Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Soclialiste Taulant Balla dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, do të vijojnë që të jenë në detyrë edhe në mandatin e tretë qeverisës të PS-së. Kështu bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me deputetët e rinj dhë të vjetër ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve.
'Sot është dita për t’i falënderuar posaçërisht të gjithë deputetët dhe të gjitha deputetet e legjislaturës që sapo mbaroi, drejtuesit dhe drejtueset e komisioneve parlamentare, anëtarët e Kryesisë së Grupit dhe posaçërisht kryetarin e Grupit tonë Parlamentar, si dhe ministren tonë të Marrëdhënieve me Parlamentin. Taulanti ka punuar me përkushtim, duke drejtuar grupin me aftësi dhe me këmbëngulje të spikatur, për hir të vërtetës, edhe në ditë tejet të vështira. E po ashtu, edhe Elisa ka qenë e përkushtuar në rolin e saj aspak të lehtë, duke lehtësuar punën e qeverisë me parlamentin, si dhe duke përfaqësuar qeverinë me aftësi dhe me efikasitet në debatet parlamentare. Prandaj besoj që të dy meritojnë një falenderim të veçantë, së bashku me konfirmimin e tyre në detyrë për mandatin e tretë. Do ta kenë të plotë mbështetjen tonë, për ta çuar në një nivel tjetër performancën e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, në funksion të qasjes së re për të cilën u përpoqa të flas më lart.'- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Mandati i 3, Rama konfirmon Ballën dhe Spiropalin: Do vijojnë në të njëjtat poste! Nisim punën për fitoren e zgjedhjeve vendore 2023 dhe parlamentare 2025
M.Q./ReportTv.al