Tomas Guidara dhe Sylvinho

Sport

EMRI/ Aktivizohet si mbrojtës i djathtë, Sylvinho gjen risinë në Argjentinë! Trajneri e përmend në konferencën për mediat

26 Maj, 15:20| Përditesimi: 26 Maj, 18:50

  • Share

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy ndeshjet e radhës kualifikuese në qershor, të vlefshme për Grupin K në Kupën e Botës 2026. Më 7 qershor në "Arenën Kombëtare" vjen Serbia, ndërsa tre ditë më vonë tanët udhëtojnë për në Letoni.

Trajneri i tanëve, Sylvinho zbardhi listën me 27 emrat e ftuar, ndërsa në konferencën për mediet trajneri surprizoi jo pak. Braziliani, i pyetur për përballjen kundër Serbisë tha se lojtarët tanë janë nga çdo vend i botës, duke zbuluar se ai po ndjek edhe një futbollist në Argjentinë.

Bëhet fjalë për Tomas Guidara, 29-vjeçarin arbëresh që është pjesë e Huracan dhe më parë ka luajtur për Belgarno dhe Velez Sarsfield. I lindur në Cordoba më 13 mars 1996, mbrojtësi i djathtë ka nënshtetësi argjentinase dhe shqiptare; ndaj nuk do e kishte problem që të bashkohej me kuqezinjtë.

Emri i tij është përfolur edhe më parë për të qenë pjesë e Kombëtares, pikërisht në kohën e Christian Panuccit. Këtë sezon ai ka luajtur në 18 takime dhe luan te Huracan si i huazuar nga Velez, ku ka kaluar gjashtë vitet e fundit

"Ndeshja me Serbinë para 10 viteve? E kam parë atë që ka ndodhur vite më përpara dhe nuk shqetësohem, sepse do t’i përgatisim lojtarët për të luajtur futboll 90 minuta dhe do të bëhet diferenca. E bukura e kësaj Kombëtareje është se kemi lojtarë nga të gjitha anët e botës, kemi edhe një lojtar shqiptar në Argjentinë.

Unë besoj që lojtarët më të mirë në qarkullim janë këta 27 që ne kemi përzgjedhur. Sigurisht që ne kemi parë edhe lojtarë të tjerë, kemi listë prej 15-20 lojtarësh që nuk janë grumbulluar, por i vëzhgojmë vazhdimisht. Por jam i kënaqur me ata që kemi grumbulluar", tha mes të tjerash trajneri i Kombëtares.

Pas dy ndeshjeve të luajtura, Anglia me gjashtë pikë mban kreun e grupit, ndërsa Shqipëria dhe Letonia kanë nga tre pikë. Serbia me asnjë ndeshje të luajtur nuk ka pikë, ndërsa po me zero pikë është edhe Andorra që ka luajtur dy ndeshje.

Faximile me të dhënat e Tomás Guidara

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?