Me një vendim të marrë në përfundim të mbledhjes online të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat e nivelit të dytë.
Në bazë të këtij vendimi pezullohet deri në fund të muajit qershor 2020 shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, të fitimit të realizuar në vitin 2019 si dhe të fitimit që do të realizohet përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020. Kjo masë synon për të mbështetur kredidhënien e bankave për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe të pandemisë.
Nga ana tjëetër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi uljen me 50% të honorareve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe pagave të Administratorëve e Drejtorëve të Bankës së Shqipërisë, për periudhën e zgjatjes së epidemisë së koronavirusit, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekura.
Kryeinspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, përgjysmon për tre muaj pagën e tij në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekura nga masat ndaluese të koronavirusit.
"Një vendim ky i marrë si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi", shkruan Metani në përgjigje të thirrjes së kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që institucionet e drejtësisë të japin në mënyrë vullnetare pagat e tyre.