Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar qytetin e radhës në turin e tij elektoral, Fushë-Arrëzin ku ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas Bashës këto zgjedhje janë më të rëndësishmet dhe vendimtare, teksa garanton se shqiptarët do të dalin të votojnë masivisht. Ai shton se vetëm vota e shqiptarëve mund të sjellë ndryshim, teksa ka kërkuar që asnjë votë mos shkojë kot.
Fjala e Bashës:
Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra! Kam kaluar e kam qëndruar me dhjetëra herë në Fushë-Arrëz. Fushë-Arrëzin para rrugës së Kombit, Fushë-Arrëzin pas rrugës së Kombit. Kam kaluar si anëtar i qeverisë, kam kaluar si kryetar i opozitës, por kurrë, kurrë se kam parë kaq plotë Fushë-Arrëzin sa sot! Plotë me të rinjtë dhe të rejat e Fushë-Arrëzit, me krenarinë tonë që i përshëndes nga zemra! Faleminderit për energjitë tuaj, për forcën tuaj që paralajmëron fitoren! Plotë me nënat e Fushë-Arrëzit, me bashkëshortet, me motrat dhe vajzat tuaja që janë mbledhur në këtë shesh sepse kanë vendosur t’i thonë bollë më dështimit 8-vjeçar. Kanë vendosur t’i fshijnë lotët e vuajtjeve që solli për 8 vite Edi Rama e të votojnë të gjithë për ndryshimin, për fitoren! Plotë me themeluesit dhe qëndrestarët e Partisë Demokratike, me pionierët e demokracisë, shumë prej jush sot me flokë të thinjura por gjithsesi në zemrat tona mirënjohja për sakrificën tuaj është e pavdekshme. Nga Jugu në Veri vendi ynë, nga Jugu në Veri qytetet tona kudo ku kam shkuar kam takuar të rinj dhe të reja që kërkojnë mundësi për punësim dhe arsim në vendin e tyre, kam takuar nëna që kërkojnë të ardhme për fëmijët e tyre, kam takuar qytetarë që kërkojnë punësim. Kam takuar shqiptarë që kërkojnë që Shqipëria të ecë përpara. Kam takuar e takoj qytetarët e këtij vendi që duan që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Sot nga Fushë-Arrëzi dua ta përsëris mesazhin tim: vëllezër e motra është në dorën tuaj, ndryshimi do të bëhet realitet duke votuar javën tjetër. Vota juaj do të bëj të mundur që Shqipëria mos të mbetët më peng i dëshirave, peng i mllefeve, peng i tekave të një njeriu të vetëm, i një njeriu që ka sjellë vetëm dështime këto 8 viteve. 8 vite të gjata për familjet tuaja dhe pas 8 viteve dështime troket prapë në dyert tuaja për të kërkuar edhe 4 vite të tjera, për të vjedhur të ardhmen e fëmijëve tuaj, nëna të Fushë-Arrëz-it, për të marrë peng rininë, të ardhmen e Shqipërisë. Sot nga Fushë-Arrëz mesazhi juaj në këtë qytet, në zemër të maleve, mesazhi me këtë pjesëmarrje të paparë e të padëgjuar më parë, mesazhi i entuziazmit dëgjohet në gjithë Shqipërinë dhe thotë fare qartë se më 25 prill është koha për t’u ndarë njëherë e mirë me Edi Ramën dhe me dështimet e tij. Sepse Shqipëria do ndryshim, Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe kjo është tërësisht në dorën tuaj. Shqiptare dhe shqiptarë, shiheni, dëgjojeni vullnetin e Fushë-Arrëzit, vendimin e tyre për ndryshim nuk ka forcë ta ndalë. Ndaj, është shumë e rëndësishme, shumë e rëndësishme që e diela e ardhshme t’i gjej kutitë e votimit plot me shprehjen e vendimit, vendimit tuaj që e shprehni sot në këtë shesh, vendimin që kam dëgjuar nga Saranda në Tropojë. Të gjithë masivisht, asnjë votë mos të shkoj kot, të gjitha votat për ndryshim. Këto do të jenë zgjedhjet më masive në historinë e vendit. Shqiptarët do të dalin më masivisht se kurrë. Shumë më shumë se çdo herë, sepse këto janë zgjedhjet më vendimtare. Në këto zgjedhje shtrohet një pyetje: 4 vite të tjera dështim apo votë për ndryshim që të fitojë Shqipëria, të fitojë Fushë-Arrëzi, të fitojë Puka, Shkodra, e çdo familje shqiptare?
E shoh, e ndjej se ndryshimi këtu ka mbërritur por kjo javë është java e sprintit drejt ndryshimit. Natë e ditë, ditë e natë, orë pas ore, këto orë që na ndajnë, këto më pak se 200 orë, më pak se 200 orë, na ndajnë nga dita kur do të bëhen bashkë ndryshimin e madh për Shqipërinë. Si zemra juaj rreh për ndryshimin. Tik-tak, tik-tak, tik-tak rreh ora që na çon drejt fitores. Fitores për Fushë-Arrëzin, fitoren për Shqipërinë, fitores për shqiptarët. Koalicioni për ndryshim, aleanca jonë, qeverisja jonë e ardhshme të këtij vendi I ka gati planet për ekonominë, i ka gati planet për të bërë të mundur punësimin, rikthimin e investimeve, rritjen e pagave, pensioneve. Ne kemi gati planet për ti dhënë fund dështimeve, për të rikthyer infrastrukturën rurale subvencionet për fermerët për të garantuar që minerale dhe thesaret e nëndheshme të Fushë-Arrësit, të Pukës e të gjithë Shqipërisë, të pasurojnë jo një grup njerëzish por banorët e këtyre zonave, minatorët e këtyre zonave dhe familjet e tyre. Ndaj ky është vendi, kjo është koha për të përsëritur zotimin tim se nesër si kryeministri i të gjithë shqiptarëve, për të gjithë minatorët dhe të gjithë minatorët pensionistë do të bëjmë brenda gjashtë muajve të parë realitet statusin e minatorit sipas standardeve evropiane. Dhe pasuritë e këtij vendi nuk do të shkojnë më për të pasuruar një apo dy njerëz e për të mbajtur në këmbë një apo dy hije që e kuptojnë se iu ka ardhur ora. E kanë kuptuar e kanë dëgjuar në shqip, e kanë dëgjuar në gjuhën e partnerëve tanë strategjik. Nëse doni ndryshimin votoni ndryshimin dhe ndryshimi po vjen. Asgjë s’e ndal dot, askush s’e ndal dot dhe ndaj të bëhemi të gjithë bashkë vëllezër e motra. Ne kemi një ekip që ju përfaqëson denjësisht. Ju, gra e burra të Fushë- Arrëzit, ju vajza e djem të Fushë-Arrëzit, ju meritoni përfaqësim dinjitoz, ju meritoni vëmendje nga qeveria e ardhshme. Ju do ta keni përfaqësuesin tuaj në parlamentin e Shqiptarë. Ju do ta keni zërin tuaj në qeverinë e ardhshme që do të jetë qeveria e gjithë shqiptarëve. Ndaj, i ftoj sot edhe ata që janë dy herrë zemërthyer sepse i kane besuar dy herë me votë atij që vetëm i la në baltë i dështoi, ejani bashkohuni, bëjeni këtë lum energjie të pandalshëm, bëjeni këtë energji të punojë dhe të sjellë mirëqenie për ju dhe familjet tuaja. Vëllezër dhe motra ju e dini fare mirë, shpresat tuaja, ëndrrat tuaja, ambiciet tuaja, vuajtjet tuaja, sfidat tuaja kanë dhe mund të kenë zgjedhje dhe zgjidhje brenda afateve që ne kemi përcaktuar, por ju duhet ta dini se për këtë gjithsecili prej jush duhet të marrë përgjegjësi, përgjegjësi duke votuar më 25 Prill. Këto do të jenë zgjedhjet më masive në historinë e vendit. Shqiptarët do të dalin masivisht si kurrë më parë. Kjo është java e sprintit drejt ndryshimit.
Lajmi kryesor:
Basha-Ramës: Koha jote mbaroi, lutesh kot për bashkëqeverisje! Për 8 vite iu vure qytetarëve në qafë lakun e mjerimit, pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë masive
//ReportTv.al