Politikë

Begaj mandaton Ramën për formimin e qeverisë së re: Do ushtrojë përgjegjësinë për ngritjen e funksionimin e 'ministres' AI! PD: Antikushtetuese (DEKRETI)

12 Shtator, 11:07| Përditesimi: 12 Shtator, 17:01

  • Share

Një ditë pasi shpalli publikisht kabinetin e tij qeveritar, në mesditë shefi i mazhorancës, Edi Rama mbërriti në Presidencë. Kreu i shtetit Bajram Begaj e priti në hyrjen e institucionit, për t’i dhënë besimin për formimin e qeverisë.

Një shtrëngim duarsh në derën e Presidencës e më tej një rrahje shpatullash. Rama dhe Begaj u takuan kokë më kokë në sallën e pritjeve, takim që zgjati rreth 1 orë e 20 minuta. 

Ky është momenti për t’i dorëzuar dekretin për emërimin kryeministër. Neni 2 i këtij dekreti i cili hyn në fuqi menjëherë, reflekton atë që Rama zgjodhi të bëjë për herë të parë,  jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe atë botërore, një ministër virtual.

“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”, citohet në dekretin e Begaj.

Ky dekret solli reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila përmes Gazment Bardhit e quan antikushtetues dhe qesharak. 

"Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja "Diella"?! Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë”, shkruan Bardhi.

Dekreti i Presidentit Begaj

 

Mandatimi si kryeministër i hap rrugën Edi Ramës, të formojë qeverinë e re në mandatin e tij të katër, emrat e së cilës i shpalli një më një nga Asambleja e PS-së në Pallatin e Kongreseve të enjten. Presidenti Bajram Begaj më tej do të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat.

Së pari qeveria duhet të marrë votëbesimin në Parlament në ditët e ardhshme, e më pas do të zhvillohet ceremonia e betimit në Presidencë. Me kureshtje, pritet të shihet se si do të betohet “Diella”.

Përveç 'ministres' virtuale të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që kreu i qeverisë tha se do të merret me proceset qeverisëse dhe më tej edhe me procedurat e prokurimit publik, Rama shpalli 16 ministra, ku spikati Albana Koçiu si e para grua në krye të Ministrisë së Brendshme. Elisa Spiropali rikthehet në kabinet, 6 janë ministra për herë të parë, 5 rikonfirmohen në të njëjtat dikastere, ndërsa 4 lëvizin në ministri të ristrukturuara.

Ora 14:08
Presidenca: Begaj dekretoi vetëm Ramën si Kryeministër, asnjë ministër

1757679068_1755090946presidenca.jpg

Presidenca ka reaguar në lidhje me dekretimin e Kryeministrit Edi Rama ditën e sotme, i cili ka dhe përgjegjësinë për të ngritur Ministrinë IA.

Në një reagim për mediat, Presidenca sqaron se Bajram Begaj nuk ka dekretuar asnjë ministër sot, përveç Kryeministrit Edi Rama.

Në Dekretin për Ramën, në nenin 2, sqarohet edhe që Kryeministri do të ushtrojë edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrisë Virtuale të Inteligjencës Artificiale “Diella”.

Ndërkohë, sqaron Presidenca, ministrat e qeverisë do të betohen ditë të tjerë.

Reagimi i Presidencës:

Sot Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin. Ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme.

Baza kushtetuese e dekretit ndodhet në rreshtin hyrës të tij.

Dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje.

Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim.

Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene.

Ora 13:28
Begaj mandaton Ramën për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale, Bardhi: Qesharake dhe antikushtetuese

1756491647_WhatsAppImage20240923at13.49.181024x7822.jpeg

Për Gazment Bardhin, vendimi i presidentit Bajram Begaj për të mandatuar kryeministrin Edi Rama për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale Diella është qesharake dhe antikushtetuese. Në një reagim në rrjete sociale, kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se një vendim i tillë bie ndesh gjithashtu me Kushtetutën, teksa përmend edhe nenet përkatëse.

“Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual "Diella", përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues. Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës.

Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja "Diella"?!

Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë.”. ka shkruar Bardhi.

Postimi i Bardhit 
SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aldon: 12/09/2025 15:25

    Presidenti qe ka dekretuar nje robot minister faktikisht ka konsumuar nje akt antikushtetues per te cilin duhet te marre pergjegjesi dhe te shkarkohet mundesisht sa me pare. Kushtetuta parashikon qarte se cilat jane parametrat per te qene minister. E para duhet te jesh human, as robot as kafshe e as kufome e ndonje njeriu te vdekur. Pastaj cilesimet e tjera. Neser edi rama mund ti paraqitet ketij me nje liste te vdekurish apo kafshesh ... Si do veproje barjami

    Përgjigju
  • Aldo: 12/09/2025 14:19

    I madh i Gjati me kete palo president tall me nder me thene (pr...), o sa shtet rrumpalle qe eshte e shkreta Shqiperi

    Përgjigju
  • lexues: 12/09/2025 14:10

    ijnoranca natyrale propozon inteligjence artificiale, 80% e njerezve jane analfabete perse e kemi ne kaq te nevojshme kete AI

    Përgjigju
  • Joti: 12/09/2025 13:28

    Juridikisht cfare vlere ka?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?