Politikë

Begaj pas samitit të SEECP: Deklarata e Tiranës zyrtare u miratua nga shumica e vendeve pjesëmarrëse, Shqipëria në një linjë me BE

16 Qershor, 21:52| Përditesimi: 16 Qershor, 23:00

  • Share

Në mbyllje të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidenti Bajram Begaj sqaroi qëndrimin e Shqipërisë lidhur me deklaratën e përbashkët të miratuar. Në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit konfirmoi se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan nënshkrimin e saj, ndërsa pjesa tjetër e vendeve e mbështeti.

Gazetarët: Serbia ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e përbashkët?

Presidenti i Republikës - Përshëndetje! Faleminderit shumë për gjithë këtë pritje dhe për prezantimin si duhet të një samiti, i cili ka vlerë të madhe për të gjitha vendet e Evropës Juglindore jo vetëm për faktin e një procesi anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe të bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese nëpërmjet dialogut do të sjellë zhvillim, do të sjellë prosperitet, do të sjellë stabilitet dhe paqe për të gjithë rajonin tonë.

Gazetarët: Cili ka qenë qëndrimi i Serbisë?

Presidenti i Republikës: Në fakt, ne sot patëm një qëndrim, ishte deklaratë e Tiranës.

Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë, dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës, për të pasur shërbime të mira publike.

Gazetarët: Pjesa e sanksioneve do të jetë pjesë e deklaratës së përbashkët?

Presidenti i Republikës: Është një deklaratë shtesë, që është e shënuar në protokoll, që bëhet bazuar në të gjitha ligjet ndërkombëtare, e bërë nga Prishtina.

Gazetarët: Po pretendimet e Serbisë ishin për çështjen Gaza dhe për luftën në Ukrainë?

Presidenti i Republikës: Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë, por unë mendoj se siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë, siguria është një term dhe definicion më i përhapur, më i gjerë, dhe çfarëdo ndodh sot në botë është një rrezik për stabilitetin jo vetëm atje ku ndodh, por për të gjitha vendet e botës. Ne e kemi kuptuar shumë mirë se çfarë ndodhi me agresionin e pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, që solli, mbi të gjitha, probleme jo vetëm për vendet e përfshira në konflikt, por po ashtu edhe për vende të tjera në prishjen e zinxhirit të furnizimeve.

Gazetarët: Në takimet me dyer të mbyllura keni patur diskutime apo qëndrime mbi konfliktin e nisur mes Izraelit dhe Iranit? Ka pasur qëndrime të përbashkëta apo të kundërta, nisur nga fakti që prezent ka qenë Ministri i Jashtëm i Turqisë?

Presidenti i Republikës: Patjetër, unë thashë që deklarata e Tiranës zyrtare u miratua nga shumica e vendeve pjesëmarrëse, kështu që kur them u miratua nga shumica, përveç Beogradit dhe Sarajevës, të tjerët nuk kishin asnjë lloj pretendimi. Ajo çfarë ne thamë, është qëndrimi zyrtar i Shqipërisë. Politika e jashtme e Shqipërisë është 100% e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian. Kemi hapur edhe kapitullin përkatës për këtë gjë dhe besoj se është gjëja e duhur që ne kemi bërë.


Lajmi kryesor:

Samiti i SEECP në Tiranë, miratohet deklarata e përbashkët, refuzohet nga Serbia e Bosnja! Begaj: Mbështesim Izraelin, Irani të ndalojë programet bërthamore


H.K/S.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A prisni që rinumërimi i 44% të kutive të votimit të ndryshojë rezultat?