Ekonomi

Auditimi/ Baseni i HEC Sasaj u shemb pasi nuk u mirëmbajt nga koncesionari! KLSH kërkon dëmshpërblimin e familjeve të përmbytura dhe shkarkimin e drejtorit të AKBN-së

7 Korrik, 14:47| Përditesimi: 7 Korrik, 15:34

  • Share

Mungesa e investimeve për mirëmbajtjen e hidrocentralit është bërë shkak për përmbytjet e shtëpive dhe bizneseve në fshatin Bunec të Lukovës në janar të këtij viti, pasi u shemb baseni i HEC-it Sasaj.

Ky është konkluzioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit në auditimin e kryer për këtë hidrocentral 5 ditë pasi kishin ndodhur përmbytjet.

“Baseni i presionit të HEC “Sasaj” Sarandë, është dëmtuar si pasojë e mos respektimit të dispozitave ligjore për realizimin e investimeve dhe mirëmbajtjen e tij”, thuhet që në nisje të auditimit.

Më tej KLSH ka evidentuar se kompania koncesionare, “Energo-Sas” në pronësi të ish-deputetit të PD Vasil Gjika, në shkelje të kushteve teknike të kontratës nuk ka siguruar strukturat kryesore veçanërisht të basenit të presionit, dhe për shkak se nuk janë bërë investime për mirëmbajtjen e veprave, ndodhi edhe çarja e basenit.

“Struktura mbajtëse rrethuese e basenit kishte pësuar dëmtim për pasojë derdhje të ujit të depozituar, duke shkaktuar dëme të bimësisë në rrjedhën e malit si dhe në banesa, biznese dhe infrastrukturë. Krahas shembjes së murit të basenit, në pllakën beton arme të bazamentit të basenit kishte një çarje, e cila është shkaktuar kohë më parë. Çarje të tilla vijnë si pasojë e dobësimit të bazamentit, nga i cili krijohen ulje jo të njëtrajtshme, duke bërë që betoni të punojë në përkulje me forcë më të madhe nga ajo e projektuar. Kjo trysni jep ndikim edhe në aftësinë mbajtëse të mureve mbajtëse”, thuhet në auditim.

Këto dëmtime sipas KLSH-së edhe pse ishin konstatuar nga koncesionari nuk u morën masa për të parandaluar këtë ngjarje. Një tjetër shkelje e kësaj kontrate koncesionare është fakti që gjatë verës nuk është lëshuar 15% e sasisë së ujit në lumë ose më shumë duke dëmtuar ndjeshëm bimësinë.

“Në mënyrë më të theksuar gjatë vitit 2022, nga ana e koncesionarit nuk është lëshuar sasia e ujit ekologjik në rrjedhën e lumit ekzistues, duke krijuar pasoja për mjedisin, por edhe për banorët e zonës, nga mungesa e ujit për ujitje”, vijon KLSH.

Po ashtu KLSH thekson se edhe roli monitorues i AKBN-së nuk ka qenë i mjaftueshëm.

“Nga ana e AKBN-së nuk janë realizuar monitorime të mjaftueshme për HEC Sasaj, por dhe për HEC-eve të tjerë. Mungesa e monitorimeve ka lidhje me mos respektimin nga ana e koncesionarëve të marrëveshjeve përkatëse për paraqitje dokumentacioni në mënyrë periodike, si dhe me mangësi në inspektimet që realizohen në këto HEC-e nga ana e AKBN-së”, vijon auditimi.

Për këtë arsye KLSH ka kërkuar shkarkim nga detyra të drejtorit të AKBN-së Erlind Sulo si dhe të drejtorit të monitorimit në AKBN. Po ashtu i kërkohet AKBN-së dhe Bashkisë Himarë të marrin masa për dëmshpërblimin e familjeve dhe bizneseve të dëmtuara.

Uji i hidrocentralit përfshiu orendi shtëpiake, pajisje elektrike, karrige dhe mobilie, duke i marrë me vete ose duke i bërë të papërdorshme. Baret, restorantet e dyqanet përbri rrugës nacionale Vlorë-Sarandë, që për shumë familje janë burimi kryesor i të ardhurave u shkatërruan pothuajse plotësisht. Pemët frutore dhe ato dekorative, që dikur zbukuronin Bunecin u shkulën nga rrënjët.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?