Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Ekonomi

‘Inflacioni vijon rënien’, BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit, mbetet 2.75%! Sejko: Tensionet tregtare të huaja, rrezik për ekonominë

5 Shkurt, 17:05| Përditesimi: 5 Shkurt, 17:52

  • Share

TIRANË - Ekonomia e Shqipërisë po vijon të rritet, duke u shoqëruar me më shumë punësim, paga më të larta, inflacion më të ulët e bilance financiare pozitive si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. 

“Rritja e ekonomisë është shoqëruar me rritje të punësimit, të pagave dhe të vëllimit të shitjeve të biznesit, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset e familjet shqiptare. Në të njëjtën kohë, nivelet e ulëta të inflacionit kanë rritur fuqinë blerëse të këtyre të ardhurave dhe kanë incentivuar investimet e sektorit privat. Krahas këtyre faktorëve, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur edhe nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, si dhe nga ambienti stimulues financiar”, tha Sejko.

Për këto arsye Këshillit Mbikëqyrës e Bankës së Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%. 

“Vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste”, pohoi guvernatori.

Përtej optimizmit aktual, në konferencë për mediat guvernatori Gent Sejko është shprehur se e ardhmja është bërë më e pasiguritë, duke ju referuar tensioneve tregtare të javëve të fundit për shkak të politikave që po ndjek presidenti i SHBA Donald Trump.  

“Pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj. Vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti”, tha Sejko.

Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, Sejko tha se janë miratuar ulja e normave të interesit për kreditë konsumatorë dhe për konsumatorët. 

“Ndryshimet rregullative kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të normës se interesit për kreditë konsumatore nga institucionet bankare dhe jo bankare dhe gjithashtu për një kufizim të komisioneve për këto kredi”, tha Sejko.

Sa i takon luhatjeve të kursit të këmbimit ku euro u rrit deri në 100 lekë, Sejko tha se ndikim në treg kanë pasur edhe shpenzimet e shtuara të qeverisë. Më tej guvernatori deklaroi se vetëm vitin e shkuar për të rritur rezervën valutore dhe për të stabilizuar kursin e këmbimit janë blerë 1 miliardë euro.

Ora 17:19
Sejko: Miratohet ulja e interesit dhe komisionet për Kreditë Konsumatore

1738772092_gentsejko.jpg

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa ndryshime për kreditë konsumatore. Siç bëri me dije guvernatori Sejko në konferencën e sotme me gazetarët, BSH ka ulur normat e interest e komisionet për kreditë konsumatore.

Këto ndryshime, të cilat shtojnë kërkesat për mbrojtjen e konsumatorëve, vijnë si reagim i Bankës së Shqipërisë me qëllim reduktimin e mëtejshëm të kostove të huamarrjes për kreditë konsumatore dhe rritjen e transparencës ndaj tyre, veçanërisht për subjektet financiare jobanka.

Sejko tha se janë miratuar ulja e normave të interesit për kreditë konsumatorë dhe për konsumatorët.

“Ndryshimet rregullative kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të normës se interesit për kreditë konsumatore nga institucionet bankare dhe jo bankare dhe gjithashtu për një kufizim të komisioneve për këto kredi”, tha Sejko.

Më konkretisht, BSH shprehet se ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” konsistojnë në reduktimin e kostove të ngarkuara konsumatorit në kontratat e kredisë konsumatore me këste, kryesisht në vlera të vogla. Ndryshimet rishikojnë metodologjinë e Bankës së Shqipërisë për përllogaritjen e NEI-t maksimal për kategorinë e kredisë konsumatore me këste në fashën 0-200.000 lekë, që pritet të rezultojë në një NEI maksimal më të ulët për këtë kategori. Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve është edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.

Nga ana tjetër, ndryshimet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” synojnë rritjen e transparencës ndaj konsumatorëve që në fazën e reklamimit të produkteve e shërbimeve për këta të fundit, nëpërmjet standardizimit të kërkesave për institucionet financiare, dhe duke dalluar sipas tipologjisë së produktit apo shërbimit që po reklamohet. Ndryshimet konsistojnë në parashikimin e elementeve që duhet të përmbajë reklama, sipas produktit që po reklamohet, formave të komunikimit me konsumatorët, si dhe masave që mund të marrë Banka e Shqipërisë për ndalimin apo korrigjimin e reklamës, nëse konstaton shkelje të rregullores.

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?