Kryetari Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar popullin dhe institucionet e Kosovës për 17-vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në facebook, ai thekson lidhjen e pandashme të Kosovës me kombin shqiptar dhe rrugëtimin e tij familjar, profesional dhe politik në mbështetje të saj.
Basha shpreh mirënjohje për presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Ai më tej falënderon aleatët perëndimorë, veçanërisht SHBA-në, Britaninë e Madhe, NATO-n dhe vendet europiane, për rolin e tyre kyç në pavarësimin e Kosovës.
Duke vlerësuar arritjet e Kosovës, Basha nënvizoi nevojën për maturi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë për të forcuar shtetin dhe integrimin ndërkombëtar.
Urimi i plotë i Bashës:
Në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës, me zemër uroj popullin e Kosovës, institucionet e saj dhe shqiptarët anembanë botës, Gëzuar Pavarësinë.
Kosova është pjesë e pandashme e jetës së kombit tonë, po ashtu pjesë e pandashme e rrugëtimit tim familjar, profesional dhe politik. Zoti më ka bekuar me mundësinë për të qenë bashkëudhëtar i ngjarjeve historike të Kosovës, të punoj e të jap kontributin tim, si një amanet i të parëve të mi, që do ta nderoj në çdo moment të jetës sime.
Në këtë ditë të shënuar, përulem me respekt dhe mirënjohje, para presidentit Ibrahim Rugova, personifikimit të pavarësisë, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patriotëve, intelektualëve, veprimtareve, bijëve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifkuan gjithçka për ëndrrën shekullore për liri.
Mirënjohje e përjetshme edhe për miqtë dhe aleatët e mëdhenj, që qëndruan krah për krah shqiptarëve në realizimin e pavarësisë, SHBA-ja, Britania e Madhe, NATO dhe vendet mike europiane, që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan vendosjen në vend të një të drejte historike.
Sfidat në konsolidimin e një shteti të fortë, të begatë dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike, kërkojnë sot maturinë, vizionin dhe vendosmërinë e lidershipit të Kosovës, si dhe bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të partnerëve strategjikë, SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, që jam i bindur se nuk do të mungojnë.
Jemi krenarë për arritjet e jashtëzakonshme të Kosovës në këto 17 vite, e po ashtu të vetëdijshëm se më e mira është përpara.
Gëzuar Kosovë, Zoti e bekoftë Kombin tonë
Lajmi kryesor:
Sot Kosova 17 vjet shtet, urojnë krerët e shtetit shqiptar! Begaj: Faleminderit aleatëve tanë që janë krah teje! Rama: Gëzuar pavarësinë!
G.K/r.k./ReportTv.al
