Basha mbyll fushatën në Shkodër: Më 6 mars të gjithë bashkë për të çarë rrethimin e së keqes, t’i japim shpresë qytetit

4 Mars 2022, 16:50| Përditesimi: 4 Mars 2022, 17:18

  • Share

SHKODËR- Kryedemokrati Lulzim Basha mbylli fushatën në qytetin e Shkodrës, nga ku iu bëri thirrje qytetarëve që më 6 mars të votojnë për kandidatin e Partisë Demokratike, Xhemal Bushatin. Basha tha se demokratët e Shkodrës duhet të "çajnë rrethimin e të keqes, për ti dhënë qytetit shpresën dhe besimin tek e nesërmja”. Sipas tij, ky ndryshim do të vijë vetëm përmes Xhemal Bushatit.

“Me 6 mars këtë energji që kemi mbledhur ditë pas dite, orë pas ore, ta derdhim vrullshëm, askush të mos qëndroje mënjanë. Të gjithë bashkë për të çarë dhe njëherë rrethimin e të keqes, për t’i dhënë Shkodrës dhe nga Shkodra gjithë Shqipërisë, shpresën dhe besimin tek e nesërmja që po vjen tek ndryshimi që po vjen dhe që nuk ka forcë që ta ndalë.

Është bërë zëri juaj, shpresa juaj, për të mos e lejuar Shkodrën të bjerë në errësirë, por për të qëndruar të gjithë sëbashku, për atë që Shkodra është sot dhe do të jetë nesër. Këtë energji që kemi mbledhur ta derdhni vrullshëm, mos qëndroni mënjanë, të gjithë bashkë për t’i dhënë Shkodrës shpresën dhe besimin. Të gjithë drejt kutive të votimit, për Xhemal Bushatin”, tha Basha.

Ndërkohë, Bushati tha se 6 marsi është një ditë vendimtare që do të vulosë të ardhmen e Shkodrës, por mbi të gjitha të fëmijëve shkodranë.

“6 marsi nuk është një ditë reflektimi, vendimi, çfarë dhe si duhet të jetë e nesërmja. Shkodranët ju që keni ken gjithmonë rreth PD dhe sot krah meje, ka me na dhënë të drejtë, po ne duhet të jemi bashkë dhe me 6 të mars do të votojnë për PD dhe Xhemal Bushatin dhe Shkodra do ecë drejt të ardhmes për fëmijët tanë. Sepse ne kemi një ëndërr të bukur për at’ që quhet Shkodër. Kam takuar me mijëra qytetarë, të rinj, pedagogë, punëtorë e intelektualë të qytetit, jam i gëzuar se projekti ynë u përputhte me kërkesat e tyre. Dora ime do jetë e shtrime, zemra ime do jetë e hapur për të gjithë, vetëm të bashkuar  mund të dalim të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tonë”, tha Bushati.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?