Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në vijim të denoncimeve të tij për blerje votash nga qeveria, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka shpërndarë 40 euro për rreth 200 mijë persona me aftësi ndryshe dhe për kujdestarët e tyre.
Në deklaratën e bërë nga selia blu, Berisha tha se pagesat për personat me aftësi ndryshe janë përdorur gjatë fushatës elektorale.
Sipas kryedemokratit, shumat prej 40 euro janë shpërndarë në formë shpërblimi për këtë kategori, vendim që është marrë në muajin dhjetor 2024 nga qeveria, por që siç u shpreh Berisha, është zbatuar gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit 2025.
“Ai ka përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe në kulmin e fushatës elektorale për të blerë vota.
Ka shpërndarë për 164 mijë persona me aftësi ndryshe, dhe për mijëra e mijëra kujdestarë të tyre që në total shkojnë rreth 200 mijë, ka shpërndarë si shpërblim 4 mijë lekë apo 40 euro.
Një vendim, të cilin e kanë marrë në dhjetor, por e kanë zbatuar pikërisht atëherë kur nuk mund të zbatohej, e kanë zbatuar në fushatën elektorale.
Solla këto shembuj për të ilustruar cinizmin ekstrem dhe pashpirtësinë e narkoqeverisë, e cila ndonëse i lë në kushte më të mjera, ju e patë, pensioni në Shqipëri është 60 përqind më i ulët se sa në vendin me pensionin më të ulët në Europë.
Dhe në vend se të ishte ndjekur politika e rritjes së pensioneve, e vendosjes së minimumit jetik, ndiqet praktika e shpërblimit për votë si për pensionistët, ashtu edhe për 200 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
Dënoj dhe njëherë me forcën më të madhe këtë farsë të shëmtuar zgjedhore dhe deklaroj se PD kurrë nuk do të njohë, nuk do ta pranojë.
Do bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë”, deklaroi Sali Berisha.
Lajmi kryesor:
100 euro për pensionistët, Berisha: Rama u bleu votën me bonus
V.GJ /E.H/ReportTv.al
