Begaj dekretoi ligjin për Komisionet Hetimore, Rama: Ka mbaruar koha kur Presidenti përdorte Kushtetutën si koktej molotov për revolucionet imagjinare të opozitës

18 Janar, 17:42| Përditesimi: 19 Janar, 07:59

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore Parlamentare, duke refuzuar thirrjen e opozitës për ta kthyer mbrapsht në parlament. Në platformën X, Rama shkruan se ka mbaruar koha politike kur Presidenti i Republikës "bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov", duke iu referuar kohës kur në krye të shtetit ishte Ilir Meta.

"Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë", shkruan Rama.

Në reagimin që vjen pas akuzave të njëpasnjëshme nga ana e deputetëve të opozitës ndaj Presidentit Begaj, Rama ka theksuar se do përfundojë shumë shpejt edhe kjo situatë e pazakontë parlamentare, duke iu referuar dhe kaosit të Rithemelimit. Kreu i qeverisë nënvizon se ky vit do jetë ai i ndryshimeve të mëdha pozitive, pas një sërë arritjesh në 2023-in.

"Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur", shkruan Rama.

Pas reagimit të Ramës mbi akuzat e opozitës ndaj presidentit për dekretimin e ligjit të komisioneve Hetimore, reagoi edhe kryedemokrati Lulzim Basha i cili tha se me ndryshimet në ligjin e Komisioneve Hetimore, kryeministri po përpiqet të fshihet për mes veprimeve të caktuara që i pamundësojnë opozitës transparencën mbi aferat korruptive.

Pavarësisht thirrjes së të dyja palëve të opozitës për të kthyer ligjin për “Komisionet Hetimore”, si rrugë që do të ndihmonte futjen në shinat e dialogut politik, opozitën dhe maxhorancën, Presidenti Begaj dekretoi ligjin e ri të komisioneve hetimore duke argumentuar se opozita nuk bëri asnjë përpjekje për arritjen e këtij konsensusi, çka dëshmon se qëllimi ishte thjesht bllokimi i ligjit.

Ora 18:41
Ndryshimet te ligji për komisionet hetimore, Basha: Makinacione të Ramës për t’i pamundësuar opozitës transparencën, tregojnë frikën e tij

Kreu i PD Lulzim Basha i ka cilësuar si makinacione të Kryeministrit Edi Rama, për të mos lejuar transparencën, dekretimin e ndryshimeve në ligjin për Kmisionet Hetimore Parlamentare. 

Në një reagim në rrjetet sociale kreu i PD, Basha, shkruan se Rama kërkon t’i pamundësoi opozitës transparencë.

"Ai që nuk ka asgjë për të fshehur nuk i trembet transparencës.  Makinacionet e Edi Ramës për ti pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta. Por transparenca për aferat korruptive ku është zhytur sot qeveria, që po varfëron dhe detyron shqiptarët të largohen do të bëhet me patjetër.   Sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive. Kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonat e Edi Ramës nuk e ndalin dot", shkruan Basha.

Lajmi në përditësim

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?