Behar Gjoka

Behar Gjoka: Të kthehen sytë nga Kalaja e Stelushit, monumenti po rrënohet

17 Korrik 2019, 07:48| Përditesimi: 17 Korrik 2019, 07:52

  • Share

Gjatë një udhëtimi të organizuar në rrënojat mbi 5-shekullore të Varoshit, i quajtur qyteti i Skënderbeut, në Mat, u ngjitëm edhe në Kalanë e Stelushit. Kalaja që ka bazamentin e një fortese ilire është një nga monumentet më të rëndësishme që lidhet me epopenë e lavdishme të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Gjatë shekullit të 15-të, Stelushi ishte një kështjellë, jo vetëm me karakter strategjik, por edhe seli e rëndësishme e Kastriotëve dhe e Matit, rrëfen studiuesi Behar Gjoka në një intervistë për “Shqiptarja.com”. Përmes kësaj interviste, studiuesi i njohur bën apel për rrënimin që ka ky monument kulture i lënë tërësisht pas dore.

Intervista

Zoti Gjoka, u krye një udhëtim i organizuar prej jush në trevat e Matit me studiues, arkeologë, gazetarë në qytetin e harruar të Varoshit dhe Kalanë e Stelushit. Çfarë qëllimi kishte ky udhëtim?
-Të them të drejtën, aty ka dy shënime që tërheqin vëmendjen: është fjala për Kalanë e Stelushit, është fjala për qytetin e Varoshit, dhe shpesh në dokumente numërohet si një ndër qytetet e Skënderbeut ajo hapësirë, që presupuzon të dyja marrëdhëniet me këto monumente. Të them të drejtën, unë e kam vizituar në vitin 1986-1987 dhe mbaj mend bedenat dhe murin rrethues. Tani që shkova, doja të dija se çfarë ka ndodhur me këtë monument kulture me vlera historike. Ajo që pashë ishte dëshpëruese, sepse erozioni dhe pakujdesia ka bërë shumëçka. Natyrisht, është vënë një pllakë, është vënë një flamur aty në majë të Kalasë, por identifikimet duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me gërmime, në marrjen në mbrojtje realisht. Në thellimin e studimeve të mëhershme çfarë përfaqëson kjo kështjellë, e cila sipas Skënder Anamalit e ndonjë studiuesi tjetër, thuhet se është kështjellë iliro-arbnore dhe kjo është një nga ato arsyet që do përfundime tashmë të thelluara. Ana tjetër që kjo kala, kjo kështjellë përdoret, restaurohet, rregullohet dhe vihet në funksionim të plotë nga Gjon Kastrioti, është një tregues i qartë i marrëdhënies së saj me hapësirat e Dibrës, me hapësirat e Matit. Me hapësirat e gjithkund atyre viseve ku lëviz epoka e Skënderbeut, e u shënua qëndresa e Skënderbeut. Në të gjitha hapësirat, me aq sa pashë, me aq sa munda, deklaroj se është momenti që institucionet e kulturës shqiptare, Instituti i Monumenteve, që e ka në listën e monumenteve me vlera historike, Instituti i Arkeologjisë do të duhet të kthejnë vështrimin, sepse me atë shpejtësi,me të cilën kanë humbur rrënojat e lagjes jashtë kalasë, kanë humbur muret e kështjellës në krye. Nuk e di se çfarë do të ndodh, pas shumë kohësh.

Janë marrë gurët për ndërtime apo kanë ndodhur shkatërrime të pavullnetshme?
-Nuk di të them me saktësi se çfarë ka ndodhur, por di të them që ajo që pashë ishte shumë dëshpëruese. Por natyrisht arkeologu, restauratori, Instituti i Monumenteve duhet të jetë në gjendje që të japë një përshkrim më të saktë mbi atë çfarë ky monument përfaqëson, sepse vlerat nuk janë thjesht vlera historike, janë vlera që kanë të bëjnë me teknikën e ndërtimit, me përzgjedhjen jo rastësisht të atij mjedisi, nga ana strategjike për t’u vendosur përfundimisht atje. Është koha që duhet të zgjohen institucionet kërkimore dhe kulturore, sepse ndoshta do të vijë një moment që ne do ta kthejmë vetëm në një gojëdhënë: “Na ishte dikur një kështjellë që e pati emrin Kështjella e Stelushit”. Dhe kjo nuk do të ishte mirë për askënd, aq më tepër për njerëzit që kanë interesa për kulturën, kanë interesa për historinë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fiset ku frymuan principatat e Kastriotëve. Bëhet fjalë për ato hapësira, për ato vise, ku u sendërtua epoka e Motit të Madh, me Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Gjatë këtij udhëtimi, në kontaktet me banorët dhe intelektualët e vendit, vumë re se ky monument i harruar, nuk është i harruar në gojëdhënat popullore, si dhe në toponimet me emrin Skënderbe, që nisin që nga burimet e ujit, kalatë, shkëmbinjtë e zonat të tjera më gjerë?
-Është një situatë që kujtesa gojore ka vlerën e vet, por monumenti dhe kujtesa materiale; kështjella, gurët e themeleve të rrënojave të lagjes Varosh, janë dëshmi e pakundërshtueshme. Në këtë kuptim janë mbledhur shumica e legjendave, e toponimeve, e gojëdhënave. Janë mbledhur në vitin 1960, janë mbledhur në ‘68-n, por kanë vlerën e tyre. Megjithatë, kështjella flet më shumë sesa të gjitha këto. Ata gurët e Varoshit, shenjat e banesave, ndarjet e dhomave, muret e një qyteti të tërë flasin më shumë sesa të gjitha këto. Sepse janë dëshmi unike. Domethënë këtu unë mendoj se është harresë, është pakujdesi, nuk është nevoja ta analizojmë. Ajo kështjellë është lënë të rrëgjohet, e duhet që vëmendja të kthehet seriozisht, të vazhdojë puna e përsosur që kanë bërë në fillim të viteve ‘60, arkeologë si Skënder Aanamali, për t’u thelluar në dije dhe për të zbuluar ato dëshmi që fsheh ende kështjella dhe qyteti i Varoshit.      

Sa prej kështjellave të Skënderbeut janë lënë pasdore në trevat rrotull Matit?
-Është kështjella e Prezës, është Petrela. Në fakt në gjendje gati-gati të mjerë është edhe Petralaba, në Gur të Bardhë, që është po ashtu kështjellë dhe qytet i Skënderbeut. Domethënë, me këto të dyja kështjella, e Stelushit dhe Petralba, janë futur në listën e monumenteve të kulturës, por as janë gërmuar, as janë restauruar dhe janë lënë në mëshirë të fatit. Unë do të thosha se edhe guri i fundit sikur të mbetet është dëshmi autentike, por këtu është fjala që sa mirë organizojmë përvjetorët e Skënderbeut, sa mirë që prodhojmë heronj që i ngjajnë Skënderbeut. Ka ardhur momenti që dëshmitë, si kalatë, si rrënojat e tyre, si gjithçka që ende vijon të gjallojë duhen rijetësuar, sepse unë e shoh që në qoftë se do të investojmë fare pak për një rrugë, aty do kishte vizitorë për arsye të natyrës, për arsye të kështjellës, për arsye të rrënojave të Varoshit, dhe për një arsye të një enigme shumë të madhe që mbart Varri i Turkut në po ato rrënime.

Ka një përpjekje nga vendasit, ku pamë se kanë bërë një gardh rrethues, kanë kositur barin në muret e saj, cilat janë disa që kanë bërë përpjekje?
-Janë disa prej personave që ishin në këtë ekspeditë eksplorimi si Qemal Ceni, Iman Gjoka, Ali Gjoka, etj. Por ta mirëmbash është një nismë e mirë, por që ta gërmosh për të mësuar atë që përfaqëson është një detyrim institucional dhe shtetëror për  mirëmbajtjen, ruajtjen, gërmimin dhe dokumentimin. Këto mund t’i bëjnë vetëm institucionet e specializuar, në këtë rast. Duhen përshëndetur përpjekjet e tyre për t’i dalë zot, por unë mendoj se dalëzotësi më i madh është shteti, dhe kjo Ministria e Kulturës është e detyruar ta marrë në mbrojtje, është e detyruar që të çojë edhe ekspedita kërkimore arkeologjike. Është problemi i historisë sonë, është pesha e rëndë e identitetit tonë, është emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Nëse ne ndriçojmë epokën e Skënderbeut, hapësirat dhe viset ku ai “shkroi” Motin e Madh të shekullit të 15-të, atëherë ne kemi dhënë kontributin tonë që secili të ketë pjesën e vet në histori. Historia e gojëdhënave, historia institucioneve, e heroit tonë kombëtar përplaset në të gjitha format e veta. Keni parasysh, se përplaset për një figurë që tashmë është vlerë e universit njerëzor. Për shembull unë nuk jam me atë dilemë që të kalojmë në atë ferrin ku kaloi Skënderbeu.

Kalaja e Stelushit

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?