Politikë

Begaj pret presidentin e Letonisë, në fokus të takimit çështjet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes: Provokimet e Rusisë na bashkojnë më shumë

2 Tetor, 17:54| Përditesimi: 2 Tetor, 20:20

  • Share

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, priti sot Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

Vizita e tij në Tiranë pason atë të Presidentit Begaj në Riga vitin e kaluar, e cila ishte vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë në tre vendet baltike.

Si kryetarë shtetesh aleate në NATO, Presidentët Begaj dhe Rinkēvičs trajtuan sot në takim çështjet e mprehta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në një kohë kur provokimet ruse u intensifikuan me shkeljet e hapësirës ajrore të disa shteteve. 

"Rusia vijon aktet e saj të provokimit me shkeljet e përsëritura ajrore në disa vende anëtare të NATO-s, si: Polonia, Estonia, Danimarka dhe Rumania, çka na bën të jemi më të vendosur dhe të bashkuar në Aleancë për t’u përballur dhe për t’i dhënë fund jo vetëm këtyre provokimeve, por edhe luftës",- është shprehur Begaj.

Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua edhe për marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për situatën në Ballkanin Perëndimor, dhe  në rajonin baltik.

"Ne shkëmbyem mendime të vyera edhe për zhvillimet e fundit në botë, Evropë dhe veçanërisht në rajonet tona të Ballkanit Perëndimor dhe të Baltikut. Ne dënojmë agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Të dyja vendet tona kanë mbajtur një qëndrim të palëkundur dhe sot theksuam mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës",- ka thënë Begaj.

Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë për sigurinë, duke theksuar kontributin e Letonisë përmes trupave në KFOR në Kosovë, si dhe të trupave shqiptare në prezencën e përparuar të NATO-s në “Camp Ādaži” të Letonisë. Të dy presidentët ndanë qëndrim të njëjtë për sa i përket shqetësimeve të sigurisë, duke përfshirë agresionin rus, kërcënimet hibride dhe bashkëpunimin për sigurinë kibernetike, keqinformacioni dhe dizinformimi,  brenda kornizave të NATO-s dhe BE-së.

Në takim u rikonfirmua angazhimi edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.  Presidenti i Republikës i përcolli homologut të tij Rinkēvičs mirënjohje për mbështetjen e Letonisë në procesin e anëtarësimit evropian, duke u shprehur se ka pritshmëri të larta nga Presidenca Letoneze e BE-së në vitin 2028, në një kohë kur Shqipëria është zotuar të mbyllë negociatat në 2027-ën dhe në 2030 të bëhet anëtare e Unionit.

Ora 20:16
Peleshi pret në takim presidentin e Letonisë, në fokus forcimi i bashkëpunimit mes vendeve dhe angazhim i përbashkët në sigurinë rajonale

1759429101_aa.JPG

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe si integrimi europian, siguria rajonale dhe shkëmbimi i përvojave parlamentare.

Një vend të rëndësishëm në bisedë zuri bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, ku prania e trupave shqiptare në Letoni dhe angazhimi i trupave letoneze në misionin e KFOR-it në Kosovë janë një dëshmi e qartë e mbështetjes së ndërsjellë dhe e solidaritetit mes dy vendeve aleate.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, falënderoi Letoninë për mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian, ndërsa Presidenti Rinkēvičs vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin ekonomik, arsimor dhe kulturor.

Ky takim konfirmoi vullnetin e përbashkët për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe partneritetin euroatlantik.

K.M/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?