Kryesocialisti Edi Rama mblodhi dje të rinjtë e Kamzës, por Sali Berisha iu përgjigj sot me të rinjtë e FRPD-së, ku pas vetes kishte edhe “sherifin” dhe “magjistarin” e fushatës së tij elektorale me “madhështorët” e opozitës, Chris LaCivita.
Teksa ky i fundit deklaroi se nuk flet apo vjen në emër të qeverisë së SHBA-ve ose të presidentit Donald Trump, kreu i PD-së hodhi akuza të përsëritura ndaj kryeministrit.
Madje duke gënjyer sërish edhe për darkën e pretenduar që i është anuluar Ramës në Strasburg apo se ka kërcënuar me njerëzit e krimit eurodeputetët e PE-së pas këtij anulimi.
Berisha hoqi paralele duke përmendur babanë e kryeministrit si autor të varjes së poetit desident Havzi Nela, kurse Ramën si autor të varjes së TikTokut.
“Në Shqipëri ka dy Europa. Një Europë që censurohet, dhe tjetra që manipulohet dhe deformohet. E vërteta është, Europa që censurohet në Shqipëri këtë javë ka folur për Shqipërinë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë në 32 vite, dhe ndofta më fuqishëm se për çdo vend tjetër në 32 vite. Kjo Europë, në Këshillin e Europës, në një kohë krejtësisht të pazakontë mbajti 2 seanca me dy grupet kryesore parlamentare. Kjo Europë, që ta dini ju, në vizitën e tij në KE, drejtuesit e këtij institucioni do të më informonin se ata Edi Ramës ia anuluan darkën zyrtare të planifikuar për nder të tij. Akt që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e atij institucioni. Darkën ia anuluan dhe ia anuluan për shkak të keqsjelljeve të tij, për shkak se aty ai nuk e përmbajti veten dhe demonstroi se cili ishte. Por, nuk është e tëra kjo. Pas anulimit të darkës, duket se ky kishte mbledhur grupet kriminale shqiptare nëpër Europë, dhe pas anulimit të darkës me qindra mesazhe kërcënimi shkuan drejt drejtuesve të KE-së”, tha Berisha në fjalën e tij para të rinjve demokratë.
Ai e quajti qeverisjen e Ramës si një fasadë që tani ka marrë fund pas rezulutave nga PE, teksa e akuzoi edhe për “varjen e TikTok”.
“Sepse, në qoftë se marim deklaratën e fundit të të dy komisionereve, që të dy e bënë të qartë se nuk mund të ketë integrim pa reforma të thella, të cilat Edi Rama kurrë nuk i bën. Edi Rama bën fasadë. Mirëpo, fasada e Edi Ramës mori fund ditën e hënë dhe ditën e mërkurë në dy institucionet themelore të demokracisë europiane dhe të BE-së, dhe të politikës europiane. Duhet të përpiqemi që ta kalojmë censurën. Edhe kjo. Unë e thashë në KE. Akti i mbylljes së Tik Tok, është akti i Habitullahut të Kabulit. Sqarova dhe një gjë. Mos e merrni për të thjeshtë, se i ati i tij në vitin 1988, në 10 gusht firmosi varjen në litar të një poeti disident, guximtar, vetëm pse shkroi vargje për fjalën e lirë, shkroi vargje për frymën e Helsinkit. Kurse ky, tani var në litar Tik Tokun, sepse të rinjtë e përdorin shumë dhe e kritikojnë, e tallin, ose e qortojnë. Ai ishte tashmë i vetmi kryeministër në historinë e Europës që i kishin anuluar darkën zyrtare, sikur të përfaqësonte Enver Hoxhën apo Gadafin”, akuzoi ai.
Berisha iu drejtua të rinjve me fjalët se në politikë duhen misionarë, teksa qartazi misioni i tij në 35 vite politikë ka lënë pas shumë çështje “të nxehta”, që jo vetëm i kanë kushtuar 2 “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, por edhe një aferë e dosjes “Partizani” ku është i pandehur për korrupsion.
“Shqipërisë sot i duhen misionarë. Në situatën në të cilën ajo ndodhet, atë e shpëtojnë vetëm misionarët. Shqipëria nuk mund të jetë kurrë Shqipëri madhështore pa rininë e saj madhështore, pa ndrrën të bërë realitet të të rinjve të saj”, u shpreh kreu i selisë blu.
Lajmi kryesor:
‘S’jam sherif, por më pëlqen humori!’ LaCivita shuan shpresat e Berishës: Nuk flas në emër të qeverisë Amerikane, jam qytetar privat që merrem me fushatat elektorale nëpër botë!
A.Q/I.M/ReportTv.al
