Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, edhe nga Valencia e Spanjës, e mori sot (29 prill) në mbrojtje eurodeputetin grek Fredi Beleri, duke konfirmuar aleancën më të fundit politike me forcën që ish-kryebashkiaku përfaqëson në Himarë, linjën politike që ka ndjekur deri në akte antishqiptare dhe si i dyshuar në masakrën e Peshkëpisë më 1994.
Këtë e bëri në fjalimin që mbajti sot (29 prill) në Kongresin e Partive Popullore Europiane, ku edhe PD është e aderuar.
Teksa akuzoi gjendjen e mjerueshme të Shqipërisë, ku sipas tij e ka zhytur kryeministri Edi Rama, Berisha zgjodhi t’i kushtonte vëmendje edhe “grabitjes së mandatit” të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri.
Dhe qëllimi i Ramës, nënvizoi ai, ishte se Beleri s’i jepte tokat e të parëve në Himarë.
“Si Zayed i Tunizisë, në vit elektoral, ai zgjodhi të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës, vetëm sepse ishin kundërshtarë politikë – dhe pa asnjë, asnjë, asnjë provë kriminale. Ai u mori mandatin drejtuesve të opozitës. U mori mandatin kryetarëve të bashkive të opozitës, siç është rasti i Fredi Belerit, i cili sot është eurodeputet, sepse arsyeja e vetme ishte që Beleri nuk pranoi t’i jepte tokën që nuk i përket familjes Rama", tha Berisha mes të tjerash.
Berisha hodhi edhe akuza për fushatën zgjedhore të 11 majit, duke thënë se Rama po bln vota nëpërmjet “asfaltit elektoral” apo me shpërblime financiare nga buxheti.
“Vota e blerë nga mafia, një makineri e plotë që ka vjedhur zgjedhjet dhe që është parë nga të gjithë. Ky narkodiktator është i lidhur me grupet e tjera kriminale. Më 11 maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këto zgjedhje, përveç të gjitha atyre që përmenda më sipër, ai ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për 800,000 pensionistë, dhe ka dhënë 100 licenca për kultivim kanabisi me moton “Kanabis për Vota”. Ai e ka kthyer narkoshtetin e tij në një makineri zgjedhore”, tha ai.
Por në fjalimin e tij nuk mungoi as çështja McGonigal, teksa aktualisht në Shqipëri dhe SHBA i ka plasur skandali me kontratën e lobimit 6 mln dollarë me kompaninë amerikane “Continental” për të hequr non gratën.
“Zonja dhe zotërinj, përveç kësaj, diktatori tiranik, narkodiktatori, ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha atij 225,000 dollarë, por ju siguroj që nuk ishte i vetmi që u ble kundër opozitës. Dokumente, mijëra dokumente nga vende partnere, provojnë sot se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët në vendin tim.”, u shpreh kreu i selisë blu para anëtarëve të pative simotra.
Dhe në fund e mbylli fjalimin e tij me thirrjen për ndihmë nga PPE-të, për të rrëzuar “diktaturën e Ramës”.
“Me ndihmën tuaj, miq të dashur, ju siguroj se Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila përmbysi 32 vite më parë diktaturën më staliniste në Europë, do të përmbysë edhe diktaturën e parë dhe të vetme narkotike në Europë, atë të Edi Ramës”, tha ai.
Gjatë fjalimit të tij ai nuk harroi të falenderonte miqtë e tij të afërt europianë, që i kanë qëndruar në ditët e tij më të vështira, si Brok de Pack.
“Dua të falënderoj gjithashtu miqtë nga CDU, Elmar Brok, Peter Beyer, Doris Pack, miqtë nga Forza Italia në Itali, Battilocchio, Erika Mazzetti, etj., të cilët kanë qenë pranë nesh në disa ditë të vështira”, kujtoi Berisha.
Sali Berisha duke akuzuar Ramën nga Spanja se mbylli TikTok-un
Gjatë fjalës së tij, teksa mori në mbrojtje Fredi Belerin, akuzoi kryeministrin Edi Rama për pagesat ndaj McGonigal apo për ndërhyrjen në zgjedhje, duke thënë se po i vjedh ato, folu edhe për mbylljen e TikTok.
Berisha e krahasoi kryesocialistin me Zaydein e Tunizisë që arreston kundërshtarët politik dhe nuk del në debat, duke i blerë me lekë zgjedhjet.
“Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe kryen plaçkitje, sillet në vend si një diktator i mirëfilltë. Ai kontrollon të gjithë ekonominë. Kontrollon të gjithë median. Në fund, ai bllokoi TikTok-un, duke e bërë vendin të duket njësoj me Kabulin dhe Teheranin”, tha Berisha në Kongresin e PPE-ve në Spanjë, gjatë fjalimit të shkurtër që mbajti.
Gjithashtu ai u shpreh se rinia shqiptare jo vetëm po e braktis Shqipërinë, por vendi është eksportuesi kryesor i krimit në Europë.
“Mijëra shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve Shengen, për këtë shkak, vendi ka ulje të lindshmërisë. Vendi është një prej eksportuesve kryesorë të krimit në Europë. Zonja dhe zotërinj, Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë”, nënvizoi ai mes të tjerash.
Komente
