Sheshi 'Newborn', Prishtinë

Kosova & Rajoni

Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë! E dalë nga zgjedhjet pret formimin e qeverisë! Kurti: Sot Republika më e fortë se asnjëherë më parë! Osmani: Ecim përpara

17 Shkurt, 07:13| Përditesimi: 17 Shkurt, 19:36

  • Share

PRISHTINE-  Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Një sërë organizimesh - nga mbledhja festive e Qeverisë së vendit deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës - ishin organizuar gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori.

Kreret e shtetit në Kosovë e nisën ditën sipas axhendës ceremoniale e cila nisi me ngritjen e flamurit në institucionet qëndrore.

Kurti dhe Osmani zhvilluan homazhe në monumentin e të pagjeturve dhe të zhdukurve të luftës. Osmani në mesazhin e saj e quan rrugëtimin e Kosovës së lirës prej 2008-ës të pandalshëm.Qeveria e Kosovës, zhvilloi mbledhjen festive të saj si ccdo 17 shkurt. Kreu I qeverisë Albin Kurti teksa shprehu mesazhe nderimi për luftëtarët e UCK, tha se Kosova sot është më e fortë së kurrë.

“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit . Demokracia kërkon institucione të sigurta. Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.

Pas ngritjes solemne të flamurit, Presidentja Vjosa Osmani nënvizoi se s’ka asgjë që e ndalë Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane, dhe të përjetshme

Kurti së bashku me Presidenten Osmani zhvilluan edhe homazhe në varrin e ish presidentit Ibrahim Rugova.

Edhe krerët e tjerë të politikës zhvilluan homazhe në nder të figurave historike të luftës dhe pavarësisë së vendit. Kreu I LDK Lumir Abdixhiku kreu gjithashtu homazhe në varirn e ish presidentit Rugova.

Kreu i PDK Memli Krasniqi, nga Prekazi ku kreu homazhe në varrezat e dëshmorëve Jashari tha se e gjithë politika duhet të bëjë më shumë për vendin.

Në mesditë si çdo vit, në qendër të Prishtinës u zhvillua parada ushtarake e forcave të armatosura të Prishtinës ku qindra mijëra qytetarë sfiduan të ftohtin me rastin e festës.

Ndërkohë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u nis sot për në Kosovë për të marrë pjesë në pritjen shtetërore në nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku do të mbajë edhe një fjalë.
Presidenti i Republikës do të takohet gjatë vizitës në Kosovë me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enriko Barduani, dhe trupat shqiptarë që shërbejnë në misionin e NATO-s në KFOR.

E dalë nga zgjedhjet pret formimin e qeverisë
Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja. Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.

Dje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato - veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime - me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.

Edhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier ka uruar presidenten Vjosa Osmani për 17-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme në përkrahje të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian të Kosovës.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë në politikat e sigurisë, reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë. Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e BE-së”, thuhet në urim.

Kosova përballë ndërkombëtarëve
Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës, përveç tjerash, kanë hequr nga përdorimi dinarin serb dhe kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, prej të cilave serbët kanë marrë shërbime të ndryshme.
Qeveria i ka justifikuar këto veprime si shtrirje të autoritetit të saj dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke i pezulluar disa fonde dhe takime të nivelit të lartë.

Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.

Ora 19:34
Erdogani uron Osmanin me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

1739817341_img12.jpg

Vjosa Osmani dhe Recep Tayyip Erdogan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Erdogan i ka shprehur Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës urimet më të përzemërta në emrin e tij dhe të kombit turk, duke ritheksuar lidhjet historike, njerëzore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.

“Ai ka nënvizuar mbështetjen e palëkundur të Turqisë për sovranitetin, integritetin territorial dhe përpjekjet e Kosovës për afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare, duke rikujtuar rolin e shtetit të tij, si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës në Kosovë.

Presidenti Erdogan ka theksuar vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ora 16:28
Izraeli i uron Kosovës pavarësinë në gjuhën shqipe

1739806672_KosovaIzrael.jpg

Postimi i ministrisë së Jashtme të Izraelit

Në mesin e shumë shteteve që uruan Kosovën për 17-vjetorin e saj të Pavarësisë, ishte edhe Izraeli.

Ministria e Jashtme e këtij vendi, urimin e bëri në gjuhën shqipe.

Njohja e fundit për vendin erdhi nga shteti izraelit, e 117-ta. Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021. Po ashtu, Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Ora 16:24
​Flamuri i Kosovës ngrihet mbrapsht në ceremoninë shtetërore

1739805906_img10.jpg

Flamuri i Kosovës është ngritur mbrapsht në ceremoninë shtetërore me rastin e shënimit të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Flamuri i Kosovës që u ngrit nga ushtarët e FSK-së ishte vendosur mbrapsht.

Në pamje shihet harta në qendër të flamurit, e cila është në anën e kundërt./ KosovaPress /

Ora 09:13
17-vjetori i Pavarësisë, Osmani: Ecim përpara, s’ka asgjë që e ndal Republikën tonë të lirë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pas ngritjes solemne të flamurit, Osmani falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën e sakrifikuan për një Kosovë të lirë.

Para mediave, ajo tha s’ka asgjë që e ndalë Kosovën e pavarur dhe sovrane për të ecur përpara.

“Është një ditë që ne ju themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan  dhe dhanë gjithçka në mënyrë që ne sot së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike. Duke filluar nga arkitekti i Pavarësisë sonë, presidenti historik, dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri tek secili qytetarë i Republikës sonë që sakrifikoi me mundë e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Edhe një herë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, faleminderit për kontributin e dhënë, do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane, dhe të përjetshme. Urime!”, tha Osmani.

Ora 09:05
Kosova 17 vjet shtet! Kurti: Sot Republika është më e fortë se asnjëherë më parë

Në 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një urim ka ardhur edhe nga kryministri i Kosovës Albin Kurti.

 Ai tha se në këtë ditë duhet që të nderohen të gjithë ata që sakrifikuan për liri, ndërsa theksoi se sot Kosova është më e fortë se asnjëherë më parë.

'Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan edhe u flijuan për lirinë tonë. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit . Demokracia kërkon institucione të sigurta. Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.

Për shënimin e ditëlindjes së 17 të shtetit të Kosovës ekzekutivi ka organizuar një sërë aktivitetesh përfshirë homazhe e ngjarje kulturore.

17 vite më parë, në orën 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë nga 120, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serbë.

G.K/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?