Shqipëria uron sot Kosovën për 17-vjetorin e pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008, parlamenti i Kosovës, në deklaratën e lexuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, duke përfunduar aspiratën e mbarë kombit.
Krerët e shtetit shqiptar dhe jo vetëm përcjellin urimet më të mira.
Ka qenë kryeministri Edi Rama, i pari i cili me anë të një postimi në rrjete sociale, ka uruar: Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë!
Urimi erdhi dhe nga presidenti Bajram Begaj.
"Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje!" shkruan Begaj në një postim në facebook
Edhe Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duartrokitën për Kosovën në 17-vjetorin e pavërsisë duke përcjellë urimet për çdo qytetar të Kosovës, për dëshmorët e saj dhe sakrificat e popullit për lirinë që gëzojnë sot.
"Ne, në Kuvendin e Shqipërisë mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin e paprerë, jetik e strategjik me institucionet e reja të Republikës së Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar e nderuar shprehjen e lirë të vullnetit dhe votës së qytetarëve të Kosovës" tha Spiropali.
Përmes një flamuri gjigand në Sheshin ‘Nënë Tereza’ shkon urimi i nga Tirana për të gjithë popullin e Kosovës.
E sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja. Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.
Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.
Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.
Foto: Hashim Thaçi dhe Erion Veliaj
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dërguar një mesazh urimi për 17-vjetorin e Kosovës, teksa ndodhet në parburgimin e Durrësit.
“Urime 17 vjetorin e Pavarësisë Kosovë! Një ditë krenarie për sakrificat e së shkuarës dhe ditët më të ndritura që Kosova i ka përpara. Përqafime vëllazërore dhe urime të përzemërta për këtë ditë historike” shkruhet në faqen zyrtare të veliaj në Facebook.
Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali, ka uruar ditën e sotme në hapje të seancës së Kuvendit, 17- vjetorin e shpalljes së pavarisë së Kosovës.
Spiropali e konsideroi 17 shkurtin, ngjarjen më të madhe për Kosovën, Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Ajo u shpreh se pret që të vijohet bashkëpunimi me institucionet e reja që do të krijohen pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë.
‘Sot është një ditë e madhe. Sot është një ditë historike, për Kosovën, Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Para se të fillojmë me rendin e ditës, sot, në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e cila ka hyrë në histori si Dita e Pavarësisë së Kosovës, ju ftoj që nga kjo sallë, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, t’u përcjellim urimet vëllazërore me një duartrokitje popullit, Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës. Nën frymëzimin e Presidentit Ibrahim Rugova, qytetarët e Kosovës i rezistuan paqësisht dezintegrimit të egër të ish-Jugosllavisë dhe më pas, u përgjigjën edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirënjohje pafund për gjithë martirët e asaj lufte, për gjithë ato jetë që u prenë në mes në këmbim të lirisë.Në këtë ndeshje të pashembullt, në krah të popullit të Kosovës dhe shqiptarëve të rajonit, ishte aleanca më e madhe politiko-ushtarake, e cila luftoi dhe fitoi betejën e parë antifashiste në Evropë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Kosova ishte në ato muaj dramatikë ndërgjegja e lënduar e qytetërimit perëndimor, që vendosi t’i përgjigjet me forcën e të drejtës, forcës së verbër të regjimit gjakatar të Beogradit. Mirënjohje pafund për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe e BE-në, NATO-n dhe gjithë vendet e tjera mike që bashkëmundësuan lirinë e Kosovës.
Sot, Republika e Kosovës dhe Shqipëria janë dy gjysma të të njëjtës aspiratë, për t’u bërë së afërmi pjesë e Bashkimit Evropian. Janë dy flamuj, por një komb e një gjuhë. Ne, në Kuvendin e Shqipërisë mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin e paprerë, jetik e strategjik me institucionet e reja të Republikës së Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar e nderuar shprehjen e lirë të vullnetit dhe votës së qytetarëve të Kosovës’, tha ajo.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka uruar ditën e sotme 17 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai i uron Kosovës mbarësi, ndërsa ka ndarë edhe një video ku shihen dy parashuta që fluturojnë afër njëra-tjetrës, ku njëra mbanë flamurin e Kosovës dhe tjetra me atë të Shqipërisë.
‘Gëzuar pavarësinë Kosovë e dashur. Paç gjithmonë mbarësi’, shkruan ai.
Kryetari Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar popullin dhe institucionet e Kosovës për 17-vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në facebook, ai thekson lidhjen e pandashme të Kosovës me kombin shqiptar dhe rrugëtimin e tij familjar, profesional dhe politik në mbështetje të saj.
Basha shpreh mirënjohje për presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Ai më tej falënderon aleatët perëndimorë, veçanërisht SHBA-në, Britaninë e Madhe, NATO-n dhe vendet europiane, për rolin e tyre kyç në pavarësimin e Kosovës.
Duke vlerësuar arritjet e Kosovës, Basha nënvizoi nevojën për maturi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë për të forcuar shtetin dhe integrimin ndërkombëtar.
Urimi i plotë i Bashës:
Në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës, me zemër uroj popullin e Kosovës, institucionet e saj dhe shqiptarët anembanë botës, Gëzuar Pavarësinë.
Kosova është pjesë e pandashme e jetës së kombit tonë, po ashtu pjesë e pandashme e rrugëtimit tim familjar, profesional dhe politik. Zoti më ka bekuar me mundësinë për të qenë bashkëudhëtar i ngjarjeve historike të Kosovës, të punoj e të jap kontributin tim, si një amanet i të parëve të mi, që do ta nderoj në çdo moment të jetës sime.
Në këtë ditë të shënuar, përulem me respekt dhe mirënjohje, para presidentit Ibrahim Rugova, personifikimit të pavarësisë, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patriotëve, intelektualëve, veprimtareve, bijëve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifkuan gjithçka për ëndrrën shekullore për liri.
Mirënjohje e përjetshme edhe për miqtë dhe aleatët e mëdhenj, që qëndruan krah për krah shqiptarëve në realizimin e pavarësisë, SHBA-ja, Britania e Madhe, NATO dhe vendet mike europiane, që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan vendosjen në vend të një të drejte historike.
Sfidat në konsolidimin e një shteti të fortë, të begatë dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike, kërkojnë sot maturinë, vizionin dhe vendosmërinë e lidershipit të Kosovës, si dhe bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të partnerëve strategjikë, SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, që jam i bindur se nuk do të mungojnë.
Jemi krenarë për arritjet e jashtëzakonshme të Kosovës në këto 17 vite, e po ashtu të vetëdijshëm se më e mira është përpara.
Gëzuar Kosovë, Zoti e bekoftë Kombin tonë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar nga burgu 313 Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë. Meta shkruan se PL është e vendosur për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
'Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur!
Forcohesh çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe garantimit të votës së lirë.
Partia e Lirisë është e vendosur për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe të mbështesë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB.
Urimet më të përzemërta vëllazërore!', shkruan Meta.
Komente
