Muzikantë të njohur, por edhe të rinj, të cilët interpretojnë xhaz janë pjesë e edicionit të pestë të “Balkan Jazz Showcase 2025” që po mbahet nga 25 shtatori deri në 28 shtator. Ky organizim muzikor, i vetmi i këtij lloji në hapësirën ballkanike është i fokusuar totalisht tek artistët dhe Jazz-i ballkanik. Krahas promovimit të muzikës së artistëve të njohur të rajonit, një ndër qëllimet kryesore është edhe krijimi i hapësirave për muzikantët e rinj.
“Pavarësisht se vijnë edhe muzikantë nga vende të tjera, ne jemi të fokusuar tek muzikantët e Ballkanit dhe sidomos te muzikantët e rinj. Ky edicion si risi ka një pjesëmarrje më të gjerë të muzikantëve shqiptarë. Pra, këtë vit nuk kemi një pjesëmarrës, një grup pjesëmarrës apo një projekt pjesëmarrës nga muzikantët shqiptarë, por janë tre projekte pjesëmarrëse.”, - thotë për "Report TV" Gent Rushi, drejtor artistik i festivalit.
Andi Kongo e Emilian Dhimo Art Band me studentë të Universitetit të Arteve të degës së Xhezit dhe Just Trio, një trio xhezi e muzikantit shumë të talentuar Roni Gjura me Emilian Dhimon dhe Gent Shahini do të interpretojnë gjatë festivalit.
Një bashkëpunim që ia vlen të përmendet është ai midis muzikantëve italianë dhe shqiptarë që quhet “Adriatic Jezz Ensemble” me muzikantë italianë si Roberto Zechini, Luca Di Batista dhe Lorenzo Scipioni, të cilët kanë interpretuar gjatë natës së parë të festivalit në teatrin “Petro Marko” në Vlorë e që do të interpretojnë edhe këtë të premte në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve.
Gjatë ditëve të festivalit do të ketë artistë pjesëmarrës edhe nga Greqia, Turqia e Maqedonia e Veriut.
Komente
