Automatiku dhe fishekët e sekuestruar

Kronikë

Banorët e Shënkollit me armë te koka për t'u mbrojtur nga vjedhjet, policia i gjen hajdutët pas denoncimit në Report Tv! Arrestohen 2 të rinj, 1 tjetër në hetim

29 Nëntor 2021, 15:52| Përditesimi: 29 Nëntor 2021, 17:02

  • Share

LEZHË- Një ditë pas denoncimit të banorëve të Shënkollit në Report Tv se flinin me armë tek koka pasi hajdutët po bënin kërdinë me vjedhjet, policia e Lezhës është vënë në lëvizje. Pas informacioneve se do të kryhej një tjetër vjedhje, forcat Shqiponja kanë kapur mat dy të rinj, të cilët janë arrestuar, ndërsa një tjetër është vënë nën hetim.

Të tre të rinjtë shkonin nga Tirana në Lezhë për të vjedhur, ndërsa mësohet se dy prej tyre ishin të mitur, L.Xh.,17 vjeç i cili u arrestua dhe L.Gj.,16 vjeç që u vu nën hetim. Në pranga ka rënë edhe 22-vjeçari Jurgen Beqiraj. Forcat Shqiponja bën të mundur ndalimin e tyre, të cilët po udhëtonin me një mjet dhe ishin të pajisur me një armë zjarri automatik. Gjithashtu në mjet iu gjendën edhe sende që dyshohen se janë të vjedhura, të cilat u sekuestruan sëbashku me automatikun dhe 90 fishekë.  

Lidhur me këtë situatë shqetësuese në Lezhë, e cila vijon prej gati dy muajsh, burime për Report Tv bëjnë me dije se është hartuar një plan masash. Që prej mbrëmjes së kaluar po bëhen monitorime gjatë natës nga agjentë civilë të policisë me qëllim goditjen e personave të cilët po kryejnë vjedhje në fshatrat e Lezhës.

Sipas Policisë, tre të rinjtë janë autorë të disa vjedhjeve të tjera në Lezhë, ndërkohë që ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale, "Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit " ,  "Prodhimi,  mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta ", kryer në bashkëpunim dhe "Moskallëzimi i krimit".

Një ditë më parë banorët e Shënkollit denoncuan në Report Tv se ishin të detyruar të flinin me armë tek koka për të ruajtur shtëpitë e tyre pasi hajdutët vjedhin çdo natë nga një shtëpi në Lezhë. Ata nuk i besojnë policisë, pasi sipas tyre elementë të saj janë të lidhur me hajdutët.

Kujtojmë që blutë e Lezhës zbarkuan mbrëmë në shtëpinë e Nikoll Pashukut i cili doli me armë në dorë, në një intervistë për Report Tv, ku denoncoi vjedhjet në zonën e Shënkollit dhe tha se ishte i detyruar që të pajisej me armë me leje për t'u mbrojtur nga grabitësit.

Referuar të dhënave vetëm gjatë 2 muajve të fundit në fshatrat e Shënkollit kanë ndodhur rreth 50 vjedhje. Pak ditë më parë policia arrestoi babë e bir, ndërsa një person tjetër u shpall në kërkim. Ata dyshohet të jenë autor të disa vjedhjeve në zona të ndryshme të Lezhës, përfshirë dhe Shënkollin.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Polic: 30/11/2021 21:17

    Po pse per budallej na mirrni o??! Kapen dy te mitur me arme dhe direkt i vishni 700 krime qe kane ndodhur ne Lezhe!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?