Deputeti i ardhshëm i PD-së në Kuvend, Klevis Balliu bëri thirrje për qëndresë opozitare në këtë betejë të nisur gjatë protestës së sotme, duke pretenduar vjedhjen e votës së lirë nga pushteti i Edi Ramës.
Ai i bëri thirrje edhe liderët europianë që të mos takohen me një “narkokryeministër”.
“Protestojmë për votën dhe zgjedhje të lira. Uroj që liderët europianë që kanë ardhur sot këtu të mos sëmuren, se ky është vendi pa ilaçe. Ne protestojmë për votën e lirë dhe mbrojtjen e saj. Nëse qeveria e bandave vazhdon kështu, këtu do mbeten vetëm Sara Milet e qeverisë dhe vendi do braktiset. Sot Shqipëria është e varfër, pa ilaçe sepse kryeministri është Rama. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e qytetarëve, t’i qëndrojmë besnikë detyrës tonë për liri dhe demokraci (afrohuni këtu, ju lutem afrohuni këtu, mos u merrni me mediat e kapura)”, tha ai teksa ndërpreu fjalën për shkak të tensioneve që vijonin mes protestuesve dhe agresionit të tyre ndaj mediave të pranishme.
Balliu apeloi që protestuesit të mblidheshin dhe të mos merreshin me dy gazetarët me të cilët u përplasën për disa minuta.
“Nuk e kemi betejën me dy gazetarë, e kemi me Edi Ramën, me pushtetin, me ata që vjedhin e bandat kriminale. Jemi në një vend ku s’ka ilaçe, ku nuk shërohet kanceri, ku ka varfëri, ku shkollat janë pa fëmijë. Liderët europianë duhet ta dinë se takuan narkodiktatorin e Europës. Ai që keni në krah sot e urren dhe e sulmon demokracinë dhe vlerat perëndimore. Vlerat perëndimorë i përfaqësojnë këta qytetarë që vijnë këtu për të mbrojtur votën, këta duhet të takoni. Të gjithë ata që mendohen se opozita do gjunjëzohet përballë bandave të Ramës e kanë shumë gabim, edhe që PD të gjunjëzohet para bandave të Ramës e kanë gabim, as qytetarët nuk gjunjëzohen e dorëzohen, e kanë gabim, ne do qëndrojmë, e kemi faktuar se s’lodhemi për të luftuar për demokraci”, tha ai.
Në fund Balliu bëri thirrje për të vazhduar betejën deri në largimin e Ramës.
“Kujtoni se si narkopushteti dhe narkoanalistët bënte thirrje që të mos shkonim kot të Rruga e Shpresës për 333 ditë, por siç kemi rezistuar më parë, do e fitojmë edhe këtë betejë. Lufta me Ramën nuk është politike, por patriotike. Ne do protestojmë derisa të largohet Edi Rama”, përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
PD protestë ditën e samitit/ Berisha vjen nga Brukseli: 11 maji masakër elektorale! Mblidhen vetëm një grusht militantësh! PAMJET ME DRON
A.Q/ReportTv.al
