Kronikë

Atentati me 2 viktima, Proda vlerëson policinë e Shkodrës: Reaguat në mënyrë profesionale

9 Shtator, 14:00| Përditesimi: 9 Shtator, 14:08

  • Share

1757419598_WhatsAppImage20250909at13.58.421.jpeg

Ilir Proda

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka përgëzuar policinë e Shkodrës për reagimin e shpejtë lidhur me atentatin e ndodhur mëngjesin e 8 shtatorit pranë bashkisë së këtij qyteti, ku mbetën të vrarë 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.  Proda vlerëson kapjen në kohë rekord të autorit të atentatit dhe zbulimin e përkrahësve të tij për organizimin e sulmit me armë zjarri. 

“Të nderuar kolegë të Policisë së Shkodrës,

Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj maksimal gjatë këtij 24-orëshi intensiv për Policinë.

Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.

Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.

Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm.

Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura.

Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike",- shprehet Proda.


Lajmi kryesor:

Armiqësia/ ‘Krahu i djathtë’ i Licëve organizoi atentatin ndaj Bajrave në Shkodër! 2 në kërkim, ‘bazë’ municionesh në shtëpinë e hallës së Ibrahim Licit


K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?