Komiteti Disiplinor i FIFA-s e ka ndëshkuar Federatën e Futbollit të Serbisë me një gjobë prej 50 mijë frangash dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (25% e vendeve të mbyllura) në ndeshjen e radhës zyrtare të FIFA-s që do të luhet në nivelin “A” nga kombëtarja e saj për meshkuj për shkelje të neneve 13 (Diskriminimi) dhe 12 (Sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe thirrjet fyese nga mbështetësit serbë dhe sjelljen e keqe të ekipit (sanksione individuale për shtatë lojtarë) gjatë ndeshjes Serbi - Zvicrës në Kupën e Botës. Kujtojmë se në dhomat e zhveshjes së serbëve u shfaq harta e Kosovës me ngjyrat serbe. Veç saj, edhe fyerjet e serbëve kundër Xhakës dhe Shaqirit (Zvicra) kanë bërë që sanksionet të jenë edhe për tifozët.
Në lidhje me këtë gjest të shëmtuar të serbëve që e quanin Kosovën pjesë të tyre, FIFA vendosi nën hetim kombëtaren ballkanase edhe pas ankesës së Federatës së Fubollit në Kosovë. FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë "gjestet, shenjat ose gjuhën fyese" dhe "përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive".
Në ndeshjen Serbi - Zvicër, trajneri serb Dragan Stojkoviç ka kryer veprime raciste në fushë, teksa është parë që pas golit të dytë të Serbisë të festojë duke sharë shqiptarët. Por festa nuk i zgjati shumë, pasi Zvicra shënoi sërish duke dërguar kështu Stojkoviç dhe serbët tjerë në shtëpi.
"Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar në FIFA ndaj fyerjes së rëndë të trajnerit të Përfaqësueses së Serbisë dhe veprimeve raciste të tifozëve serbë në ndeshjen e Kupës së Botës, Zvicër – Serbi, e zhvilluar më 2 dhjetor. Shfaqja e slloganeve me mesazhe politike dhe thirrjet raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan po thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe për to raportuan edhe mediat botërore. Është e pakuptimtë dhe absurde urrejtja me të cilën është ushqyer ndër vite opinioni në shtetin fqinj ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, në vend se të angazhoheshin për dorën e pajtimit dhe të kërkimfaljes", thuhej në ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës.