Çfarë po ndodh me dosjet e nxehta të drejtësisë?
Kjo ishte një nga pyetjet dhe tematikat e trajtuara sot në emisionin “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj, me dy avokatët e ftuar, Idajet Beqiri dhe Fatmir Merkoçi.
A po punon dejtësia e re me ritmet që kërkohen edhe nga publiku, apo ndodhet në një situatë ‘stanjacioni juridik’. Avokati Beqiri hodhi kritika të forta për gjendjen aktuale të SPAK-ut dhe GJKKO-së, ku vuri theksin te ngadalësimi i dosjeve të bujshme që kanë në objekt Berishën dhe familjen e tij, por edhe polemikat e shortit të fundit të dosjes së aferës “Partizani”, ku kryesuese e trupës gjykuese do jetë kushërira e deputetes së PD-së, Elsa Ulliri.
“SPAK po punon me hapa të ngadaltë, sidomos me dosjet e nxehta, për të mos thënë një hap para dhe dy mbrapa. Kemi dosjen e Gërdecit me Mediun që po ecën ngadalë, dosja e 21 Janarit për të cilën Gjykata e Lartë kërkoi rinisjen e hetimeve, kam parasysh dosjen e vëllezërve Haklaj në Tropojë, kallëzimi i Izet Haxhisë për 23 krimet e Sali Berishës, si sulmi ndaj ambasadës së SHBA-së dhe tentativën për të vrarë ish-ambasadoren Mariza Lino, vjedhjen e thesarit të Kërrabës me dy të dyshuarit Berisha dhe Meta, por edhe privatizimet në vend në industrinë e rëndë. Kemi hetimet për lobin serb në Shqipëri me familjen Berisha, si Fazlliç-Lazareviç me Argita dhe Sali Berishën dhe të tjerat. Të gjithë këto procese janë të hapura. Dhe duket se SPAK është frenuar dhe ka nisur që të demoralizohet, që po i vjen nga GJKKO, e cila është kapur nga politika dhe miqtë e Argita Berishës, pasi kanë pasur fitime marrëmendëse në këtë pjesë”, tha Beqiri për Report Tv.
Ai e mbështeti këtë tezë edhe mbi faktin e shortit të fundit për dosjen “Partizani”, që përzgjodhi gjyqtaren Ulliri, e cila rezulton kushërira e parë e deputetes së PD-së në Krujë, Andia Ulliri.
“Kjo tregon edhe shortin e spikatur të dosjes “Partizani”, ku del gjyqtarja Ulliri që i bie dosja, ku ka qartë konfliktin e interesit, e duhet të tërhiqej për të mos krijuar keqkuptim apo revoltë në masë. Që populli të mos dëgojë se kushërira e deputetes së PD-së do gjykojë Berishën, sepse kjo lë shumë për të dyshuar”, u shpreh avokati.
Kurse avokati Merkoçi e kundërshtoi, duke u shprehur se kur analizohet në këtë linjë, duket sikur SPAK është krijuar vetëm për Berishën.
“Nuk flitet për PPP-të, për prishjen e Teatrit Kombëtar, për inceneratorët, por flitet vetëm për ato që ka bërë Berisha. Po më duket sikur SPAK është krijuar vetëm për Sali Berishën, sipas retorikës së Beqirit”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Beqiri për Report Tv: Berisha e nxiu Shqipërinë në Bruksel si agjent serb, PD alternativë e vdekur! Merkoçi: U futën në lista humbës si Këlliçi
A.Q/I.M/ReportTv.al
