Sali Berisha, sot në konferencë
Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, nën akuzë prej më shumë se një viti për aferën në dosjen “Partizani”, akuzoi rëndë sot kryeministrin Edi Rama se po kërcënon gjyqtarin e dosjes së Erion Veliajt dhe se qëndron vetë pas krimit, duke përdorur edhe Altin Dumanin, kreun e SPAK.
Teksa mori në mbrojtje gjyqtarin e dosjes së Erion Veliajt, Berisha nuk i mungoi akuzat e përsëritura ndaj kryeministrit që e quajti “padrino” dhe Prokurorisë së Posaçme, teksa i kërkoi Dumanit edhe dorëheqjen pasi është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese dhe se ka bërë deklaratë të falsifikuar të pasurisë.
Kurse pyetjes nëse ka ndikuar situata e SHBA-ve në Shqipëri, kreu i selisë blu e pohoi, duke e quajtur Xhorxh Soros si ‘koka e gjarprit’ që u shtyp në Uashington. Por ai sulmoi ish-sekretarin amerikan të shtetit Anthony Blinken se përdori Altin Dumanin në SPAK për arrestimin e tij.
Berisha foli edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe votën e Diasporës, ku shtoi se janë të nevojshme këto ndryshime.
“Ne nuk mund të bëhemi shkak që vota e diasporës të hidhet në kosh. Problemi tjetër është se vota do dërgohet me zarf. Por të paketosh 200 mijë zarfa kjo do kohë, ndaj duhet spostuar, çështja e dërgimit të zarfave është serioze, ndaj kërkohet kohë. Tjetra është paraqitja e kandidatëve në televizion. Duhet patjetër, të paraqisin programin e tyre, veten e tyre, t’i njoh populli. Kjo ishte e mbyllur, tani kërkohet, kjo është dhe duhet”, u shpreh ai.
Në lidhje me SPAK, Dumanin, Sorosin dhe Blinken, ai nënvizoi:
“Shtypja e kokës së gjarprit në Uashington ka ndikuar. Vinte Blinken në Tiranë dhe takonte Dumanin. I jep atij titullin pse kishte arrestuar liderin e opozitës. Shtypja e Xhorxh Sorosit në Uashington pati ndikim shumë të madh në Shqipëri. Absolutisht. E patë si dridhej Edi Rama. A ka njerëz të ndershëm në SPAK e GJKKO, po ka. E kam thënë, e them e do ta them. Ka njerëz në drejtësi që e bëjnë punën saktë. Po ju e patë sot, u mor me biografinë e gjyqtarit, i majtë i djathtë. Mos u çudisni që Rama të ketë takuar Altin Dumanin para 2 ditësh në Durrës. Nuk përjashtohet, prova nuk kam, zërat janë, po hetojmë. Gojët e liga thonë se pati një takim. Kanë qenë në Durrës dhe nuk është bërë takimi, edhe mundet”.
Berisha nuk harroi të merrte në mbrojtje edhe Ilir Metën, kreun e Partisë së Lirisë të arrestuar prej 21 Tetorit të kaluar. Pasi denoncoi kërcënimet ndaj tij në qeli, paralajmëroi kryeministrin se do jetë përgjegjës nëse Metës i ndodh diçka, teksa e cilësoi urdhërues të kërcënimeve në fjalë.
“Së fundmi denoncon me forcë kërcënimin që i kanë bërë në burg presidentit të PL, Ilir Meta. Ky është akt hakmarrës ndaj Metës dhe paralajmëroj Ramën se çdo gjë do i kthehet personale. Sot kanë shkuar t’i zënë kafshatën në fyt atij. Dihet kush i kontrollon burgjet, Rama me Ulsi Manjën”, tha ai.
Berisha akuzoi edhe drejtoreshën e BKH, Aida Hajnaj si “të besuarën e verbër” të Ramës, sikurse edhe Altin Dumanin, ku i kërkoi dorëheqjen në mënyrë publike.
“Drejtoresha e BKH është mercenare e bindur e Ramës te institucioni. Dumani është ushtari i tij. Kam denoncuar Dumanin, nuk jam marrë me familjen e tij, apo biografinë. Kam denoncuar shtëpitë e tij. Se paguan vjehrri se e paguan Altini hajde gjeje këtë. Tre shtëpi me qira e një ku rri. Ka mashtrime në deklaratat e tij, janë deklaruar çmime 50% më të ulëta se çfarë janë në atë zonë, burimi i tyre është i paqartë, Vettingu i tij falsitet, votimi i tij është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ai duhet të largohet menjëherë nga ajo detyrë. Dhe ata që votohen kundër Kushtetutës nuk kanë ligj, nuk kanë moral”, u shpreh ish-kryeministri.
Lajmi kryesor:
Berisha: Rama shkëmbeu ‘kokën’ e Olsit me Veliajn! Kush është Nesti Angoni? Ish-kryeministri: Dosjen e bëri Balluku, është ‘zhdukur’
A.Q/ReportTv.al