I pranishëm në mbledhjen e Përbashkët Vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, presidenti Bajram Begaj u ndal te funksionimi i sistemit të ri të drejtësisë duke nënvizuar se rezultatet janë të prekshme. Ai shprehu mbështetje veçanërisht për SPAK dhe GJKKO.
“Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën dhe kurajon të triumfojë. Për herë të parë kultura e pandëshmueshmërisë është goditur thellë. E rëndësishme është ripërtëritja e trupës me gjyqtarë dhe prokurorë që sistemi të jetë imun. Suksesi garantohet vetëm nëse transformimi garantohet nëpërmjet punës. Së bashku garantoni ripërtëritjen e shpejtë të sistemit me magjistratë profesionistë. Duhet të jeni të vetëdijshëm se drejtësia e re nuk është anonime. Sistemi është i juaji mbajeni të pastër atë. Drejtësia nuk është vetëm një koncept ligjor por sigurimi i barazisë para ligjit. KLGJ-ja, KLP-ja dhe ILD-ja kontroll për cilësinë e vendimmarrjes dhe llogaridhënies. Ripërtëritje e shpejtë e sistemit me magjistratë profesionistë dhe me integritet të lartë. Mbani pastër sistemin! Drejtësia e re në duart tuaja”, tha Begaj.
Një drejtësi që lufton korrupsionin dhe kriminin e organizuar, Begaj tha se është edhe kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Standardet janë vendosur brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që solli reforma në drejtësi. Çështje parësore tashmë mbetet zbatimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i këtyre standardeve me përgjegjësi dhe prioritet. Rezultatet e reformës janë të prekshme. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën, kurajën dhe energjinë të punojë, të përballet e të triumfojë kundër krimit”, tha Begaj.
Lajmi kryesor:
10 Maji/ SHBA e BE në një zë: S'ka hapa pas! Reforma në drejtësi duhet të jetë e pakthyeshme! Mbështesni SPAK, ka presion politik
B.K//ReportTv.al