Një zjarr ka rënë në fshatin Mbrakull, në Njësinë Administrative Mbrakull në Poliçan. Zjarri, që ka shkrumbuar një sipërfaqe të madhe me pisha, është duke vijuar ende në disa zona, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Pas njoftimit të marrë, drejt zonës kanë shkuar grupet e shërbimit zjarrëfikës të Poliçanit që janë duke punuar për të lokalizuar flakët dhe për të fikur zjarrin, që në disa zona është duke vijuar ende.
Terreni i vështirë malor e bën të pamundur futjen në zonën e zjarrit me mjete dhe kjo ka bërë që zjarrfikësit të ndërhyjnë me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine për fikjen e zjarrit. Burimet zjarrfikëse në vendngjarje konfirmojnë se shkak për zjarrin janë bërë temperaturat e larta.
Ndërkohë, një zjarr ka rënë edhe në fshatin Virjon, në Njësinë Administrative Otllak. Zjarri është vënë në kontroll nga zjarrëfikësit, ndërsa është shkaktuar si pasojë e shkëputjes së linjës elektrike. Pas njoftimit të marrë, drejt zonës ka shkuar grupi i shërbimit zjarrfikës, me 2 mjete dhe 6 efektivë të shpëtimit nga zjarri.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë operacionale është bërë i mundur lokalizimi i flakëve dhe fikja e zjarrit që rrezikonte 3 banesa dhe parcelat me dru frutorë të zonës. Ndërkohë që situata është vënë nën kontrroll, si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe prej 0.2 ha me pemë frutore shegë, pjeshkë dhe kumbulla.
Lajmi kryesor:
Zjarri në Finiq vijon prej 5 ditësh, 30 ushtarë dhe helikopteri punojnë për fikjen e flakëve! Pritet avion zjarrfikës nga Greqia (VIDEO)
S.B/E.H/ReportTv.al
