Vetëm tetë ditë pas zgjedhjeve për kryebashkiakun e ri, këshilli bashkiak i Himarës u mblodh në një takim jashtë radhe më 12 gusht për t'i hapur rrugë transferimit të mbi 21 mijë metrave kullotë në Gjilekë për llogari të projektit strategjik “White Roads Hotel” nën administrimin e Florenc Gjikurisë.
Vendimi i Këshillit Bashkiak, i propozuar nga kryetari në detyrë, Arqilea Bollano, e kalon sipërfaqen nga pronësia e bashkisë në pronësi të Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, FPPMIS, që më pas e jep atë me qira simbolike 1 euro te investitori i shpallur strategjik.
Videoja e mbledhjes, e postuar në faqen e Facebook-ut të Këshillit Bashkiak tregon se 14 pjesëmarrësit në mbledhje votuan pa shumë debate, ndërsa anëtarët e opozitës në këtë këshill nuk ishin të pranishëm.
Afrovita Dhimojani, kryetare e Partisë Demokratike në Himarë dhe drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës, pretendoi në një bisedë telefonike me BIRN se mbledhja jashtë radhe ishte bërë në shkelje të ligjit.
Dhimojani tha se kalimi i pronës nuk kishte qenë në rendin e ditës dhe se ajo nuk e kuptonte se si ishte përfshirë.
“Ky projektvendim erdhi edhe në korrik dhe unë kundërshtova kalimin në rend dite, pasi nuk kishte informacion të mjaftueshëm,” tha Dhimojani. Ajo tha se ka paqartësi nëse toka ka apo jo konflikt gjyqësor dhe shtoi se nuk kishte dijeni që për të të ishin zhvilluar dëgjesa publike.
I pyetur në lidhje me kundërshtimet për këtë transferim, biznesmeni Florenc Gjikuria që administron “White Roads Hotel” e konsideroi vendimin një procedurë rutinë.
Ai tha se kundërshtimet dhe bojkoti nga opozita vinin për shkak të situatës së tensionuar paszgjedhore. Gjikuria pretendoi se për këtë kalim pronësie ishin bërë edhe dëgjesat publike.
“Shumica e sipërfaqes që përdor projekti është private,” tha Gjikuria.
Megjithatë, dokumentet bashkangjitur vendimit të Këshillit Bashkiak tregojnë se sipërfaqja e pronës publike është gjashtë herë më e madhe sesa prona private e investitorit prej 3297 metrash.
Shtesa 2 hektarë
Projekti “White Roads Hotel” u miratua si investim strategjik në vitin 2022, duke përfituar si masë mbështetëse edhe 9100 metra katrorë tokë shtet me qira 1 euro, pasi kjo pronë u hoq më herët nga fondi kullosor i zonës.
Por një vit më pas “White Roads Hotel” i kërkoi Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS, një sipërfaqe shtesë prej 21 mijë e 900 metrash tokë shtet, duke e arsyetuar këtë me një kontratë me brandin ndërkombëtar Hyatt International LLC.
Në këtë vendimin, KIS miratoi edhe sipërfaqen shtesë dhe arsyetoi se ajo jepej “për të përmirësuar hapësirat dhe funksionalitetin e këtij projekti, në përputhje me standardet më të mira të brand-it”.
Në vendim bëhet me dije se projekti synonte një resort turistik multidimensional.
“Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi”, thuhet në vendimin e KIS. Sipas vendimit, aty parashikohet një investim prej më shumë se 21 milionë eurosh.
Pas këtij vendimi dhe shtesës së dhënë, një sërë institucionesh u vunë në lëvizje për të realizuar kalimin e tokës shtesë te investitori.
Realacioni i Bashkisë Himarë, bashkëlidhur vendimit për transferimin e sipërfaqes shtesë prej mbi 2 hektarësh, detajon një sërë shkresash të shkëmbyera mes institucioneve që prej fillimit të vitit 2024, përfshi Kadastrën, Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.
Megjithatë, këshilltarja demokrate Afrovita Dhimojani thotë se megjithë këtë angazhim, kur ky projekt- vendim iu paraqit këshillit në korrik, ajo pa se kishte mungesë të informacionit.
Dhimojani tha se kishte paqartësi për sipërfaqen, ndaj e kishte refuzuar kalimin në seancë për t'i kërkuar informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë për të verifikuar nëse mbi pronë kishte pretendime të tjera dhe nëse kishte apo jo procese gjyqësore.
Dhimojani tha se ky ishte një nga problemet më të mëdha të Himarës dhe se bashkia nuk duhej të bënte kalimin pa sqaruar këtë pjesë, pasi ishte arsye për konflikte.
Anëtarët e shumicës në Këshillin Bashkiak, janë po ashtu të ndërgjegjshëm për problemet e pronësisë. Gjatë diskutimeve në mbledhje, një këshilltare ngre pyetje nëse për pronën kishte apo jo konflikte gjyqësore dhe nëse kishte qytetarë që e pretendonin atë.
“A ka mbivendosje?”, dëgjohet të pyesë dikush nga diskutuesit.
Por diskutimet këtu u prenë shkurt. Një prej këshilltarëve të shumicës, i ulur në fund të tavolinës ku zhvillohej mbledhja, këmbëngul disa herë që projekt vendimi të hidhej për votim. “O Dhimo, ne nuk jemi gjykatë. Kaloje”, thotë një nga anëtarët e këshillit që është me shpinë nga kamera, pasi bën disa herë gjeste të ngritjes së dorës në shenjë aprovimi dhe nxitimi.
Dhimojani i tha BIRN se mbledhja e Këshillit Bashkiak për këtë çështje ishte e paligjshme, pasi nuk ndiqte procedurën e përcaktuar për mbledhje të jashtëzakonshme. Po ashtu, sipas saj kalimi i pronësisë nuk ka qenë i parashikuar në rendin e ditës.
“Unë jam anëtare e kryesisë dhe unë e pashë rendin e ditës, kishte dy pika: Ndryshimet në buxhet dhe të ndryshme”, thotë ajo. Kryetarja e PD-së për Himarën shpjegoi se te pika të ndryshme futen zakonisht shqetësime që vijnë nga banorët, por projekt vendimi i miratuar nga shumica është propozuar nga kryetari i bashkisë. Ajo tha se ata do të informoheshin për vendimin në mbledhjen e rradhës në këshill.
Të ashtuquajturit investitorë strategjikë janë ndër përfituesit më të mëdhej të pronave publike në vend. Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë' qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.
Ata po ashtu marrin një sërë lehtësirash fiskale bazuar në një ligj i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, afatet e të cilit janë shtyrë herë pas here. Sipas ekspertëve të ekonomisë, ligji ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale./ BIRN
Ti thuash investim strategjik ndertimit te nje hoteli vetem ne albanistan ndodh or teeeejjjjj
PërgjigjuBashkia Himare e kalon pronen tek "Fondi" dhe Rama disponon fondin sipas qefit. Ne nje shtet nje veprim ose veprime te tilla i fusin ne burg njerzit. Porse ne nuk kemi prokurore por derra.
PërgjigjuSIGURONI UJIN 24 NE HIMARE ,,,PASTAJ NDERTONI HOTELE DHE RESORTE TE BUKURA ME PISHINA PERPARA,,JO ME PAK SE TRE PISHINA,, E PARKING PRAPA,,,,,POR ATO RESORTET DUHET TI LENE TE HUAJT PA FRYME....QE TE SIGUROJME DEVIZE...
PërgjigjuKy eshte shembulli me konkret pse /investitori strategjik/ duhet hequr si term e si praktike nje here e pergjithmone nga perdorimi ne Shqiperi dhe ky eshte gjithashtu nje shembull konkret pse dhenia me qira ose shitja e tokave/trojeve per investime te ketij lloji nuk duhen lene ne duart as te bashkive lokale,as te qeverive qendrore qe i kane kthyer ne /qoka/ e /shperblime/ sipas interesit e oreksit te paleve ,keto pasuri kombetare.
PërgjigjuPo akoma vazhdojn keta qelbesira qe falin token per 2 euro Keta duhen kallur te gjith ne burg
Përgjigju