Ndërsa ka cituar raportet ndërkombëtare, nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që t'i kërkojë falje shqiptarëve për gjendjen ekonomike ku ndodhet vendi. Sipas Bashës, Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan, e ndërsa citon OKB, ai shprehet se vendi ynë është po ashtu edhe prodhuesi kryesor i Hashashit në Europë. Kryedemokrati akuzoi edhe njëherë Ramën se vodhi zgjedhjet, teksa shtoi se qeveria është "shfaqja e një regjimi që nuk e ndryshon dot fytyrën e vet e as efektet negative që ka në jetën e çdo shqiptari".
"Sipas Eurostat, eksodi masiv i shqiptarëve ka konkurruar denjësisht me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës nga keqqeverisja jote. Në vend të ulni kokën e të kërkoni ndjesë, keni pacipësinë të rrihni gjoksin. Mburrjet janë për qytetarët njësoj si t'i rrotullosh thikën në plagën që i ke hapur. Sipas DASH Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit. Korrupsioni ka shkuar në nivelin e kapjes së shtetit. Për klimën e biznesit, Shqipëria renditet e fundit në Europë. Për OKB je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë si i vetmi produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët janë lënë pa mbështetje. Sipas UNESCO je në vendet më të ulëta për financimet për arsimin, më i ulëti për Shqipërinë në 20 vite. Shqipëria është e fundit në Europë sa i përket shpenzimeve për mjekësinë. Kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre. Borxhi publik ka dalë nga binarët, premtove se do ta ulje dhe e çove mbi 80%, më të lartin në Rajon, pa futur këtu PPP që nuk i konsideron si borxh dhe vetëm këto kanë kapur vlerën e 2 miliard eurove. Ti ke mashtruar. E sëmura e madhe reforma në drejtësi që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur nga korrupsioni i kësaj pakice. Pyetja që ngrihet është ku i gjetët votat? Dhe përgjigjja vjen nga OSBE që konfirmon masakrën zgjedhore. Aty thuhet se ka patur vjedhje masive të votave dhe presion. Edhe fondet e rindërtimit janë përdorur në këmbim të votës. Keni përdorur grupet më të zeza kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve. Ndryshuat fletën e votimit që sollën një numër rekord votash të pavlefshme. Ata që kanë prodhuar këtë gjendje ekonomike, politike e sociale, ndalën dhunshëm ndryshimin. Kështu vdesin demokracitë, fiton autoritarizmi. Përbërja e kësaj pakice reale që hiqet si shumicë fiktive, është shfaqja e një regjimi që nuk e ndryshon dot fytyrën e vet e as efektet negative që ka në jetën e çdo shqiptari", tha Basha.
Lajmi kryesor:
Programi dhe kabineti/ Përplasje dhe debate në seancën maratonë të Kuvendit, PD bllokoi foltoren, kerkoi prezencën e Ramës! Basha: Rama ekzekutori i zgjedhjeve, demokracia ka vdekur! Kryeministri: Copy-paste nga fushata, merru me kumriet (VIDEO)
//ReportTv.al