Kronikë

Vrasja e gjyqtarit/ Avokati Saimir Visha: Fisi Shkambi ka vepruar si grup kriminal! Autori i ka ‘çelësat në det’, nuk shpëton nga burgu përjetë

7 Tetor, 16:03| Përditesimi: 7 Tetor, 17:34

  • Share

Avokati Saimir Visha e konsideron ngjarje tepër të rëndë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës.

Në një lidhje live nga SHBA për emisionin “Frontline” në Report Tv me gazetaren Marsela Karapanço, avokati Visha theksoi se pavarësisht që e vrau Elvis Shkambi, ky fis, sipas tij, ka vepruar si grup kriminal pasi mund të kenë nxitur autorin.

Avokati e konsideron të papranueshme ngjarjen, duke thënë se gjykatësi nuk mund të preket në asnjë rrethanë, por palët e pakënaqura nga vendimi mund të vijojnë çështjen në një tjetër shkallë të gjyqësorit.

Sa i përket autorit Elvis Shkambi, avokati Saimir Visha shprehet se nuk i shpëton dot burgimit të përjetshëm me aktin që ka kryer.

“Ne si Shoqatë e Avokatëve Penalistë jemi të shqetësuar. Nuk është ngjarje e rëndë, është ngjarje e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që me shpalljen e vendimit, gjykatësi të vritet. Gjykatësi është i plotfuqishëm, nëse dikujt nuk i plotësohet interesi në bazë të vendimit të gjykatës, t’i drejtohet një gjykate tjetër, por jo të veprojë forca e kanunit. Të vijë nga Shkodra për të vrarë në Tiranë, kjo është çmenduri që kalon çdo lloj limit njerëzor. Pavarësisht se janë brenda të njëjtit fis, kanë vepruar si një grup kriminal, që nga nxitja, kjo është marrëveshje brenda fisit të tyre, kanë apo s’kanë të drejtë këtu nuk mund ta zgjidhë arma, mund ta zgjidhë ligji por në kohën e duhur. Astrit Kalaja, miku im, është vrarë në rrethana cilësuese. Ai ka burgim të përjetshëm, i ka hedhur çelësat në det, nuk ka as gjykim të shkurtuar. Është një çështje tepër e vështirë, komplekse dhe shpejt e zgjidhshme”, u shpreh avokati Saimir Visha.

Ora 16:46
Konfliktet pronësore, avokati Visha: Duhet të shfuqizohet ligji vrastar 7501 që të zgjidhet çështja e pronave në Shqipëri

 

Avokati Saimir Visha thotë se problemet dhe konfliktet për pronat në Shqipëri do të marrin fund kur të hiqet apo të shfuqizohet ligji 7501.

Në një intervistë për emisionin Frontline në Report Tv, avokati Visha u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka në Kushtetutë se çfarë është e drejta e pronës.

“Pa shfuqizuar ligjin 7501, ka shumë probleme. Nuk kemi në Kushtetutë çfarë është e drejta e pronës. Tek ne dy dëshmitarë janë bërë pronarë të një prone. Çështja e pronave në Shqipëri, sidomos me daljen e ligjit vrastar 7501, nuk mund të zgjidhet. Nuk ka juristë në botë që ta zgjidhë një çështje për t’i dhënë pronën dikujt që nuk e ka, ndërkohë që tjetri që e ka një pronë të trashëguar zhvishet”, tha avokati Saimir Visha.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja një ditë më parë brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u krye nga një prej palëve në proces për gjyqin e një prone në Shkodër.

Ora 16:35
‘Policia s’ka përgjegjësi për sigurinë në gjykata’, avokati Visha: Të dorëhiqet ministrja e Brendshme, deklarata e saj e papërgjegjshme

 

Avokati Saimir Visha kërkon dorëheqjen e ministres së Brendshme Albana Koçiu, pas deklaratës që bëri kjo e fundit ditën e djeshme për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Në një intervistë për emisionin Frontline në Report Tv, avokati Visha theksoi se sigurinë dhe rendin në gjykata duhet ta garantojë Policia e Shtetit.

“Nuk mundet një pushtet ekzekutiv e përfaqësuar nga një ministre e Brendshme të thotë nuk ka Ministria e Brendshme përgjegjësi. Ministrja e Brendshme duhet të largohet një orë e më parë, drejtori i policisë duhet të largohet. Ministrja e Brendshme duhet të largohet me atë deklaratë që ka bërë. Nuk mund të thotë që ne institucioni që ruajmë rendin, nuk ka përgjegjësi. Po kush e ka përgjegjësinë? Kjo ministre e Brendshme është e papërgjegjshme me atë deklaratë që ka bërë”, tha avokati.

Ministrja e Punëve të Brendshme sqaroi një ditë më parë në reagimin e saj se “Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave”.

Ora 16:16
Avokati Saimir Visha: Gjyqtarin Astrit Kalaja ‘e vrau’ Reforma në Drejtësi, janë rritur dosjet, ka vonesa në vendimmarrje

 

Avokati Saimir Visha konsideron shkaktar të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja Reformën në Drejtësi, për të cilën thotë se ka dështuar.

Në një intervistë për emisionin Frontline në Report Tv, avokati Visha theksoi se Reforma në Drejtësi ka prodhuar numër të lartë dosjesh nëpër gjykata, e rrjedhimisht vonesa në dhënien e vendimit.

“Nëse kjo sagë ka filluar prej 15 vitesh, këtu nuk ka lidhje siguria e gjyqtarit, por ka lidhje reforma në drejtësi. Vrasja tregoi që kjo reformë ka dështuar, është reforma ajo që vrau gjyqtarin. Është vrarë sistemi i drejtësisë, është vrarë pushteti gjyqësor. Nuk e vrau ky autor, e vramë të gjithë ne që heshtëm, jemi fajtorë e gjithë shoqëria. Kemi 9 vite që kemi ngritur zërin dhe askush nuk na dëgjon me vonesa e zbardhjen e vendimit, nuk mund të kishte rrugëdalje tjetër, përveç këtij fundi tragjik. Me vdekje e këtij gjyqtari ka rënë kambanë që me këtë reformë në drejtësi duhet të mblidhen ekspertët për një rrugëdalje. Nuk ka mundësi që në një çështje civile të ngritur në 2010, vendimi të jepet në 2025. Na konsideruan vend eksperimental, boshatisën gjykatat, këtë fund do kishim. Vendimi nuk jepet në emër të Astrit Kalasë, jepet në emër të Republikës. Shteti këtu ka vdekur ose është vrarë”.

Saimir Visha kërkon ndërhyrjen e shtetit përmes ekspertëve që të ulet numri i stokut të dosjeve, si dhe të hiqet ligji për Shkollën e Magjistraturës me qëllim që të rritet numri i gjykatësve.

“Ajo që shteti duhet të ndërhyjë, të ulë dosjet nëpër gjykata. Të shkrijë KLGJ, KLP, që marrin rroga të majme dhe nuk kryejnë asnjë funksion. Janë punësuar nga 50-70 veta dhe kanë rrogat që nuk justifikojnë. Kryesorja për mua është të hiqet ligji për t’u bërë magjistratë vetëm me shkollë magjistrature, të hiqet për të rritur numrin e gjykatësve, prokurorëve. E vetmja gjë që kjo reformë ceku ishte korrupsioni. E minimizoi , por na solli vonesa në vendimmarrje sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”, theksoi Saimir Visha.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?