur së shpejti më shumë së dyfish çmimin e patentës.

Ky fluks për të bërë gati letrat shëndetësore dhe për të kapur kurset për patentë me cmimin aktual, ka vështirësuar që shërbimet mjekësore t’i marrin të moshuarit që kanë probleme me shëndetin dhe vizitat nuk i duhen për patentë. 

Në Durrës, qytetarët që nuk arritën të kryejnë të hënën vizitën tek okulisti dhe otojatri janë rikthyer në dyert e poliklinikës që në orën 06:00 të mëngjesit. 

“Kam dy orë që pres, edhe dje isha. I njëjti avaz. Për shkak të rritjes së çmimit kemi ardhur kështu”- u shpreh një prej qytetarëve në Durrës.

Pas qindra qytetarëve të hënën, këtë të martë janë rreth 80 persona në radhë të cilët presin të kryejnë vizitat dhe të pajisen me certifikatën mjekësore me anë të të cilës regjistrohen në autoshkolla apo duan të bëjnë rinovim të lejes së drejtimit.

Në qytetin e Durrësit pavarësisht se numri i qytetarëve në rradhë, paraqitet më i ulët se ditën e djeshme, sërish qindra prej tyre presin në ambientet e jashtme të poliklinikës. Madje njëri prej të moshuarve që ishte në rradhë, ka hipur në ballkonin e poliklinikës dhe kërcënoi se do të hidhej nëse nuk do e lejonin të kalonte.

Po ashtu edhe në Vlorë dhe Fier ka një numër të lartë të qytetarëve të cilët rrinë në rradhë prej ditësh për të marrë dokumentet që u duhen për rinovimin apo nisjen e kurseve që të marrin lejen e drejtimit me një çmim më të lirë nga çfarë është paralajmëruar se do të jetë së shpejti.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?