Banorët e lumit të Vlorës bllokojnë rrugën nacionale, protesta kundër qeverisë: Larg duart nga lumi Shushica, kërkojmë anulimin e punimeve për ujësjellësin e Himarës

16 Dhjetor 2023, 16:21| Përditesimi: 16 Dhjetor 2023, 17:07

  • Share

Banorët e disa fshatrave në Vlorë dolën sërish në protestë kundër projektit të ujësjellësit të Himarës.

Në shenjë revolte ata bllokuan për një orë rrugën e Lumit të Vlorës.

Me vendosjen e tubacioneve, lumi Shushica do të thahet dhe qindra banorë do të mbeten pa ujë për të vaditur tokat.

“Marrja e ujit të lumit Shushica, do bëje që 30 fshatra të lumit të Vlorës të kenë etje për një pikë ujë. Mos llogarisim me mijëra hektarë tokë që do thahen për ujë. Himara ka kuy të marre ujë. Investimi ka filluar dhe ne nuk na është marrë asnjë mendim. Kemi bërë peticione. Ka vajtur deri në Gjykatë të lartë dhe nuk na është kthyer asnjë përgjigje. Kjo është grabitje kolosale.”, tha Mitat Balili, banor i zonës.

“Demokraci do të thotë pushteti i popullit. Na kanë ardhur për vota. Ky veprim është tinzar, djallëzor”, tha një tjetër banor.

“Ne kërkojmë pezullimin e projektit. Ka filluar në mënyrë tinëzare dhe të fshehtë, pa dëgjesë publike. Ne do vazhdojmë të protestojmë derisa të anulohet”, shtoi një tjetër.

“Jo se nuk e duam bregdetin, por Shushica nuk mjafton për nevojat tonë.”, tha një banor tjetër.

Në fshatin Kuç të Vlorës po punohet prej 8 muajsh për shtrirjen e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës, investim ky me vlerë 9. 5 milionë euro i Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë së Himarës. Projekti është miratuar pa konsumtim publik, ç’ka nxitur dhe revoltën e banorëve që protestojnë për të disatën herë.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?