Penalltia e humbur nga Manaj

Sport

Botërori 2026/ Rey Manaj s'bëhet dot 'mbret', gabon penalltinë në 'Arenën Kombëtare'! Shqipëria barazon 0-0 kundër Serbisë në Tiranë

7 Qershor, 15:44| Përditesimi: 8 Qershor, 00:04

  • Share

FT/ Shqipëri 0-0 Serbi

TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 0-0 kundër Serbisë në "Arenën Kombëtare", për sfidën e tretë të Grupit K kualifikues të Kupës së Botës 2026 që do zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kuqezinjtë e Sylvinhos dominuan takimin në fushë, ndërsa Rey Manaj humbi mundësinë që të bëhej "mbreti" i shqiptarëve të paktën për një natë, duke gabuar penalltinë në minutën 45+1'.

Në shtatë takime mes dy skuadrave në fushë, Serbia ka pesë fitore, ndërsa dy sfida janë mbyllur në barazim 0-0. Ekipi ynë nuk fiton kundër Serbisë në fushë, me kuqezinjtë që shpresojnë të gjejnë golin në ndeshjen e kthimit më 11 tetor në udhëtim. Përjashto tri pikët në tavolinë për ndeshjen e 14 tetorit 2014, Kombëtarja ende nuk ka shijuar një sukses në fushë përballë serbëve.

Pas tre ndeshjeve të luajtura, Anglia kryeson Grupin K me nëntë pikë, ndjekur nga Shqipëria me katër, Letonia me tre, Serbia me një pikë (ka luajtur një ndeshje) dhe Andorra me zero pikë. Dueli i radhës për kuqezinjtë është pas tre ditësh në udhëtim kundër Letonisë.

NDESHJA - Sfida nisi me entuziazmin e mbi 20 mijë tifozëve në stadium, teksa atmosfera në Tiranë ishte ndezur prej orëve të pasdites. Shqipëria e Sylvinhos kërkoi golin që në fillim, atëherë kur pas 12 minutave lojë Mitaj u ndak nga Petrovic.

Momenti më i mirë i sfidës ishte në fundin e pjesës së parë, konkretisht në shtesën e parë, kur një penallti e fituar nga Elseid Hysaj nuk u kthye në gol nga Rey Manaj. Sulmuesi lushnjar goditi në krahun e djathtë të portierit serb, me Petrovic që e ndali. Heshtje në stadium dhe zhgënjim për Manaj.

Edhe pjesa e dytë nisi siç u mbyll e para, me Brojën dhe Bajramin që nuk shfrytëzuan si duhet rastet e krijuara. Në minutën e 53-të vlen për t'u theksuar pritja e Strakoshës kundrejt gjuajtjes së Aleksandër Mitrovic. Vetëm 0-0 dhe kuqezinjtë duhet të kënaqen me një pikë edhe pse meritonin më shumë.

Komentet më të rëndësishme:

90+6' Mbyllet 0-0 ndeshja në Tiranë.

90' Gjashtë minuta shtesë.

85' Julljan Shehu del nga fusha i lënduar, në fushë Ylber Ramadani.

76' Në stadium janë 20 mijë e 427 tifozë.

75' Aleksandër Mitrovic i bën vend Luka Jovic te Serbia.

75' Broja del nga fusha, Uzuni në lojë. 

72' Daku pason bukur te Bajrami, goditja nga brenda zone ishte shumë e lehtë.

69' Samardzic dhe Terzic i bëjnë vend Maksimovic dhe Stefan Mitrovic te Serbia.

65' Ndalet për disa çaste ndeshja, pasi një send plastik godet një futbollist të Serbisë. Kryesori Massa flet me kapitenët Gjimshiti dhe Mitrovic. Vijon ndeshja. Spikeri në stadium paralajmëron se nëse ndodh sërish kjo situatë, arbitri do tërheqë skuadrat në dhomat e zhveshjes. Policia vendos kordon sigurie te tifozët.

62' Manaj dhe Hoxha i bëjnë vend Dakut dhe Bajramit.

53' Strakosha mban tanët në lojë, shpëton portën nga goditja me kokë e Mitrovic.

48' Rast i mirë për tanët, Broja shtyn në sulm, por vetëm këndore.

46' Pjesa e dytë nis pa zëvendësime.

45+1' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.

45+1' Elseid Hysaj ndërrmer një sulm nga e djathta dhe pasi rikuperon bukur, ndalet me faull në zonë. Për kryesorin Massa ishte 11 metërsh. Nga pika e bardha u paraqit Rey Manaj, i cili gaboi. Portieri Petrovic kuptoi krahun, duke bërë që Kombëtarja të humbiste shansin më të mirë.

19' Berat Gjimshiti ndëshkohet me karton të verdhë.

17' Pavlovic merr karton të verdhë.

12' Mitaj provon nga jashtë zone, pret Petrovic në pozicion. Rasti i parë i ndeshjes.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga tanët.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Shehu, Laçi; Hoxha, Manaj, Broja Trajner: Sylvinho

Serbia (3-4-3): Petrovic; Pavlovic, Milenkovic, Erakovic; Zivkovic, N. Maksimovic, Lukic, Terzic; Samardzic, Mitrovic, Vlahovic Trajner: Dragan Stojkovic

Renditja në Grupin K

Ora 23:52
'Manajt i thashë unë ta gjuante penalltinë', Sylvinho: Rezultati më zhgënjen

1749333176_sylvinho.jpeg

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli pas barazimit 0-0 që Shqipëria mori në Tiranë kundër Serbisë. Tekniku kuqezi shprehet i zhgënjyer për rezultatin, duke thënë se ishte zgjedhje e tij që Manaj të gjuante penalltinë, që më pas e humbi.

“Bëmë një paraqitje të mirë sipas meje. Nuk jam i lumtur me rezultatin, por me mënyrën si u përfaqësuam. Në pjesën e parë ishim më mirë, në pjesën e dytë u hap pak skuadra. Por ishte një përfaqësim dinjitoz. 

Ky është futbolli, jam i zhgënjyer për rezultatin, por jam gjithë krenar për lojtarët e mij. Janë momentet e caktuara që vendosin ndeshjen.  

Penalltia gjithmonë është diçka e vështirë. Ishte zgjedhja ime dhe penalltia. Provuam në stërvitje, me Asllanin, Uzunin, Bajramin, Asanin, por në fund vendosëm për Manajn. Kjo ishte zgjedhja ime.  

Ne nuk kemi një formacion të përcaktuar, kemi më shumë lojtarë nga mund të zgjedhë, duke theksuar aspektet teknike që mua më pëlqejnë.  

Ishte një ndeshje e barabartë, Broja ka shumë kohë që nuk luan 90 minuta. E njëjta gjë edhe për Manajn, që pati një gjendje gripale. Hoxha luajti mirë, por u shfaq i lodhur. Asani dhe Bajrami nuk kanë luajtur shumë këto kohët e fundit, por unë i kam në konsideratë në ndeshjet e ardhshme.  

Kanë qenë të vështira për ne që të bënim zgjedhjet. Manaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Kundër Andorrës shënoi 2 gola. Daku është një futbollist me forcë fizike të madhe. Duhet të bënim zgjedhje inteligjentë. Zgjodha Manajn për eksperiencën. Daku i sjell forcë ekipit edhë kur futet nga stoli”, tha Sylvinho pas ndeshjes.

Ora 23:47
Mario Mitaj: Një detaj i vogël mungoi që të mposhtnim Serbinë

Mbrojtësi Mario Mitaj foli pas ndeshjes Shqipëri 0-0 Serbi. Djaloshi kuqezi tha se një detaj i vogël mungoi për të marrë tri pikët.

“Unë gjithmonë dua të luaj me ritëm të lartë, shokët e ekipit që kam në Arabi kanë luajtur në Europë dhe më ndihmojnë që mos të ulem me ritmin e lojtës. Kemi luajtur mirë, ishte ndeshje me kualitet nga të dyja ekipet, na mungoi goli, por bëmë një ndeshje super të mirë të gjithë, duhet të fokusohemi te ndeshja tjetër.

Unë me thënë drejtën lidhem mirë me të gjithë çunat, si me Bajramin dhe Hoxhën, nuk është se preferoj dikë, të gjithë luajnë mirë, më pëlqeu që bashkëpunuam me njëri-tjetrin.

Mbas pjesës së parë patëm pas psikologji shumë të lartë, por na mungoi ai detaji i vogël për të fituar ndeshjen. Nuk i lamë të na sulmojnë shumë apo të krijojnë rrezik. Është ende fillim kemi luajtur tre ndeshje, kemi të tjera dhe shkojmë vetëm për fitore në të gjitha ndeshjet” u shpreh Mitaj për Supersport.

Ora 23:43
Hysaj: Serbia kishte frikë të luante futboll


Lojtari më i mirë i Kombëtares në ndeshjen kundër Serbisë u shpall Elseid Hysaj, që fitoi edhe penalltinë e humbur më pas nga Manaj. Mbrojtësi foli pas ndeshjes për mediat.

“Kemi bërë një ndeshje shumë të bukur. Kemi luajtur shumë mirë. Mungesa e 3 pikëve na penalizon. Duhet t’i marrim gjërat më të mira dhe të ecim përpara.  

Kam filluar shumë herët futbollin dhe duket sikur po plakem. E kishim ndjesinë që do ta fitonim ndeshjen sot. Kemi bërë shumë ndeshje si kjo sot.  

Trajneri më tha që të rrija më mbrapa. Kjo ishte këshilla e tij. Broja ka shpejtësi të madhe dhe fizikisht është i fortë. Kemi pasur raste për të fituar ndeshje, ky është problemi.  

Ata kishin më frikë se ne për të luajtur futboll. Ata prisnin ndonjë korne, lojë nuk zhvilluan shumë. Këto janë ndeshje që duhet t’i luajë ai që i ndjen. Duhet të futemi në fushë dhe të japim maksimumin”, u shpreh Hysaj për Supersport. 

Ora 23:38
'Penalltia e Manaj çështje fati', Myrto Uzuni: Dje në stërvitje i shënuam të gjitha


Sulmuesi Myrto Uzuni komentoi pas ndeshjes barazimin 0-0 mes Shqipërisë dhe Serbisë, si edhe penalltinë e humbur nga Rey Manaj.

“Rey Manaj ka bërë paraqitje të mirë në sulm si Broja apo dhe Hoxha, penalltia ishte çështje fati, kemi gjuajtur dje penallti me Manajn dhe i kemi shënuar të gjitha. Ishte çështje fati.

Ndeshja e radhës? Letonia është kundërshtar i fortë duhet të japim maksimumin siç u futëm sot në fushë kundër Serbisë, të japim maksimumim për të marrë 3 pikët në ndeshjen e radhës”, tha Uzuni për Supersport.

Ora 23:33
Kristjan Asllani: Penalltinë doja ta godisja unë


Barazimi 0-0 mes Shqipërisë dhe Serbisë u komentua edhe nga Kristjan Asllani, i cili foli edhe për penalltinë e humbur nga Rey Manaj.

“Na mungoi goli, treguam kualitet sonte, luajtëm shumë mirë, sidomos me tifozët tanë, jemi të lumtur, por na mungoi goli, e donim të gjithë fitoren, por tani mendojmë për ndeshjen tjetër.

Ne e prisnim të gjithë këtë ndeshjen, kjo skuadër ka shumë kualitet, na mungojnë vetëm golat, shpresojmë që ndeshjet e ardhshme të vijnë golat.

Besoj se Manaj s'ka nevojë për suport, ka eksperiencë ka luajtur me Kombëtaren dhe skuadrën e tij, penalltia mund të ndodh që të humbet, vëmendja dhe koka është te ndeshja tjetër. Nuk e kam ndjesinë për ta gjuajtur unë penalltinë, por do doja ta shënoja unë. Sot e kishte Manaj, nuk shkoi goli por nuk ka problem”, tha Asllani për Supersport.

Ora 23:28
'Manaj e goditi mirë penalltinë', Armando Broja i keqardhur: Dua të jem lideri i Kombëtares


Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja foli pas barazimit 0-0 që Shqipëria siguroi në Tiranë kundër Serbisë.

“Serbia është ekip i vështirë, shumë fizik. Kishim disa raste për të shënuar. Kishim edhe një moment shumë të madh nga penalltia. Në pjesën e dytë u futëm disi të mërzitur, por luajtëm më mirë. Nuk kanë bërë shumë aksione, patën raste nga krosat. Luajtëm më mirë se ata, me këtë paraqitje duhet të merrnim 3 pikë. Na mungoi vetëm goli. Kemi bërë gjithçka mirë. Kemi pasur shumë raste, kemi goditur portën. Na mungoi vetëm goli sot, kemi pasur shumë raste shënimi. 

Kemi grup super, të gjithë çunat janë të mirë dhe lojtarë të mirë. Jemi bashkuar shumë më shumë si ekip. Unë jam sulmues, trajneri ndërton ekipin dhe më tha se kishte më shumë hapësira në krahun e djathtë. Unë dua të jem një lider i skuadrës, që të jap maksimumin gjithmonë, unë di t'i luaj të 3 pozicionet. Kam qejf të bëj diferencën me topin. Isha pak i mërzitur me veten, duhet të krijoja më shumë shanse.  

Penalltia? Manaj është superlojtar. Kjo gjë i ndodh çdo lojtari, i ka ndodhur edhe Ronaldos dhe Messit. E gjuajti shumë mirë penalltinë, por e priti portieri. I thamë Manajt të mos mërzitej.  

Me shanset që kishim, duhet të bënim gol dhe të fitonin ndeshjen”, tha sulmuesi Broja për Supersport.

Ora 23:23
'Po të shënonim penalltinë, fitonim 3-0', kapiten Berat Gjimshiti: Barazimi është keqardhja ime


Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli pas barazimit 0-0 që Shqipëria mori kundër Serbisë.

“Barazimi është keqardhja ime më e madhe. Me atë penallti, nëse do ta jepnim gol, kjo ndeshje përfundonte 2, ose 3-0 për ne. Nuk ishte ndeshje e lehtë. Kishte shumë presion. Vetëm me këtë zemër, duke lënë gjithçka në fushë, kemi kënaqësinë të luajmë. Shehu më befasoi në grumbullimin e parë në stërvitje.

I kam pyetur djemtë: “Ku ka luajtur ky”? Sot të gjithë janë për t’u përgëzuar. Edhe mua më pëlqen të luaj ofensiv, ashtu si luaj te Atalanta. Por duhet të respektojmë taktikën e zgjedhur. Kemi shumë lojtarë me cilësi në sulm. Ishte pak rrezik të luanim në këtë mënyrë në sulm. I thashë çunave që sa herë të merrni topin, hyni një kundër një. E pamë që e bëri Broja me Pavloviçin. Vetëm kështu mund të realizojmë këtë ëndërr për të shkuar në Botëror”, tha Gjimshiti.

Ora 23:10
VIDEO/ Kishte veshur bluzën me mbishkrimin 'UÇK', policia nxjerr me forcë nga stadiumi tifozin e Kombëtares

Një tifoz i kombëtares shqiptare të futbollit u mor me forcë dhe u dërgua jashtë stadiumit "Arena Kombëtare" vetëm se kishte veshur fanellën me mbishkrimin "UÇK".

Ora 23:03
NOTAT/ Manaj dhe Broja 'ngelin' në klasë, Hysaj më i miri për tanët! Portieri serb heroi i ndeshjes


Pas barazimit 0-0 mes Shqipërisë dhe Serbisë, "SofaScore" ka bërë me dije edhe notat e ndeshjes. Më i miri i gjithë takimit u shpall portieri i Serbisë, Petrovic, i cili ndali penalltinë e Rey Manaj. Nga ana tjetër Manaj dhe Broja u vlerësuan si më të dobëtit për Shqipërinë me notën 6.3, teksa më i miri ishte Elseid Hysaj (nota 7.9) që fitoi edhe penalltinë.

Notat e ndeshjes
Ora 22:17
Sende në fushë, arbitri bisedon me Gjimshitin dhe Mitrovic! Spikeri paralajmëron pezullimin

65' Ndalet për disa çaste ndeshja, pasi një send plastik godet një futbollist të Serbisë. Kryesori Massa flet me kapitenët Gjimshiti dhe Mitrovic. Vijon ndeshja. Spikeri në stadium paralajmëron se nëse ndodh sërish kjo situatë, arbitri do tërheqë skuadrat në dhomat e zhveshjes. Policia vendos kordon sigurie te tifozët.

Ora 22:00
VIDEO/ Penalltia e humbur nga Rey Manaj kundër Serbisë

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Elseid Hysaj ndërrmer një sulm nga e djathta dhe pasi rikuperon bukur, ndalet me faull në zonë. Për kryesorin Massa ishte 11 metërsh. Nga pika e bardha u paraqit Rey Manaj, i cili gaboi. Portieri Petrovic kuptoi krahun, duke bërë që Kombëtarja të humbiste shansin më të mirë.

Ora 21:44
FOTOLAJM/ Shqiponja 'fluturon' në 'Arenën Kombëtare’, fëmijët provokojnë futbollistët serb

1749325568_aa.JPG

Në nisje të ndeshjes Shqipëri-Serbi, teksa këndohej himni serb, fëmijët që shoqërojnë futbollistët gjatë daljes në fushë, kanë bërë me duar shqiponjën duke provokuar kështu futbollisët serb.

Ora 21:02
Altin Dumani ndjek Shqipëri-Serbi, kreu i SPAK në shkallët e 'Arenës Kombëtare'

1749322950_altindumani.jpg

Kreu i SPAk, Altin Dumani, është i pranishëm në "Arenën Kombëtare" në mbështetje të Shqipërisë, e cila po luan kundër Serbisë.

Ora 20:53
VIDEO/ Himni serb nuk dëgjohet, fërshëllimat e tifozëve kuqezi 'mbysin' rivalët! Himni ynë 'ndez' stadiumin

Gjatë momentit kur himni serb u vendos në "Arenën Kombëtare", ai thuajse nuk u dëgjua në stadium pasi u fërshëllye nga 22 mijë tifozët kuqezi. Ndërkohë himni kuqezi u këndua në kor nga 22 mijë tifozë.

Ora 20:24
VIDEO/ Ekipi serb në fushë, gjithë stadiumi në kor: UÇK! Këndojnë 'Mora Fjalë'

Tifozët e kombëtares shqiptare kanë mbushur "Arenën Kombëtare" në Tiranë, ndërsa me futjen në fushë të ekipit serb kanë brohoritur "UÇK" si dhe kanë kënduar këngën "Mora Fjalë".

Ora 20:04
Ish- futbollisti Liridon Leci për Report Tv: Shqipëri-Serbi më shumë se një ndeshje, tifozët 'Kuq e Zi' s'duhet të mungonin, janë lojtari i 12 në fushë

Ndeshjen Shqipëri- Serbi ish- futbollisti Liridon Leci, e ka cilësuar si një ndeshje me rëndësi.

Në një lidhje skype për Report Tv, ai tha se kjo është më shumë se një ndeshje.

‘Është një atmosferë e mirë dhe një entuziazëm shumë i madh dhe në Kosovë dhe mezi po e presim ndeshjen.  Është një ndeshje me shumë dëshirë e kemi pritur. Kjo është më shumë se një ndeshje’, tha ai.

Teksa u ndal tek mungesa e tifozëve 'Kuq e Zi' në stadium për shkak të përplasjeve me FSHF, ai tha se ata nuk duhet që të mungonin pasi janë lojtari i 12 në fushë. 

‘Kjo është diskutimi më i madh që duhet të flitet, sepse ata janë prej 20 vitesh pjesë e ndeshjeve të kombëtares së Shqipërisë dhe përjashtimi i tyre është gjëja më skandal që mund të ndodh. Unë them se ata kanë të drejtë sepse është e papranueshme të mos jenë ata sepse ata janë lojtari i 12 në fushë’, tha ai.

Leci tha se edhe në Kosovë tifozët janë duke festuar në mbështetje të kombëtares shqiptare.

‘Në Prishtinë shumica e lokaleve janë mbushur plot dhe janë mbledhur shumë njerëz, sikur janë në stadium. Ata kanë kënduar dhe festuar në mbështetje të kombëtares shqiptare’, tha ai.  

Ora 19:52
TKZ: Na hiqni biletat na vini përpara policinë, s'e vrisni dot zemrën që rreh për Shqipërinë (VIDEO)

Grupimi "Tifozat Kuq e Zi" nuk do jenë në stadium për ndeshjen kundër Serbisë për shkak të një përplasje me FSHF-në. Ultrasit e Kombëtares do e ndjekin sfidën nga një ekran i madh në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", teksa kanë ironizuar edhe FSHF-në.

"Na hiqni biletat na vini përpara policinë, s'e vrisni dot zemrën që rreh për Shqipërinë", shkruan TKZ.

Ora 19:43
VIDEO/ Lojtarët e Shqipërisë prekin tapetin e 'Arenës Kombëtare', brohorima nga tifozët në stadium

Lojtarët e Kombëtares kanë prekur fushën e "Arenës Kombëtare", teksa janë pritur me brohorima nga tifozët që janë futur në stadium.

Ora 19:41
Ish sulmuesi i Kombëtares, Altin Rrakli për Report Tv: Sot duhet të fitojmë, nuk jemi përballë një ekipi elite! Kam përshtypjen që Broja bën gol

Ish sulmuesi i Kombëtares Altin Rrakli foli në Report Tv pak orë para ndeshjes Shqipëri-Serbi, ku tha se sot lojtarët kuq e zi duhet të japin maksimumin për fitoren, pasi sipas tij, skuadra kundërshtare nuk klasifikohet si një ekip i pathyeshëm. Gjithashtu, ai parashikoi se Armando Broja mund të shënojë gol.

“E përgjithshmja është se sot ne duhet të rrezikojmë, duhet të rrezikojmë, duhet të provojmë ta sulmojmë ekipin kundërshtar, nuk jemi përballë një ekipi elite që është i vështirë që t’i gjesh hapësira dhe kur i sulmon të të kapë në kundrasulm, nuk kemi të bëjmë me këtë lloj ekipi. Kemi të bëjmë me një ekip fizik të fortë, që vrapon shumë, që luftën shumë, fizikun e ka armën e vet… Unë mendoj sot ne si skuadër, si gjithmonë duhet të jemi komplekse dhe kur të sulmojmë duhet të sulmojmë me guxim, duhet të jemi më të guximshëm sot, duhet ta provojmë të fitojmë ndeshjen”,- tha Rrakli.

“Të gjithë lojtarët tanë e meritojnë të shënojnë kundër Serbisë. Ekipi i ka të gjithë lojtarët për ekipin, nuk i ka të veçantë, nuk jemi në tenis. Unë kam një rezultat që e kam thënë qysh në fillim para një jave… se kush e bën golin ta bëjë kush të dojë, rëndësi ka ta bëjmë. Kam një përshtypje që Broja e bën një gol sot”,- shtoi ai.

Ora 19:21
FORMACIONET ZYRTARE/ Sylvinho befason me futbollistët, Hysaj e Shehu nga minuta e parë! Sulmi Manaj - Broja

Trajnerët Sylvinho dhe Dragan Stojkovic kanë bërë me dije edhe formacionet zyrtare të ndeshjes Shqipëri - Serbi, e cila nis në orën 20:45 në "Arenën Kombëtare" të Tiranës.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Shehu, Laçi; Hoxha, Manaj, Broja Trajner: Sylvinho

Serbia (3-4-3): Petrovic; Pavlovic, Milenkovic, Erakovic; Zivkovic, N. Maksimovic, Lukic, Terzic; Samardzic, Mitrovic, Vlahovic Trajner: Dragan Stojkovic

Ora 19:05
VIDEO/ Qëllohet me shishe uji autobusi i skuadrës serbe në Tiranë, tifozët kuqezi i sulen nga pas

Autobusi i skuadrës serbe të futbollit ka mbërritur në "Arenën Kombëtare". Rrugës, pranë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, një tifoz i vogël në moshë e ka goditur nga pas autobusin me një shishe uji. Reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm, ndërsa tifozët e tjerë e kanë ndjekur autobsuin nga pas dhe kanë nisur të sharrat. Nuk raportohet për incidente të tjera me autobusin serb. Video e siguruar nga gazetarja e Report Tv, Joana Preja.

Ora 18:20
'Kundër Serbisë ndeshje jo si të tjerat', anëtari i Komitetit Ekzekutiv: Ja cilët tifozë do mbushin 20% e stadiumit të dënuar nga FIFA

Pano Xhixho, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së tha në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu se sfida kundër Serbisë nuk është si gjithë të tjerat. Gjithashtu, për dënimn që FSHF mori nga FIFA me bllokimin e 20 përqind të stadiumit për thirrjet raciste, Xhixho tregoi se tribunat pas porte do mbushen me tifozë familjarë dhe ata të Fun Club të Kombëtares.   

"Sfidën e Beogradit e përjetova si çdo shqiptar, isha në drejtim të ngjarjeve në Radio Televizionin Shqiptar. Si sot, me rrugët plot me tifozë dhe kuqezi nuk kemi qenë as në sfidën kundër Greqisë, të fituar në Tiranë.

Tifozët dhe menaxhimi - Kërkesat kanë qenë shumë të mëdha, më shumë se 200 mijë. Është bërë si një datë historike, që kushdo të jetë atje. Si ata që me krenari thonë kam qenë në sfidën e Beogradit.

Dënimi nga FIFA për stadiumin - 20 përqind e stadiumit do jenë me familjarë. Do jetë Fun Clubi i Kombëtares, ka dhjetë vite që funksionon. Këta do jenë këtu, sepse kishim dënim nga FIFA për këtë duel. Secili aplikonte për katër bileta, një tifoz që aplikonte me familjen dhe aplikimi kishte një mbiemër për katër tifozë, ata kanë pasur prioritet për këtë zonë që u dënua nga FIFA, por nuk do mbetet bosh.

Çfarë ndeshje pret? Është një atmosferë që nuk ka nevojë për t'u ndezur më shumë sesa duhet. Kam ndjekur seancat dhe kam parë entuziazëm mes trajnerit dhe futbollistëve. Ndeshja kundër Serbisë nuk është si të tjerat dhe ka ngarkesë emocionale. Të kujdesemi mos u injektojmë emocione të tjera lojtarëve, sepse mbingarkohen. Lojtarët tanë nuk do e bëjnë këtë, janë profesionistë. Këtë e tregoi edhe Gjimshiti në komunikiin për mediet. Përtej diplomacisë, kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjërat.

Llogaritë - Për mua është e munduar që të dalim të dytët në grup dhe të shkojmë në Botëror. Jo më kot barazuam edhe me Kroacinë në Euro 2024 dhe bëmë mirë në fushë. Pse mos ta tentojmë kualifikimin. Me Anglinë e kemi ndeshjen e fundit në grup dhe është thuajse e kualifikuar. Rivali ynë është Serbia.

Grupi më i mirë i lojtarëve që kemi pasur? Po, është grupi më i mirë. Do doja që të kishin minuta më shumë, por kemi lojtarët më të mirë. Broja doja të luante më shumë, kemi një kapiten që ka ngritur trofe si Gjimshiti, apo Asllani që luajti në finalen e Champions League. Ismajli, Mitaj, Strakosha, Daku etj kanë cilësi", tha Xhixho.

Ora 18:10
Ditmar Bicaj e tregon në Report TV: Në Beograd isha mes tifozëve serbë, sot mendje të ftohtë dhe këmbët zjarr

Ditmar Bicaj, ish-futbollisti i Kombëtares ka komentuar në Report Tv me Andi Kapxhiun sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ai ka treguar se në sfidën e 14 tetorit 2014 kundër Serbisë, ka qenë mes tifozëve serbë në Beograd. Ky duel u luajt vetëm 42 minuta pasi huliganët serbë u futën në fushë dhe dhunaun ekipin tonë.

"Në 2014 kam qenë mes tifozëve serb në Beograd. Kam qenë në stadium me dy miq dhe e kam përjetuar jo mirë, sepse e njoh edhe gjuhën. Ka pasur thirrje raciste dhe ambienti ka qenë jo për një ndeshje futbolli. Shumë urrejtje, një ambient lufte. Më kanë lënë gjurmë negative. Futbollistët u prekën me dorë dhe këtu dështuan organizatorët serbë. Në kthim, në Elbasan nuk ndodhi asgjë dhe serbëve nuk u "hyri gjemb në këmbë". Të luhet futboll dhe të fitojë Shqipëria.

Mungesa e Tifozave Kuq e Zi - "Kur shqiptarët ngatërrohem mes veti, gëzohen armiqtë". Përplasjet mes TKZ dhe FSHF duhet të zgjidhen dhe do ndihet mungesa e tyre. Pas Beogradit në 2014, kjo do jetë hera e dytë që Tifozat Kuq e Zi nuk do jenë në stadium për Kombëtaren. Janë 11 futbollistë në fushë, por pas do kenë 12 milionë shqiptarë.

Pritshmëritë - Ndryshe nga ndeshja në Elbasan, ku nuk ishim dinamikë në fushë, sot pres një sfidë të ngjashme si kundër Greqisë ku ishim shumë agresivë. Nëse ne presim pas rivalët, ata kanë shumë cilësi dhe një barazim do na bënte mirë. Mentaliteti i fituesit në fushë, kjo na duhet.

Këshilla - Të mbrojmë Vlahovic dhe Mitrovic sepse janë të mirë me kokë dhe na duhet të jemi vigjilentë sepse kundërshtarët kanë cilësi. Të kemi mendje të ftohtë dhe këmbët zjarr. Kjo është porosia ime", tha Ditmar Bicaj.

Ora 17:39
Elseid Hysaj, 'i mbijetuari' i vetëm i mbrëmjes së Beogradit! Njihuni me heronjtë e Kombëtares 11 vite më parë

1748513831_elseidhysaj.jpg
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot kundër Serbisë në Tiranë, sfidë kjo që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Përballja më e famshme mes dy skuadrave dhe ajo që ka mbetur në histori daton më 14 tetor 2014 në Beograd, me sfidën që u mbyll pas vetëm 42 minutave pasi tifozët vendas u futën në fushë dhe dhunuan lojtarët e Shqipërisë.

11 vite më pas dy skuadrat do përballen në një realitet thuajse të njëjtë sa i takon marrëdhënieve mes popujve, por këtë herë janë marrë masat që incidentet të jenë sa më të kufizuara, me 2000 efektivë policie dhe shërbimet e tjera shqiptare që do jenë në gatishmëri.

Mbrëmjen e 14 tetorit 2014 në Beograd titullar për ekipin tonë ishte edhe Elseid Hysaj, mbrojtësi i djathtë që Giovanni de Biasi e hodhi në fushë nga minuta e parë. Thuajse 11 vite pas, vetëm Hysaj është "i mbijetuari" i gjithë atij ekipi, teksa do jetë i gatshëm për sfidën që luhet në qershor. Nga 23 emrat që de Biasi kishte grumbulluar asokohe, vetëm shkodrani vijon të jetë ende pjesë e Kombëtares.

Ndërkohë në krahun tjetër do jenë tre futbollistë serb që kanë qenë në atë mbrëmje. Portieri Predrag Rajkovic, mesfushori Nemanja Gudelj dhe sulmuesi Aleksandar Mitrovic vijojnë të jenë sërish aktiv për ekipin që sot drejtohet nga Dragan Stojkovic.

Lista e titullarëve dhe rezervave, Serbi - Shqipëri - 14 tetor 2014 në Beograd
Ora 17:24
VIDEO/ Pamjet e tmerrit në Beograd, si huliganët serbë dhunuan futbollistët e Shqipërisë 11 vite më parë

Vrasja e mijëra shqiptarëve të Kosovës nga Serbia në fundin e mijëvjeçarit të shkuar, dëbimi i miliona prej tyre nga banesat dhe dheu amë, kanë bërë që sfida mes Shqipërisë dhe Serbisë të shihet më shumë se një ndeshje futbolli.

Përtej historisë që te shqiptarët kanë lënë shumë shenja, një tjetër faktor pse dueli i sotëm në Tiranë kalon aspektin sportiv është edhe përballja e parë mes dy skuadrave pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

14 tetorin e 2014 në stadiumin e Partizanit të Beogradit luhej Serbi - Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2016, ku Kombëtarja jonë siguroi pjesëmarrjen për herë të parë në një turne madhor.

Dueli në Beograd nuk përfundoi kurrë, pasi ndeshja u ndërpre pas 42 minutave lojë dhe huliganët serbë u futën në fushë duke dhunuar lojtarët tanë. Anglezi që gjykonte atë takim, Martin Atkinson, i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes dhe pas muajsh beteje në CAS, drejtësia sportive i dha tri pikë Shqipërisë dhe fitoren 0-3 në tavolinë.

Shenjat e atij takimi kanë mbetur ende dhe përballja e sotme mban shumë emocione në fushë dhe tribuna.

Ora 17:05
Sot për të shkruar historinë, Kombëtarja asnjë fitore në fushë kundër Serbisë

Sot në 20:45 luhet Shqipëri - Serbi në "Arenën Kombëtare", sfidë kjo që vlen për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Përballja është duke u trajtuar më shumë se një ndeshje futbolli nga tifozët, kjo për vetë historinë mes dy popujve dhe luftën që Serbia bëri në Kosovë. Në aspektin sportiv ka ardhur koha për t'i mposhur serbët për herë të parë në fushë, pasi në gjashtë takimet e mëparshme nuk kemi asnjë fitore, përjashto duelin e famshëm të 14 tetorit 2014 në Beograd, kur ekipi ynë u dhunua në fushë dhe CAS në Lozanë na dha tri pikë dhe fitoren 0-3 në tavolinë.

Statistikat dhe përballjet Shqipëri - Serbi:

Përballjet mes dy skuadrave datojnë që në 7 tetorin 1946 në një ndeshje në "Qemal Stafa" të Tiranës. Kombëtarja jonë mposhtej 2-3 nga ish-Jugosllavia e asaj kohe për Kampionatin Ballkanik. Po në Tiranë më 14 shtator 1947, Shqipëria humbiste sërish 2-4 nga ish-Jugosllavia. Ndeshja e radhës ishte në Beograd, me dy skuadrat që barazuan 0-0, më 27 qershor 1948.

Pas 19 vitesh dy skuadrat u përballën sërish në Tiranë më 14 maj 1967, me ish-Jugosllavinë që fitoi 0-2 në "Qemal Stafa" për kualifikueset e Europianit 1968. Në ndeshjen e kthimit në Beograd, ishin vendasit që fituan 4-0 kundër tanëve më 12 nëntor 1967.

Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dy skuadrat u përballën më 14 tetor 2014 në Beograd, në ndeshjen që Shqipëria e fitoi 0-3 në tavolinë, por që nuk quhet një fitore në fushë. Sfida e kthimit në "Elbasan Arena" u fitua nga Serbia 0-2 më 8 tetor 2015.

Në total, hiq fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë, Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuarve. Duket se ka ardhur koha që Shqipëria të fitojë në fushë kundër Serbisë dhe ndeshja e radhës është pranë, edhe pse me shumë emocione.

Ora 16:29
Ishin shokë ushtrie 41 vite më parë në Prishtinë, njihuni me shqiptarin që bëri përkthyesin e Dragan Stojkovic në Tiranë! Përqafimi i përzemërt

"Mirëdita miq", kështu e nisi konferencën për mediet trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic, në "Arenën Kombëtare" të Tiranës; teksa më pas uroi Kurban Bajramin. Veç saj, në fundin e saj ai tha "faleminderit shumë".

Historia e shqipes së Stojkovic daton 41 vite më parë, kur në rininë e tij ai kreu shërbimin ushtarak në Prishtinë. Pikërisht pas katër dekadash, Stojkovic u takua me një shok të vjetër që nga koha e ushtrisë. Bëhet fjalë për përkthyesin shqiptar Pleurat Himaduna, që para konferencës kishte një takim dhe përqafim të përzemërt me Stojkovic.

Përpara se të ulej përballë gazetarëve, Stojkovic u përqafua përzemërsisht me Pleuratin, i befasuar që përkrah tij gjendej pikërisht njeriu me të cilin kishte kryer ushtrinë katër dekada më parë.

Në vitin 1984, Stojkovic kishte shkuar në Prishtinë si futbollist, sapo kishte fituar medaljen e bronztë olimpike në Lojërat e Los Angelos, ndërsa Himaduna punonte si producent televiziv në “TV Prishtina”. Siç tregon ai, trajneri aktual i Serbisë ishte shumë i dashur në Prishtinë, madje kishte disa privilegje nga komandantët e rreptë të kohës.

“U përshëndetëm ngrohtësisht. Stojkovic ishte në ushtri në Prishtinë bashkë me këngëtarin Alen Slavica. Rrinim shpesh bashkë. Kalonim kohë cilësore me të dhe me prindërit e Dragan. Ishte krejt logjike që, pas kaq vitesh, të përqafoheshim sërish me dashamirësi, – e nisi rrëfimin Pleurati. – E kujtoj gjithçka, kështu është jeta. Erdhi atëherë si i ri dhe shumë i sjellshëm, prindërit e tij gjithashtu njerëz të mirë. Nuk ishte i habitur që mori thirrje për në ushtri, ashtu ishte koha, ishte normale. Në Prishtinë kishte mbështetje nga eprorët dhe njerëzit që drejtonin gjithçka, prandaj edhe u vendos të qëndronte atje", thotë mes të tjerash për "Blic" Pleurat Himaduna.

Pleurat Himaduna
Ora 12:53
Emrat/ Sylvinho sakrifikon katër futbollistë, do e ndjekin sfidën me Serbinë nga tribunat

1749293591_mariodajsinanimedonberishaadrianbajramidheadrionpajaziti.jpg

Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare.

Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rroku: 07/06/2025 21:47

    Fëmijët janë fëmi por janë viktima të drejtuesve të FSHF! Në fymnin e flamurit Serb Fëmijët shoqërues të futbollistave Serb bon Shqiponjen ky ishte një provokim i pastër që nuk duhet kishte ndollurpër mendimin tim.

    Përgjigju
  • Uzuni: 07/06/2025 21:35

    Fusni more Uzunin

    Përgjigju
  • Tutu: 07/06/2025 19:23

    Tifozet kuq e zi …????!!! Banditet kuq e zi , idiotet kuq e zi … injorantet kuq e zi turpi i kombit kuq e zi .. sport eshte shpirt gare eshte gare eshte miqesi… po idiotet bixhos hi nuk e kuptojne kete .. turp turp .. edhe kur fiton dhe kur humb ka vetem fair play … keta jane mostra si Gjesti i big brother …plehrat e Kosoves qe allakaten neper shqiperi ..!!

    Përgjigju
    • B"3: 07/06/2025 22:51

      I bashkohem mendimit tuaj... Dhe këta pseudo atdhetaret na cane b... me UCK, UCK... Pse për të pare një maskarade te tille luftuan ata? Ju pseudo atdhetare te ndyre duke u sjellë si llum keni shkelur mbi gjakun e tyre. Ptu, fare e keqe.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?