Pas SHBA-ve edhe BE ka reaguar ashpër ndaj tensioneve të ditës së sotme në veri të Kosovës pasi kryetarët e rinj të komunave të Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviçit tentuan të futen në zyrat e tyre.
BE dënon fuqishëm përplasjet në veri dhe ka bërë thirrje që të bëhen përpjekje për të ulur tensionet ndërsa ka nënvizuar se nuk do të tolerojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm apo provokues.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale. I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it. EULEX duhet të lejohet të kryejë mandatin e tij paqësisht. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë. BE-ja s’do të pranojë asnjë veprim të mëtejmë të njëanshëm apo provokues dhe ruajtja e paqes dhe siguria në terren duhet të jenë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.
Në fund, BE-ja ka përsëritur se “zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat e përfshira”.
“Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes dialogut të vërtetë ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”, thuhet më tej.
Lajmi kryesor:
Tensionet në veri, SHBA dhe BE: Kosova të ndalë veprimet e dhunshme, do ketë pasoja! Kurti e Osmani: Mbrojmë integritetin territorial të vendit
B.V/ReportTv.al