Nis sesioni i ri parlamentar, Begaj mesazh deputetëve: Lërini pas fyerjet e debatet, kthejeni Kuvendin në hapësirë pajtimi dhe debatesh konstruktive

4 Shtator 2023, 08:08| Përditesimi: 4 Shtator 2023, 15:30

  • Share

TIRANË-  Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kreu i shtetit, Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh të gjithë ligjvënësve, teksa ‘klima’ politike duket sërish e tensionuar. Në një mesazh të gjatë, Presidenti Begaj i bën thirrje klasës politike që t’i lënë pas debatet dhe fyerjet mes njëri-tjetrit dhe ta kthejnë Kuvendin në një hapësirë pajtimi dhe debatesh konstruktive. Begaj u kërkon që të diskutojnë për të ardhmen e qytetarëve dhe jo të nxisin debate.

“Dua t’ju përcjell kërkesën e qytetarëve tanë, të cilët kanë  nevojë që t’ju shohin e t’ju dëgjojnë tek diskutoni për të tashmen e të ardhmen e tyre, pa humbur kohë me personalizimin e debateve dhe fyerje reciproke, skena këto që i zhgënjejnë, i bëjnë pesimist  dhe i distancojnë ata nga politika. Thirrja ime është e thjeshtë: kthejeni Kuvendin në hapësirën e pajtimit dhe në vendin e debateve konstruktive, ku profesionistë të ndryshëm, media, studentët, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë dëshirë të përfshihen për t’i dhënë një shtysë të fortë reformave për integrimin evropian dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit.”

Begaj e vendos theksin në disa çështje, si reforma në drejtësi, korrupsioni, arsimi, shëndetësia, e deri tek vota e emigrantëve. Në veçanti, Begaj u kërkon deputetëve të Kuvendit që të mbështesin pa dallim reformën në drejtësi.

“Rezultatet e reformës në drejtësi janë të dukshme dhe është e domosdoshme që të gjitha forcat politike dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, njëzëri të ofrojnë mbështetje për përparimin e kësaj reforme që i vendos fjalën epilog tranzicionit dhe shënjon një vijë të qartë ndarëse mes të kaluarës dhe së ardhmes”, thuhet në mesazhin e Begaj.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit, kreu i shtetit thotë se duhet të mbështetet nga Kuvendi përmes nismave që synojnë parandalimin dhe ndëshkimin e fenomeneve korruptive

“Shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit duhet të jenë çështje jo vetëm të agjencive ligjzbatuese, por duhet të mbështeten thelbësisht nga Kuvendi përmes nismave që synojnë identifikimin, parandalimin dhe ndëshkimin e fenomeneve korruptive që privojnë dhënien dhe garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve dhe bizneseve”, thotë Begaj.

Presidenti kërkon bashkëpunimin e qeverisë që të realizojnë votimin e emigrantëve brenda zgjedhjeve të ardhshme.

“Qeveria, Parlamenti, bashkë me Institucionin e Presidentit, duhet të bashkërendojnë forcat që diaspora të kthehet në burim zhvillimi për vendin. Një hap themelor në këtë drejtim është marrëveshja për kuadrin ligjor, që do të realizojë bërjen realitet të votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, jo më vonë se në zgjedhjet e ardhshme,” – shprehet Presidenti Begaj.

Në vëmendjen e Presidentit Begaj në mesazhin drejtuar Kuvendit janë dhe sfidat e sigurisë, ku veçon atë të sigurisë kibernetike.

“Sulmet e përsëritura kanë treguar se jemi ende të brishtë ndaj luftës hibride dhe mbrojtjes së kufijve në sistemet digjitale. Ju ftoj të rishikoni dhe të hartoni dokumente strategjike, si Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, si dhe të miratoni akte konkrete për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtare.”

Lajm ne përditësim...

(Kliko këtu për lexuar fjalën e plotë të presidentit Begaj)

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Entela: 04/09/2023 09:31

    Kur flet ky per perfshirje te profesionisteve, gjithe profesionistet qe kishte i iken, te pamoralshmit bejne moral!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?