Basha depoziton në Kuvend amendamentin për buxhetin: 50 mln euro ndihmë ushtarake për Kosovën

22 Janar, 09:47| Përditesimi: 22 Janar, 16:36

  • Share

Ashtu sikurse Lulzim Basha kishte paralajmëruar në konferencën për mediat dy ditë më parë, Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend amendamentin ku kërkon ndryshimin e buxhetit të shtetit, për t’i dhënë 50 mln euro Kosovës ndihmë ushtarake.

“Duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024. Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale.”

Në argumentet, shoqëruar amendamentit, Lulzim Basha thotë se paratë për t’I ardhur në ndihmë Kosovës, duhet të gjenden në shpezimet e tepërta për zyra.

"Miratoni uljen nga 129 miliardë e 381 milion lekë në 124 milardë e 381 milion lekë duke shkurtuar investimet kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit, siç janë restaurime zyrash, mobilime, blerje automjetesh, shpenzime kapitale jo-emergjente", thuhet në dokument. 

Buxheti i 2024 u miratua në dhjetor mes kaosit, për herë të parë pa diskutime, me 4 vota kundër të deputetëve të Lulzim Bashës dhe vetëm me kartonat jeshilë të socialistëve.

Amendamenti

Duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.

Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale në një kohë në të cilën Republika e Serbisë po riarmatoset me objektiva të deklaruar për ndërhyrje ushtarake në Kosovë në momentin kur konjuktura politike do ta mundësonte këtë veprim.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim që të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014. Nuk ka dyshim se asgjë e këtyre përmasave nuk mund të ndodhë pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Dhe as nuk ishte ky i vetmi operacion për ndryshimin me forcë të status quo-së në të cilin është përfshirë aktualisht Serbia.

Nxitja dhe mbështetja për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnje-Hercegovina, përpjekja për të kontrolluar infrastrukturën politike të Malit të Zi dhe infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, të gjitha bëjnë pjesë në strategjinë e shtetit serb për të diktuar në terren një realitet të ri, të cilin liderët e Beogradit e etiketojnë publikisht si Bota Serbe.

Kjo është një përpjekje për të imponuar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe pushtimeve të territorit. Rezultati përfundimtar do të përmbyste arkitekturën e sigurisë euro-atlantike të Europës Juglindore dhe do t'i jepte një goditje potencialisht vdekjeprurëse paqes dhe stabilitetit në Europë.

Në një plan më të gjerë, kjo nënkupton përdorimin e Serbisë si gur shahu në një strategji të ideuar dhe orkestruar nga Moska me objektiva të qartë: Destabilizimin dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s duke hapur një front të ri në zemrën e Aleancës kundër luftës së paligjshme pushtuese të Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë që përfaqësues të lartë të vendeve aleate kanë bërë të qartë se objektivat pas sulmit terrorist të Banjskës përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin, autoritetet më të larta të Kosovës kanë ngritur shqetësimin se 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë së forcave të armatosura serbe janë pozicionuar në 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, në pritje të një konjukture të volitshme për ndërhyrje ushtarake.

E gjithë kjo tregon se duhet vepruar pa humbur kohë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës. Disa nga vendet aleate kanë hedhur hapa aktivë në forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Por në ndihmë të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve të saj duhet të renditet edhe Shqipëria.

Duke marrë parasysh shpenzimet kapitale të Buxhetit të Shtetit të vitit 2024, i propozoj Kuvendit të Shqipërisë:

1 - të miratojë uljen nga 129 miliardë e 381 milion lekë në 124 milardë e 381 milion lekë duke shkurtuar investimet kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit, siç janë restaurime zyrash, mobilime, blerje automjetesh, shpenzime kapitale jo-emergjente;

2 - të miratojë një shtesë zëri “ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës” në masën 5 miliardë lekë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?