Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli ka komentuar për Report Tv barazimin 0-0 mes Shqipërisë dhe Serbisë të shtunën në Tiranë. Sipas Rrakllit, i cili ka shënuar dhjetë gola me fanellën kuqezi, Rey Manaj nuk ishte i duhuri në ato momente për të goditur penalltinë, pasi kishte shpenzuar shumë energji. Sfidën e kthimit (11 tetor) kundër Serbisë ai e sheh si finale për tanët, ndërsa më herët duhen tri pikë kundër Letonisë, sfidë e cila luhet të martën (10 qershor) në Riga.
"0-0 kundër Serbisë - Me këtë barazim vështirësohet situata, sepse kemi ndeshjen e kthimit në Serbi. Bëmë një ndeshje të mirë, kishim përballë një skuadër të fortë fizike dhe në luftën në ajër. Kishin një rast me kokë dhe nuk bënë gjë më shumë.
Ne kishim shanset tona dhe nuk i shfrytëzuam. Penallti kanë humbur të gjithë, por përgjegjësia të ishte më e madhe. Më vjen keq që nuk e shfrytëzuam këtë rast.
Çfarë mund të bënim më shumë? Në disa raste u treguam edhe pak egoistë, goditëm portën kur mund të krosonim. Penalltia humbet, Manaj nuk ishte personi i duhur në atë moment për të goditur, sepse kishte humbur shumë energji. Te penalltia duhet të jesh i freskët dhe i ftohtë. Po ashtu rasti i Bajramit. Presioni dhe tensioni ndikuan.
Ndeshja e kthimit në Serbi do jetë tmerr, ata do na sulmojnë të kërkojnë fitoren. Kemi ndeshjen e radhës me Letoninë, nëse nuk fitojmë atje shanset tona janë minimale për kualifikim. Me çdo kusht na duhen tri pikët. Skuadra i dha shenjat që di të luajë.
Emrat, grupi dhe shanset kundër Letonisë - Sylvinho mund ta fillojë në sulm me Dakun, dha shenja të mira për minutat që luajti. Broja nëse do kishte minuta dhe gola, një rast kishte për ta zgjidhur vetë. Ai shkoi shumë para në një rast dhe nuk kishte stacion ku të pasonte. Broja mund ta fillojë sërish nga fillimi për të kaluar ngërçin.
Mungesa e Gjimshitit - E mira është që kemi gjithë grupin. Por kemi emra të tjerë që janë në gjendje të bëjnë një lojë të mirë. Letonia është skuadër modeste, por na duhet përqëndrimi maksimal.
Kualifikimi - Kemi 9 pikë në letër me ekipet e dobëta që duhet t'i fitojmë patjetër. Serbia i fiton. Kemi një finale në Serbi. Shpresojmë të marrim pikë kundër Anglisë, që ata ta ketë siguruar kalimin deri në atë ndeshje. Edhe nëse shkojmë në play-off historia është e gjatë sepse aty do jenë gjithë ekipet më të mira", tha Altin Rraklli për Report Tv.
Komente
