Kultura

Auron Tare denoncon ndërtimin e një lavazhi në hyrje të Shpellës së Spilesë në Himarë, DRTK e mohon: Objekt ekzistues, nuk cënon monumentin

25 Gusht, 16:38| Përditesimi: 25 Gusht, 17:15

  • Share

Studiuesi Auron Tare ka denoncuar në rrjetet sociale ndërtimin e një lavazhi automjetesh pranë Shpellës së Spilesë në qendër të Himarës, monument kulture.

“Imagjinojeni në një shtet tjetër një mrekulli të tillë ku historia e Homerit tregohet ende nga banorët. Sa e rëndësishme do ishte për trashëgiminë e zonës por edhe për turizmin kulturor, shkruan Tare.

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë thanë për Report Tv se nuk bëhet fjalë për një ndërtim të ri, por për një objekt ekzistues, që nuk cënon monumentin pasi gjendet disa metra larg shpellës.

“Objekti ndodhet prej vitesh aty dhe nuk prek Shpellën e Spilesë,” u shpreh zyrtari i DRTK, në bisedë telefonike.

Shpella e Spilesë është shpellë karstike, me thellësi mbi 30 metra, hyrje rreth 8 metra të gjerë dhe 7 metra të lartë, ndodhur rreth 100 metra nga vija bregdetare. Mitologjia e lidh me Odisenë e Homerit, ku Uliksi shpëtoi nga Ciklopi Polifem.

Statusi i plotë i Auron Tares në Facebook:

Një qytetar i Himarës ka postuar një video nga Shpella e Spilesë. Një Monument Kulture i Shpallur i tillë që në vitin 1963.

Ka disa rrëfenja interesante kjo Shpellë më e bukura sigurisht është ajo me Uliksin e Homerit. Sipas rrëfenjave të himariotëve të vjetër këtu jetonte Polifemi me një sy.

Ishte këtu ndodhia e Uliksit/Odhisesë ku heroi i Trojës mundi të shpëtonte nga Polifemi duke u kapur pas deleve të tij dhe arriti të dilte nga Shpella.

Në vitet '70 një ekspeditë modeste arkeologjike gjeti sasi të konsiderueshme qeramike duke konfirmuar rëndësinë e saj. Imagjinojeni në një shtet tjetër një mrekulli të tillë ku historia e Homerit tregohet ende nga banorët. Sa e rëndësishme do të ishte për trashëgiminë e zonës por edhe për turizmin kulturor.

Në fakt vetë Bashkia e Himarës në sitin e saj zyrtar citon rëndësinë e madhe kulturore të kësaj Shpelle. Ndërkohë pamjet flasin vetë.

(Në foto lavazhi i denoncuar nga Auron Tare)

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?