BE krah Shqipërisë e Greqisë për të përballuar zjarret! Një avion ushtarak nga Rumania në dispozicion të autoriteteve shqiptare

13 Gusht, 16:31| Përditesimi: 14 Gusht, 07:17

  • Share

Bashkimi Europian i ka dalë në ndihmë Shqipërisë dhe Greqisë për të menaxhuar situatën emergjente me zjarret që po kalojnë dy vendet. Qendra e Koordinimit dhe Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian ka mobilizuar menjëherë burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve nga disa vende evropiane që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.

Greqisë do t’i shkojnë në ndihmë 2 helikopterë nga Franca dhe Serbia që do të ndihmojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit nga ajri. Ndërsa ekipet e zjarrfikësve që do të operojnë nga toka janë nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania, vende që u ofruan të parat që të ndihmonin Greqinë të përballonte vatrat e shumta të zjarreve në afërsi të Athinës.

Ndërsa ndihma për Shqipërinë do të ofrohet përmes një avioni ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet prej 6 tonësh ujë. Avioni pritet të japë ndihmën e parë të mërkurën e 14 gushtit.
Lajmin për ndihmat e ka dhënë vetë Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave në Komisionin Europian Janez Lenarčič përmes një postimi në “X” ku ndër të tjera shkruan se BE do të qëndrojë në krahë të Shqipërisë dhe Greqisë për të përballuar luftën me zjarret.

“Komisioni po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme sipas nevojës” shkruhet në faqen zyrtare të Komisionit Europian.

Si pjesë e masave për të përballuar zjarret në këtë sezon veror Bashkimi Europian ka përmirësuar flotën në gatishmëri që përfshin 28 aeroplanë dhe 4 helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare Mbi 540 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në vende kyçe në të gjithë Evropën, të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve kur është e nevojshme.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?