Shenjat e një ndertese te madhe në Varosh

Reportazhi/ Varoshi, qyteti i panjohur i Skënderbeut në Mat dhe Kalaja e Stelushit

17 Korrik 2019, 07:42| Përditesimi: 17 Korrik 2019, 17:14

  • Share

Përmes rrugëve malore e mrekullive të natyrës, me pjesëtarët e një ekspedite eksploruese,të organizuar nga studiuesi Behar Gjoka, u nisëm nga Tirana drejt rrënojave të harruara të një qyteti mbi 5-shekullor, atyre viseve të Matit. Qyteti quhet Varosh dhe, jo vetëm studiuesit, por edhe në gojëdhënat popullore atë e njohin si një qytet të madh ku zotëronte Gjon Kastrioti, babai i Skënderbeut dhe që kishte dy lagje të mëdha, me një popullsi që mendohet të ketë qenë edhe 2000 banorë. Aq të shumtë duhet të kenë qenë banorët e këtij qyteti, sa thuhet se ata të Varoshit të Sipërm nuk i njihnin banorët e Varoshit të Poshtëm...!

Sikur të mos ishte natyra që të hipnotizonte me gjelbërimin, me pyjet, me thepat malore, dhe shkëmbinjtë magmatikë (me ato thesare të fshehura mineralesh), apo gurrat shkumëbardha, e sikur syri mos të të shihte përgjatë rrugëve kaltërinë joshëse të lumenjve e të liqeneve të bukura të Ulzës, nuk do të ishte aq i lehtë udhëtimi ynë.

Po udhëtonim drejt rrënojave të një qytetërimi 500-600-vjeçar dhe njërës prej kalave më strategjike të luftës që bëri Skënderbeu në Motin e Madh, drejt kalasë së Stelushit, nga e cila syri të shihte edhe që përtej edhe kalanë e Petralbës. Kalaja e Petralbës ndodhet mes fshatrave Gur i Bardhë dhe Fshat në bashkinë Klos, e ndërtuar mbi një majë mali në një lartësi rreth 800 m. Mësojmë se kjo kala së bashku me kalanë e Xibrit kontrollonin rrugën Dibër-Qafë-Murrizë.

Kështu që, pasi mbërritëm në Burrel, u desh të shoqëroheshim nga vendasit bujarë me makina të posaçme për rrugë alpine. Rrugëtimi vijoi duke gjarpëruar rrugëve malore të pashtruara, duke ecur mbi gjurmët 5-shekullore të qerreve dhe të karvanëve që kalonin motit të madh Rrugës së Arbërit. Morëm rrugën për në Zenisht, në Lis, pamë Kepin e Skënderbeut në Vigj, derisa mbërritëm aty ku legjenda përkon me historinë, në rrënojat e qytetit mesjetar të Varoshit.

I mbetur ende me “brinjë të thyera” nga luftërat e mëdha e stuhitë e shekujve, qyteti i lashtë dukej sikur ende merrte frymë jete.

I fotografuam muret, hapësirat e dukshme të dhomave të shumta që kishte një banesë, si dhomat e zahireve, gatimit, banjave, ndjenjës, etj. Ishim duke prekur e kaluar sipër dhjetëra themeleve banesash që zinin secila një sipërfaqe nga 300 deri në 500 metra katrorë, a më shumë. Po preknin shenjat e jetës së dikurshme, furrat e pjekjes, bimët mjekësore dhe lulet mbi rrënoja, portat e gurit dhe jo pak formate të gurëve edhe më të lashtë se 500-vjeçare, që kishin karakterin e gurëve të kështjellave ilire.

Këto rrënoja u bën fakt në dritën e syrit të gjithsecilit. Dolën papritur nga harresa, duke marrë një formë të vërtetë të ekzistencës, por edhe të zbulimit: Na kishit harruar, ja na gjetët. Jemi ende këtu!E në të vërtetë aty ishin.

Duke shkuar deri në atë qytet të Arbrit, ne po udhëtonin nëpër vende që pothuajse të gjitha kishin emra të epokës skëderbejane. Emrat, Pal, Gjon e Gjergj, që iu përkasin dhe familjes Kastrioti në 5 fshatra, i gjenim më të shpeshtuar.

“Gjejmë pesë herë emrin e Gjonit, tre herë emrin e Gjergjit dhe një herë emrin e Palit. Në vështrimin tim, në afër 15 fshatra të KryeMates që kanë pranuar të regjistrohen në atë kohë nga zyrtarët turq, shfaqen 25 herë emri Gjon, 13 herë emri Gjergj, 2 herë emri Pal, plot 25 për qind e emrave te kryefamiljareve të regjistruar mbajnë emrat Gjon, Gjergj, Pal, domethënë se janë ngjizur emrat prej Kastriotit III, II, I; aq të lidhur ishin vendasit me Kryetrimat e tyre... Gjoni vendosi që Gjergji të lindë në Petralbë; siç dimë nga rrëfimet e të moçmeve edhe djali i Gjergjit, Gjoni, lindi po në Petralbë.”, shkruan arkeologu Skënder Anamali (1921 - 1996) për Kastriotët.

Anamali është i vetmi autor që e studioi dhe gërmoi në këtë qytet antik.  Kalaja e Stelushit renditet mes kalave të tjera më të vjetra që lidhen me  Skënderbeun, dhe qyteti poshtë Kalasë quhet nga populli “Qytet i Skënderbeut”. Të gjitha fshatrat e sotme, rreth këtij qyteti mesjetar, janë të pasura me legjenda për Skënderbeun.

“Varroshi mendohet se ka pasur 20 mijë banorë në gojëdhënat që vijnë në një qendër të banuar, qendër të hershme, që ka pasur lidhje me qendrat verilindje, veriperëndim me Rrugën e Karvanëve për në Prizren, me Dukagjinin, me Kalanë e Macukullit.

Në rrafshin e gojëdhënave, më të spikatura dhe origjinale janë Gurra e Skënderbeut, qyteza e Varoshit. Në anën e majtë të Luzës janë rrënojat e një kishe. Është një kishë tjetër, Kisha e Shën Mërisë, kisha e Shën Trinisë. Janë pra, katër pesë kisha që e rrethojnë qendrën. Bëhet fjalë për para 500-600 vjetësh, kur popullsia ishte ende e krishterë. Dhe të gjitha rrugët që kalojnë në Vigj quhen rruga e Matit. Në këtë rrugë kanë lëvizur karvanët dhe karrocat për zhvillimin e tregtisë. Edhe në Cerujë ka një kala dhe lidhet me Petralbën dhe Petralba lidhet me Petrelën me kalanë e Xibrit, të cilat janë në një linjë. Duhet ta kthejmë vëmendjen nga këto monumente që të dalin në pah vlerat historike treguese edhe të kohës ilire, por edhe krejtësisht të dhënat për Gjon Kastriotin dhe pasuesit të tij. Kjo kala është cilësuar nga biografi Marlin Barleti si vendbanimi i Skënderbeut dhe njihet si qytezë e Varoshit. Kjo kala lidhej me shumë të tjera të njohura dhe më tutje është guri i Vashës dhe një  kala që i përket zonës së Dibrës. Qyteza e Varoshit ka qenë qendra e lidhjes në luftrat e Skënderbeut”,-tha studiuesi matian Qemal Ceni.

E megjithatë, gurët e këtij qyteti historik kishin shenjat e shkuljeve të vazhdueshme nga themelet, balta dhe bari, vijonte t’i mbulonte në heshtjen e qëmoçme.

Ndodh që gurë-gurë shuhet një kala!

Një thënie popullore jep kumtin se “gurë gurë bëhet një kala”. Kjo m’u kujtua sapo qëndruam përballë Kalasë së Stelushit, Monument Kulture i kategorisë së parë, që po shkonte drejt rrënimit. Epo ndodh edhe kështu “gurë gurë shuhet një kala!”.

Kalanë e Stelushit do ta ngjisnin me strategjitë rrethanore të një ngjitjeje alpinistike, me vështirësi, duke u kapur nëpër cepa shkëmbinjsh, e duke ndihmuar njëri-tjetrën. Ishte një ngjitje simbolike. Donim t’i jepnim frymë, jetë. Arritëm tek flamuri, dhe oshëtima e ajrit dhe erës aty të bënte aq entuziastë, sa të dukej se kishte prekur majën e Himalajës.

“Këtu ka shumë kështjella, sepse Gjon Kastrioti shtriu zotërimet dhe kjo kala ishte një pikë vrojtimi shumë e bukur, natyrore. Dhe këtu ka pasur pyje edhe më të dendura. Barleti thotë se kalaja vendoset në një pllajë të Matit, si e vënë me qëllim. Këtu janë Stelush e Varosh. Ka pasur qytete brenda kalasë; dy emra, dy shenja me Skënderbeun.”, tha Qemal Ceni.

Të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të kësaj ekspedite, dukeshin sikur kishin rënë në një mendje, që këtë herë të mos merreshin me faktet e botuara në veprat madhore te Barletit e të dhe Andrea Engjëllit për origjinën matjane të Kastriotëve.

Nuk ishte synimi i kësaj ekspedite që të bëhej sërish objekt diskutimi dhe interpretimi historia e prejardhjes së derës fisnike të Kastriotëve, por të tërhiqnin vëmendjen në atë që ka ndodhur vërtetë, që Kastriotët ishin sundues shekullor në Mat.

Barleti ka shkruar për kalanë e Stelushit se ishte rezidenca kryesore e Kastriotëve, e kalaja sot është aty, e lënë jashtë çdo restaurimi dhe guide turistike, kur në fakt duhej të eksplorohej edhe si një monument i rrallë.

Më e vjetra rrugë, që 500 vjet më parë funksiononte nga bregdeti në Stelush, dhe prej andej ne Prizren e Raguzë, nën mbikëqyrjen e Kastriotëve, mund të rilind si një ë rrugë e re nën mbikëqyrjen e shtetit të sotëm shqiptar.

Studiuesi Behar Gjoka thotë se “Gjon Kastrioti e kishte zgjeruar kufirin e tij nga Mati, ku ishte zot i tij, deri në Dibër dhe në Prizren e shtrihej ky zotërim deri në Adriatik midis Durrësit dhe Shëngjinit. Dhe këto zotërime kanë pasur qendër Matin”, thotë studiuesi Behar Gjoka, duke shtuar se vetë kalaja e Stelushit edhe në pozicionin e saj natyral ka qenë lehtësisht e përdorshme si pikë vrojtimi. Por kjo kala me ekzistencën e vet ka vlera shkencore dhe historike. Ta vizitosh atë, duhet të kalosh sipas rrugës rurale Shoshaj, Burrel, Qafë-Murrë.

Ndërsa arkeologu Skënder Anamali që ka mbledhur edhe legjendat e këtyre trevave shkruan se:

“Malësoret vendas do të tregojnë se dikur pranë kalasë së Varo¬shit ka pasur një qytet, i cili kishte edhe pazarin e tij. Grindja midis banoreve te kalasë i dha rast të takohen dy banorëve pleq, një kryevaroshas dhe një fundvaroshas, të cilët nuk qenë takuar më parë. Kaq i madh qe qyteti, përfundon legjenda”. E kështu, vendasit tregojnë se pranë qytetit të Varoshit gjendej edhe gurra ku Skënderbeu merrte ujë për të pirë dhe më tej vija e ujit e ndërtuar prej tij, që edhe sot mban emrin Vija e Skënderbeut.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bani: 08/05/2023 01:47

    Esht edhe VENDI KU ESHT VRA VANI(JOVANI) NE SHULLAN

    Përgjigju
  • richi: 04/12/2021 03:10

    Mirenjohje per shkrimin te cilin e lexova me kersheri te thelle. Dua tju ikurajoj qe gjithe ajo pasuri historike duhet rimekembur padiskutim dhe sa me shspejt. Madje te kthehet ne pike peligrinazhi per gjithe te interesuarit. besoj se do jete e sukseshme, mjaft tju thuash njerzve qe do shkojme ne vendlindjen e kryeheroit. Ju jeni aq te pasur sikur tia dinit vleren. Gure gure behet ose rikthehet historia. Ju mund ta beni. Duhet ta beni. Respekt

    Përgjigju
  • Artur: 17/07/2019 09:26

    Profesof Gjoka, edhte i respektuar ne te gjithe krahinen e Matit se pari si mesues e tani si studioes. Nderime profesor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?