Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku ka inspektuar punimet për ndërtimin e aksit rrugor Orikum-Dukat, ku janë realizuar deri më tani 34% e punimeve. Përdoruesit e rrugës tha Balluku, do të kenë një anë të rrugës të asfaltuar dhe po merren masat për të mos krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit veror.
“Në këto momente jemi duke ecur shpejt për të mbyllur me shtresën e konglomeratit deri në fillimin e pjesës së gjurmës së re, që siç the, ndjek gjurmën e lumit, pra shtratin e lumit. Të gjitha këto së bashku, pra bypassi i Vlorës, pjesa e gjurmës që ne po inspektojmë sot edhe ai bypassimi i vogël që kemi bërë në hyrje të tubave të tunelit, do të jenë të gjitha gati për të qenë në përdorim të qytetarëve dhe të vizitorëve të jugut duke filluar nga java e parë e korrikut”, u shpreh Balluku.
Po përfitohet nga koha para se të shtohet fluski i vizitorëve në jug dhe punimet do të përqendrohen te gjurma e re.
“Nuk duhet të harrojmë që në sezonin e verës ne kemi problematikën e trafikut të rënduar dhe sigurisht nuk duam që të shqetësojmë të gjithë shoferët edhe të gjithë vizitorët. Kështu që gjatë sezonit veror përsa i përket kësaj vepre do të punohet vetëm në gjurmën e re, pra vetëm në ndjekjen e shtratit të lumit edhe në 3 kantieret e tjera që janë funksionale”, nënvizoi Balluku.
I pranishëm në inspektim ishte edhe kreu i ARRSH Evis Berberi i cili bëri të ditur detaje sa i takon ritmit të punimeve.
“Jemi duke punuar paralelisht në 4 fronte, pasi për përshpejtim punimesh kemi zgjedhur që ta ndajmë këtë segment në katër segmente më të vogla, në mënyrë të tillë që të punojmë paralelisht në disa fronte. Kemi pasur tipologji të ndryshme punimesh. Deri më tani kemi arritur në 34% të punimeve të ndërtimit të kësaj kontrate. Parashikimet janë të mira. Jemi duke ecur me ritme të kënaqshme dhe besojmë që për sezonin veror do të kemi të paktën kilometrat e para të asfaltuara deri në daljen e kthesës së gjurmës së re”, deklaroi Berberi.
Bypass i Vlorës dhe aksi Orikum-Dukat dhe bypassimi i vogël i bërë në hyrje të tubave të tunelit do të përfundojnë në javën e parë të Korrikut.