Duke krahasuar fushatën e koalicionit që drejton, me atë të kundërshtarëve socialistë, Sali Berisha komentoi takimet elektorale të kreut të PS Edi Ramës, për të cilin thotë se është i aftë të bëjë gjithçka për votë.
"Njëra fushatë e elektrizuar e qytetarëve të lirë, tjetra fushatë e njerëzve të detyruar, e rrogëtarëve të detyruar të dëgjojnë ndoshta çdo gjë që nuk do donin të dëgjonin nga një njeri që ka humbur çdo logjikë, çdo standard dhe etikë dhe kalon nga një banalitet në një banalitet tjetër. del me moton ‘nudo për vota’. Është turp të quhet baba ky me këto fjalë që thotë për këta fëmijë heronj", tha Berisha.
Pikëpyetjeve të Edi Ramës se çfarë e mban në betejë një 80-vjeçar, veç interesit personal, Berisha ju përgjigj kështu:
"Personalisht unë e kam ftuar Edi Ramën dhe e ftoj në çdo kohë dhe në çdo studio që të zgjedhë ai, dhe në çdo shesh publik, të ballafaqohemi pak dhe të shohim se kush ka shenja të rrjedhjes dhe t’ua tregojmë shqiptarëve. E dyta, thashë se kjo besoj është pjesa më serioze që mund të paraqes përpara qytetarëve. Lidhur me moshën, të them të vërtetën, unë e konsideroj avantazh. Rikthimi im nuk ka aspak në bazë ambicie për karrige dhe për luks. Nuk del njëri të thotë që unë i kam pasur këto në rini. Nga mosha, mua më mbetet vetëm eksperienca e çmuar", theksoi Berisha.
Një përgjigje e ka edhe për Edi Ramën, i cili sot shigjetoi Chris LaCivita "duke thënë se "Latifi kishte kandidat atje në Amerikë, po këtu kë ka?!”. Berisha i dha këtë përgjigje: "E vërteta është që makthi i tij është i Chris LaCivcita. Unë ua thash, atë gjumin nuk e zë. Ai shkallmoi komplet pas shfaqjes së Chris Lacivita në krah të Berishës. Me Chris LaCivita dhe gjithë ekipin e tij, jemi në lidhje non stop, këtu dhe online."
Justifikoi edhe një status të kandidates së tij për deputete Arjana Kalasë që në këmbim të mbështetjes me votë, premtonte shpërblim në para.
Kreu i PD, Sali Berisha ka justifikuar kandidaten e tij për deputete, Arjana Kalanë e cila u shfaq me një video në Facebook, duke ofruar 1 mijë, 500 dhe 200 euro për ata që do ta mbështesin më 11 maj. Berisha tha se ishte keqkuptim, pasi ishte shpërblim për stafin, por në fakt Kalaja shfaqet qartë në video duke thënë se do shpërblejë mbështetësit e saj pikërisht një ditë para zgjedhjeve.
"Statusin ajo e ka hequr, ajo ka pasur fjalën për anëtarë të stafit të saj. Siç e kam kuptuar unë. Cili nga anëtarët e stafit do punojë më shumë, do ketë këtë shpërblim, por ai status është hequr, sepse kanë menduar se ka krijuar një keqkuptim", tha Berisha.
Komente
