Avokati Saimir Visha konsideron shkaktar të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja Reformën në Drejtësi, për të cilën thotë se ka dështuar.
Në një intervistë për emisionin Frontline në Report Tv, avokati Visha theksoi se Reforma në Drejtësi ka prodhuar numër të lartë dosjesh nëpër gjykata, e rrjedhimisht vonesa në dhënien e vendimit.
“Nëse kjo sagë ka filluar prej 15 vitesh, këtu nuk ka lidhje siguria e gjyqtarit, por ka lidhje reforma në drejtësi. Vrasja tregoi që kjo reformë ka dështuar, është reforma ajo që vrau gjyqtarin. Është vrarë sistemi i drejtësisë, është vrarë pushteti gjyqësor. Nuk e vrau ky autor, e vramë të gjithë ne që heshtëm, jemi fajtorë e gjithë shoqëria. Kemi 9 vite që kemi ngritur zërin dhe askush nuk na dëgjon me vonesa e zbardhjen e vendimit, nuk mund të kishte rrugëdalje tjetër, përveç këtij fundi tragjik. Me vdekje e këtij gjyqtari ka rënë kambanë që me këtë reformë në drejtësi duhet të mblidhen ekspertët për një rrugëdalje. Nuk ka mundësi që në një çështje civile të ngritur në 2010, vendimi të jepet në 2025. Na konsideruan vend eksperimental, boshatisën gjykatat, këtë fund do kishim. Vendimi nuk jepet në emër të Astrit Kalasë, jepet në emër të Republikës. Shteti këtu ka vdekur ose është vrarë”.
Saimir Visha kërkon ndërhyrjen e shtetit përmes ekspertëve që të ulet numri i stokut të dosjeve, si dhe të hiqet ligji për Shkollën e Magjistraturës me qëllim që të rritet numri i gjykatësve.
“Ajo që shteti duhet të ndërhyjë, të ulë dosjet nëpër gjykata. Të shkrijë KLGJ, KLP, që marrin rroga të majme dhe nuk kryejnë asnjë funksion. Janë punësuar nga 50-70 veta dhe kanë rrogat që nuk justifikojnë. Kryesorja për mua është të hiqet ligji për t’u bërë magjistratë vetëm me shkollë magjistrature, të hiqet për të rritur numrin e gjykatësve, prokurorëve. E vetmja gjë që kjo reformë ceku ishte korrupsioni. E minimizoi , por na solli vonesa në vendimmarrje sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”, theksoi Saimir Visha.
Lajmi kryesor:
Vrasja e gjyqtarit/ Avokati Saimir Visha: Fisi Shkambi ka vepruar si grup kriminal! Autori i ka ‘çelësat në det’, nuk shpëton nga burgu përjetë
V.GJ /I.M/ReportTv.al
