Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka komentoi barazimin 0-0 mes Shqipërisë dhe Serbisë në Tiranë. Duka thotë se me lojën në fushë djemtë kuqezi meritonin tri pikët, ndërsa fokusi do jetë në ndeshjen e 10 qershorit në Riga kundër Letonisë.
"Një ndeshje e bukur, që mund ta kishim fituar. Barazojmë 0-0 me Serbinë dhe ajo që na motivon më së shumti për të ardhmen është loja e bërë, vetëbesimi i lojtarëve, autoriteti i tyre në fushë.
I kishim të gjitha mundësitë për të marrë tre pikët, që do të kishin qenë të merituara nga ana jonë. Gjithsesi futbolli i tillë, jo gjithmonë prodhon rezultatin që meriton. Përgëzime për djemtë e ekipit, për gjithçka dhanë në fushë, trajnerin Sylvinho dhe stafin teknik për punën e bërë për përgatitjen e ndeshjes dhe për mënyrën se si e drejtuan skuadrën sot.
Falënderojmë edhe tifozët, që sërish ishin në mbështetje të Kombëtares dhe besuan e i dhanë kurajo skuadrës për të marrë maksimumin në fushën e blertë. Tani duhet të shohim përpara, ndeshja me Letoninë vjen shpejt dhe duhet të jemi gati për të që të japim më të mirën dhe të marrim tre pikët", shkruan Duka në kanalet e komunikimit.
Komente
