Begaj dekreton ligjin për Komisionet Hetimore, refuzon opozitën: Kishte qëllim bllokimin jo konsensusin

18 Janar, 12:51| Përditesimi: 18 Janar, 20:06

  • Share

Tiranë- Pavarësisht thirrjes së të dyja palëve të opozitës për të kthyer ligjin për “Komisionet Hetimore”, si rrugë që do të ndihmonte futjen në shinat e dialogut politik, opozitën dhe maxhorancën, Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot ligjin e ri të komisioneve hetimore.

Dekreti që mban datën 18 janar 2024 u shoqërua edhe me një dokument me argumente, ku kreu i shtetit ia bën të qartë opozitës se kthimi i ligjeve nuk është instrumenti për gjetjen e dialogut.

Presidenti argumenton pretendimet e opozitës dhe pse vendosi miratimin e ndryshimeve të ligjit të komisioneve hetimore 

"Pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi" argumenton presdienti

I ashpër në qëndrimin e tij Begaj thotë se Opozita nuk ofroi asnjë zgjidhje për kompromis edhe pse si kryetar shteti ftoi opozitën të kërkonin kompromis, "por nuk e bënë"

"Në të vërtetë, periudha nga miratimi i ligjit, deri në përfundimin e afatit 20-ditor për shpalljen e tij, u ezaurua pa asnjë demarsh për të ofruar dhe gjetur zgjidhje kompromisi, gjë që mban në këmbë si objektiv qëllimin për bllokimin e hyrjes në fuqi të ligjit, por rrëzon si të paqenë objektivin për “diskutimin dhe miratimin konsensual të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore”  argumenton më tej Presidenti duke hedhur poshtë pretendimin se ka shkelje kushtetuese dhe as parregullsi procedurale.

Zhvillimi me dyer të mbyllura i Komisioneve Hetimore nuk i kundërvihet transparencës, intepreton presidenti duke nënvizuar se kthimi i ligjeve nuk është instrumenti që lehtëson dialogun politik prandaj i bën thirrje palëve:

'Uluni në dialog, bashkëpunoni për të mirën e përbashkët"

Ligji nr.106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit, në mesin e debatit mes maxhorancës e opozitës, e cila rrëzimin e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj i quan mohim të së drejtës kushtetuese në parlament.

5 Argumentet e Presidentit 

Për sa u takon pretendimeve për antikushtetutshmëri të dispozitave të reja ligjore, të bëra publike nga disa eksponentë të opozitës, sqarojmë, si vijon:

1.       Është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim.

Është fakt publik se në instancat e brendshme të Kuvendit nuk është depozituar asnjë kërkesë me pretendime për shkelje procedurale të lidhura me këtë ligj. Shkeljet procedurale mund të formojnë lëndë për kontrollin kushtetues vetëm nëse shkeljet procedurale ngrihen në nivelin e shkeljeve kushtetuese. I tillë është, për shembull, rasti kur një ligj, për të cilin Kushtetuta kërkon miratimin me shumicë të cilësuar, miratohet me një numër më të vogël votash. Asnjëra nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk ngrihet në nivelin e një shkeljeje procedurale kushtetuese. Për pasojë, nuk e bën këtë ligj antikushtetues.

Po kështu, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi.

2.       Është pretenduar se amendamentet e miratuara nuk kanë të përfshirë qëndrimin e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit shumica parlamentare është e detyruar të pranojë ngritjen e komisionit hetimor dhe se ajo mund të vërë në diskutim vetëm objektin e hetimit dhe vetëm nëse ka pretendime për cenim të parimeve kushtetuese. Përballë këtij pretendimi qëndrojnë dy fakte thelbësore, të cilat mbrojnë kushtetutshmërinë.

Së pari, detyrimi për ngritjen e komisionit hetimor, kur këtë e kërkojnë jo më pak se 35 deputetë, është detyrim që buron nga neni 77 i Kushtetutës dhe nuk ka dispozita të këtij ligji që t’i kundërvihen.

Së dyti, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, që ka përcaktuar edhe kufijtë e diskrecionit të shumicës parlamentare, në këtë rast, gjithashtu, nuk kundërshtohet nga asnjë dispozitë e këtij ligji. Opinioni se kjo çështje duhet të ishte përfshirë në tekstin e ligjit me formulime konkrete, sipas kësaj linje, mund të konsiderohet racional, por mungesa nuk e bën ligjin antikushtetues, sikurse nuk i zhbën detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.

3.       Është pretenduar se përcaktimet e ligjit të ri për rregullat për zhvillimin me dyer të mbyllura të mbledhjeve të komisionit hetimor synojnë eliminimin e transparencës, e cila është thelbi i punës së tij. Formulimet që përcaktojnë me numërtim rastet kur mund të zhvillohen mbledhjet me dyer të mbyllura, i shërbejnë transparencës, sepse nëpërmjet kufizimit të rasteve disiplinojnë vendimmarrjen e komisionit dhe reduktojnë mundësinë e abuzimit me këtë mekanizëm. Rastet e përmendura në ligj janë përjashtimore dhe secili prej tyre i shërben mbrojtjes së një interesi tjetër kushtetues ose ligjor. Këto dispozita nuk eliminojnë transparencën. Shkelja e tyre mund ta bëjë këtë. Ligji nuk mund të quhet antikushtetues. Veprimtaria në kundërshtim me të, po.

4.       Është pretenduar se rregulli i ri për marrjen e provave dhe thirrjen me vendim të ndërmjetëm të dëshmitarëve është antikushtetues. Edhe ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues.  Është e vërtetë se dispozita për marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve me vendim të ndërmjetëm formon regres në raport me ligjin e mëparshëm, i cili, kryerjen e këtyre procedurave nuk ia nënshtronte votimit, por çështja në vetvete nuk ka lëndë kushtetuese. Nuk mund të pretendohet, për shembull, që në këtë rast kemi të bëjmë me cenimin e një të drejte të fituar, sepse parimi kushtetues i mbrojtjes së të drejtave të fituara vepron në një fushë tjetër dhe për subjekte krejt të tjera. Në këtë rast, jemi përpara dy zgjidhjeve ligjore, konkurruese me njëra-tjetrën, por të dyja janë kushtetuese.

Nga ana tjetër, rregullat për marrjen e dëshmisë dhe përmbajtjen e saj nuk mund të konsiderohen kufizuese. Ato sqarojnë pozitën procedurale të dëshmitarit dhe janë në harmoni me legjislacionin shqiptar, (përfshirë modelet e huaja të referencës).

5.       Për sa i përket kërkesës për përfshirjen e Presidentit të Republikës në procesin e dialogut politik, kjo përbën konsideratë të një natyre të ndryshme nga konsideratat që i takojnë procedurës së kontrollit kushtetues të ligjeve. Kthimi i ligjeve për shqyrtim nuk është instrumenti kushtetues që i është dhënë Presidentit të Republikës për të lehtësuar dialogun. Ligjet nuk shpallen për hir të “dialogut politik mes palëve”, por si pjesë e procesit legjislativ, për shkakun se kalojnë me sukses filtrin kushtetues.

Me këtë rast, sjellim dhe një herë në vëmendje mesazhin e Presidentit të Republikës drejtuar deputetëve me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar dhe thirrjen e tij për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo thirrje është e vlefshme edhe në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare.

Reagon opozita

Akt të turpshëm që vetëm thellon krizën në parlament e konsideroi Gazment Bardhi dekretimin e ligjit të ri të Komisioneve Hetimore. Ai tha se Begaj humbi shansin për të qenë mbi palët. Edhe Partia Demokratike zyrtare përmes deputetit Kreshnik Çollaku u shpreh e pakënaqur duke thënë se Begaj zhgënjeu për një të drejtë të pakicës në parlament.
Shenim: Në zhvillime me poshte jane reagimet e opozites

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Njoftimi për shtyp i Presidences

Ora 16:55
Begaj dekretoi ligjin për Komisionet Hetimore, Tabaku: Në kundërshtim me Kushtetutën! Shans i humbur për të pasur gjithëpërfshirje

1705593680_1699870710tabaku.jpg

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me dekretin e presidentit Bajram Begaj për Ligjin e Komisioneve Hetimore.

Nëpërmjet reagimit të saj në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se dekretimi i këtij ligji nga Begaj, është shans i humbur për të pasur një ligj gjithpërfshirës. Sipas saj, edhe pse ligji u dekretua, sërish është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me frymën e integrimit europian.

“Dekretimi nga Presidenti i Ligjit për Komisionet Hetimore është një shans i humbur për të pasur një ligj jo vetëm konsensual për të rregulluar funksionet kushtetuese të Kuvendit por gjithashtu edhe një ligj gjithpërfshirës në shërbim të mekanizmave të balancës dhe kontrollit që ka pushteti legjislativ ndaj atij ekzekutiv. Ky dekret nuk do të thotë aspak që ligji i miratuar me votat e socialistëve nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në antagonizëm të plotë me frymën e integrimit Europian”- shprehet deputetja.

Ora 14:56
Dekretoi ligjin për Komisionet për Hetimore, Bardhi: Të mos i fryjë përçarjes, të ngrihet në lartësinë e detyrës që i takon

 

Gazment Bardhi thotë se Presidenti Bajram Begaj duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës që i takon dhe se sipas tij të mos i fryjë  përçarjes dhe akteve që e vendosin institucionin e presidentit përballë deputetëve të opozitës.

I bëj thirrje presidentit të ngrihet në lartësinë e detyrës. Unë e kuptoj që presidenti është zgjedhur me votat e mazhorancës mirëpo ky aspekt ka kaluar dhe tani duhet të sillet në lartësinë e postit dhe jo si vartës i kryeministrit. Është garant i kushtetutës. Nuk duhet ti fyejë përçarjes dhe akteve që e vendosin institucionin e presidentit përballë deputetëve të opozitës. Akti i sotëm i dha fund shansit që ne i kemi dhënë presidentit.

Ora 14:47
Nuk e lejuan të mbajë fjalimin në Kuvend, Bardhi: E njoftova Begajn për aksionin e opozitës, zgjodhi të vinte e të keqpërdorej nga Rama

 

Deputeti Gazment Bardhi ne një deklaratë për mediat thotë se e kishte njoftuar Presidencën për kaosin e opozitës që do të mbanin të hënën, ku nuk u lejua që Presidenti të mbante fjalën. Bardhi tha se ishte zgjedhja e tij që të vinte në Kuvend dhe të keqpërdorej nga Rama.

“Begaj pas sjelljes së tij të ditës së hënë, e kam njoftuar Presidencën mbi atë që deputetët e opozitës do bënin të hënën. Oshte zgjedhja e presidentit që të vinte dhe të keqpërdorej nga Rama. Nuk kishte asnjë surprizë, sa kohë për të shmangur çdo keqkuptim, edhe pse njoftimin për pjesëmarrjen deputetët e opozitës e mësuan nga diskutimet e bëra në grupin e PS, përsëri zgjidhja një rrugë konstruktive ta informoja mbi atë që do ndodhte në seancë, për të shmangur përplasje me institucionin kushtetues të Presidencës, pas aktit ku e lejoi Ramën ta keqpërdorte për të krijuar një alibi të dhunimit të të drejtave të opozitës. Presidenti humbi shansin të jetë mbi palët, të jetë garant i funksionimit kushtetues të institucioneve. Presidenti na tha që të ushtrojë kompetencat kushtetuese do duhet ta marrë urdhrin nga Rama. Pra nëse ne biem dakord me mazhorancën, Begaj e kthen për shqyrtim në Kuvend, në fakt presidenca e kthen kur konstaton problematika”, tha Bardhi.

Ora 14:41
Begaj dekretoi ligjin për Komisionet Hetimore, Bardhi: Humbi shansin të jetë mbi palët, po bllokojnë të drejtën e opozitës për kontroll! PS asnjë përpjekje për dialog poltik

 

Deputeti Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat pas presidenti Begaj dekretoi ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore. Bardhi tha se Begaj humbi shansin për të qenë mbi palët, ndërsa sipas tij ka thënë një të pavërtetë që opozita ka shmangur mundësinë për dialog, pasi sipas tij, PS nuk është ofruar asnjëherë për dialog.

"Citon një të pavërtetë që kanë qenë deputetë e opozitës që kanë shmangur mundësinë për dialog politik. E vërteta që di çdo qytetar shqiptar është që opozita prej tre muajsh është në beteje për të kërkuar të drejtat e veta kushtetuese. Ndje keqardhje që presidenti nuk e ka konstatuar, mazhoranca s’ka bërë asnjë përpjeke për dialog politik, por ka shtuar masat agresive ndaj opozitës në Kuvend”, tha Bardhi.

Ora 14:20
Begaj dekretoi ligjin e ri për Komisionet Hetimore, Çollaku: Zhgënjyese, e drejtë kushtetuese e opozitës

1701854432_collaku.jpeg

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj dekretori ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore. Çollaku shkruan se ky është një akt zhgënjyes nga Presidenti, ndërsa thekson se ngritja e komisioneve hetimore janë e drejtë kushtetuese e opozitës.  

Dekretimi nga Presidenti i ndryshimeve ligjore te njëanshme për Komisionet Hetimore Parlamentare, është një akt zhgënjyes për rolin e paanshëm dhe mbi palët i institucionit të Kreut te Shtetit.

Komisionet Hetimore Parlamentare janë një e drejte Kushtetuese e opozitës, e çdo lloj opozite dhe kreu i Shtetit duke pranuar vështirësimin ose pamundësimin e ngritjes se tyre ,ne mënyre te vullnetshme pengon aktivitetin e Opozitës duke i hequr apo vështirësuar te vetmen hapësirë politike qe Opozita ka, hetimin dhe debatin parlamentar. Zhgenjyese.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?