PARIS - Luis Enrique, trajneri i PSG-së foli pasi skuadra e tij siguroi finalen e Champions League dhe në Munich më 31 maj i pret Interi.
Trajneri spanjoll, pjesë e një brezi trajnerësh që më herët ka qenë edhe në stolin e Barcelonës tha se katalanasit e meritonin finalen dhe nëse do përballej kundër ekipit që e bëri të njohur do kishte qenë një gjë e keqe për të në aspektin profesional.
Ishte Interi që eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale, mirëpo trajneri i PSG mendon se ka një ekip të mirë dhe kërkon për herë të parë që trofeun e Champions ta dërgojë në Paris.
“Për mua, të luaja një finale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës do të kishte qenë më e keqja. Më e keqja. Nëse nuk do ta kishim arritur, do të doja shumë ta shihja Barcelonën atje dhe ta fitonte. Por, meqenëse do të jemi atje, do të përpiqemi ta fitojmë”, tha spanjolli në një intervistë me Movistar+.
Duke komentuar eliminimin e skuadrës së Barcelonës, Luis Enrique tha: “Nëse dikush do t’ju thoshte se do të shënonit gjashtë gola në një gjysmëfinale dhe prapë do të eliminoheshit, nuk do ta besonit. Ata treguan se çfarë lloj futbolli luhet në Barcelonë. Absolutisht mund të kishin arritur në finale dhe e meritonin. Rezultati ishte pak i çuditshëm”, shtoi ai.
“E di që PSG nuk është shumë popullore në Barcelonë, por kjo është jeta, unë thjesht po bëj punën time. Ky është një projekt emocionues. Të ndërtojmë një ekip që ende mund të mendojë në shkallë të gjerë, edhe nëse lojtarët largohen. Të besojmë se me lojtarë të rinj, ne mund të krijojmë yje të rinj”, tha ish-trajneri i Barçës.
Skuadra e tij, PSG mposhti Arsenalin me rezultatin 2-1, duke u bazuar në avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë në Londër.
“Mikel Arteta pothuajse më 'vrau', ai e çoi ndeshjen pikërisht aty ku donte. Na bënë të luanim një ndeshje që nuk donim ta luanim, por kjo skuadër ka shumë guxim. Ne padyshim e meritojmë të jemi në finale”, tha Luis Enrique, plot lëvdata për homologun e tij në stolin e Arsenalit, si dhe për Gianluigi Donnarumma, i cili bëri tre pritje të shkëlqyera.
"Si mund ta fitosh Ligën e Kampionëve pa një portier të shkëlqyer dhe 11 lojtarë në fushë me gjithë fuqinë e tyre? 'Gigio' ishte i mrekullueshëm, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë turneut", vuri në dukje ai.
Ish-trajneri i kombëtares spanjolle theksoi gjithashtu rrugën e vështirë që PSG ka ndjekur për të arritur në finalen e Munich më 31 maj në orën 21:00.
“Ka qenë një rrugë e vështirë. Kishim orarin më të keq se çdo skuadër tjetër dhe kjo na ndihmoi të rriteshim dhe të përmirësoheshim. Nuk arritëm të merrnim pikë herët në fazën e grupeve, por skuadra vazhdoi të besonte dhe të vazhdonte përpara”, tha Luis Enrique, i cili përcaktoi një pikë kthese specifike.
“Kundër Cityt ishim 2-0 në disavantazh, në një ndeshje që nuk e meritonim ta humbisnim. Gjërat nuk po shkonin sipas dëshirës sonë, por statistikat treguan se ishim një nga ekipet më të mira në Evropë. Skuadra vazhdoi të besonte. Tani do të shkojmë në finale, e cila padyshim do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë”, përfundoi ai.
Komente

KESHTU ISHIN FRYRE EDHE ATO TE BARCELLONES DHE E PANE SI PERFUNDOI
Përgjigju