VLORË- Edhe pse jemi futur pothuajse në pikun e sezonit turistik problematikat që has turizmi në vend mbeten të dukshme. Një nga këto pika për të cilat diskutohet vazhdimisht është edhe infrastruktura e munguar e cila do të ishte një kthesë për turizmin drejt një turizmi elitar. I ftuar në emisionin e mëngjesit Wake Up, Mirdaim Axhami, Përgjegjës i Departamentit të Marketingut dhe Turizmit, pranë Fakultetit Ekonomik u shpreh se sytë tashmë duhet të kthehen nga këto problematika pasi në vendin tonë mungon një lidhje që bëhet me portet, aeroportet dhe hotelet.
Kjo lidhje do të sillte edhe më shumë turistë të huaj. Sipas tij ne kemi projekte që janë lançuar nga qeveria por ende nuk i dimë se kur do të përfundojnë ato, si tuneli i Llogarasë apo porti i Vlorës. Axhami theksoi se në vend na mungojnë portet turistike dhe ndërtimi i tyre do të sillte të ardhura për ekonominë shqiptare dhe zhvillim të turizmit duke krijuar lehtësira për turistët e huaj si dhe tuneli i Llogarasë do të shkurtonte shumë distancat.
Axhami theksoi se në bregdet duhet të synohet ndërtimi i komplekseve rezidenciale duke ndjekur shembullin e vendeve fqinje si dhe qeveria duhet të mbështesë me infrastrukturë investitorët e këtyre projekteve të cilët paguajnë taksat për infrastrukturë por këtë të fundit nuk e kanë.
Turizmi në vend mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për të ardhurat që gjeneron prandaj shpesh kërkohet edhe më shumë vëmendje për ta përmirësuar duke synuar kthimin e tij nga një turizëm veror në gjatë gjithë vitit.